Socialistët, të irrituar nga arroganca dhe keqqeverisja e ministrave, do t’i presin me …vezë

441
Nga marsi i 2015, kur kryeministri Rama, u dërgoi ministrave të tij ultimatumin që të ndryshojnë sjellje, pasi po bëhen arrogant, kanë kaluar 10 muaj, mirëpo asgjë nuk ka ndryshuar, as në sjelljen e ministrave socialistë, përkundrazi, është rënduar më shumë gjendja e mjeruar ekonomike, pasi papunësia po shtohet, saqë njerëzit të dëshpëruar se mund të gjejnë një punë të çfarëdoshme, po marrin rrugët e Europës, duke u katandisur si azilkërkues, duke qenë edhe në numër, të dytët pas refugjatëve sirianëve, aq sa fenomeni i emigracionit shpjegohet me shkaqet ekonomike të keqqeverisjes shqiptare, të cilat po barazohen me shkaqet e luftës në Siri.
Kryeministri detyron ministrat të zbresin në …terren 

Edhe reformat e ndërmarra nga qeveria, sidomos ato të luftës kundër informalitetit, si edhe masat penalizuese ndaj biznesit, kur nuk respektojnë ligjet, kanë shkaktuar një klimë terrori edhe te bizneset, aq sa pasojat bëhen edhe më tragjike, saqë reflektimi është i menjëhershëm, edhe në treguesit e ulët të zhvillimit të ekonomisë, si edhe në difiçitet e mëdha në të ardhurat mujore të buxhetit të shtetit, të cilat sërish, edhe në muajin tetor krijuan një gropë të zezë, me qindra miliona lekë humbje. Për të përmirësuar ikonën e qeverisjes, kryeministri Rama ka dhënë urdhër, që duke filluar nga dita e nesërme, të gjithë ministrat do të zbresin në terren për t’u ballafaquar me votuesit dhe strukturat lidhur me premtimet, apo pritshmëritë e publikut nga qeverisja e Majtë. Lajmin e ka konfirmuar numri dy i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. 

Socialistët të irrituar me premtimet e pambajtura, nga ministrat

Shumë vonë, kujtohen ministrat të lenë zyrat e të zbresin në terren
, edhe duke e parë nga ato afate që ka dhënë Asambleja Kombëtare, për procesin e zgjedhjeve të brendshme në PS, si edhe për pranimet e reja në parti. Afron edhe dita e mbajtjes së Kongresit dhe procesi i zgjedhjeve në PS është i vakët. Kjo shpjegohet se kupola e PS, e sidomos ministrat e saj e ndjejnë që janë distancuar, janë ftohur, e janë bërë të huaj me vetë njerëzit e tyre në bazë. Ndaj, që të detyrosh me urdhër, ministrat, që të lenë karriget e zyrës, dhe të marrin një çikë baltë të terrenit në thembrat e këpucëve të tyre, mund të dalë edhe një huq. E vërteta është se ministrat socialistë nuk kanë se çfarë të thotë e të japin, edhe nëse do të lënë zyrat, – pas 25 muajsh qeverisjeje – dhe shkojnë në zonat e tyre elektorale. Së pari, socialistët akoma në 25 muajt e qeverisjes së Rilindjes, janë sërish të papunë, nuk u vlerësuan dhe nuk u shpërblyen për kontributin që kanë dhënë për të sjellë pas 8 vjetësh PS në qeverisje. Edhe në ato emërime, që janë bërë deri tani në administratën publike, janë punësuar njerëz që nuk kanë lidhje me socialistët, që nuk kanë kontribuar, por që kanë lidhje të dyshimta me ministrat, të cilët sillen si agallarë në zonat elektorale. Kjo sjellje e ministrave është që i ka irrituar shumë edhe vetë socialistët e bazës. Shkëndija e parë e reagimit, e revoltës të socialistëve ndaj ministrave të tyre u dha në 21 qershor 2015, ku PS në të gjitha bashkitë humbi votues, pikërisht nga kjo sjellje e ministrave. Së dyti, ministrat nuk kanë përmbushur edhe premtimet e tjera, që dhanë në fushatën elektorale, kur kërkuan votën. Deri tani kanë munguar investimet e premtuara në zonat elektorale të tyre. Akoma nuk janë krijuar klimat e favorshme për bizneset që u premtuan. Ligjet e reja, që u ndërmorën në emër të reformave, kanë goditur vetëm shtresat në nevojë, të cilat, nuk e kanë ndjerë akoma ndihmën sociale të qeverisë socialiste. 

Korrupsioni, frika e ministrave në ballafaqimin me socialistët e bazës

Publikimi përditë i fakteve të korrupsionit që ka përfshirë shumë ministra, vendimet e qeverisë, që të shpenzojë miliona euro në vit, për qiratë e makinave, ndërkohë që ndihma sociale dhe pensionet mujore janë vetëm sa një ditë diete e ministrave në terren, ka shtuar irritimin e socialistëve. Faktet e pa përgënjeshtruara për abuzime të mëdha në tenderët e ministrave, aq sa edhe KLSH, edhe prokuroria kanë filluar hetimet dhe kanë bërë kallëzimet penale për më shumë prej tyre, kanë shkaktuar humbjen e çdo besimi të socialistëve për ministrat e tyre, që paratë e taksapaguesve i shpenzojnë për luksin e zyrave, të dietave dhe për bileta avionësh jashtë shtetit. E vetmja pyetje që u bëhet tani, ministrave, që në ditën e parë që do dalin në terren është: Çfarë do t’u thonë socialistëve që u mirëbesuan në 23 qershor 2013 dhe që deri tani nuk kanë mbajtur asnjë premtim? Dhe më kryesorja:Çfarë premtimesh të reja mund të bëjnë tani, ministrat socialistë, që akoma nuk e kanë grisur arrogancën në sjelljen dhe veprimet e tyre?
Sigal