Socialistët “nën ethe”, orët vendimtare për qeverinë e re

492
Dalin të dhënat mbi strukturën e ekzekutivit, ndërsa Asambleja do të mblidhet të dielën. Mister emrat e ministrave
Orë të ethshme për socialistët, të cilët përgatiten të nisin mandatin e dytë në qeverisjen e vendit, pas fitores më 25 qershor 2017. Me më tepër se 71 mandate, të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme, Partia Socialiste pritet t’i japë fund dilemës dymujore për ndërtimin e qeverisë së re. Në fakt do të jetë kryeministri Rama, i cili do të çelë dosjen e mandatit të dytë, pas një raportimi që do të bëhet në Asamblenë Kombëtare të socialistëve më 27 gusht, lidhur me problematikat e mandatit të parë dhe organizimin në mandatin e dytë. Të gjithë sytë janë drejtuar nga Edi Rama edhe për listën e re të ministrave, të cilët duket se do të jenë më të paktë në numër në tryezën e qeverisë. 

Struktura
Burime nga selia e Kryeministrisë i treguan dje medias se është përfunduar struktura e qeverisë së re, e cila mesa duket do të ketë disa bashkime të ministrive aktuale. Kështu, sipas burimeve, thuhet se do të bashkohet sektori i Bujqësisë me Mjedisin, Turizmi me Kulturën dhe Sportin, Ekonomia me Energjinë dhe Zhvillimi Urban me Pushtetin Vendor. Po ashtu diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë, të ngjashme me atë aktuale të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Koncepti i ndërtimit të një ministrie të Thesarit është shqyrtuar edhe vite më parë dhe parashikonte ndarjen e Ministrisë aktuale të Financave, duke bashkuar një pjesë të saj me Ministrinë e Ekonomisë. Ndërkohë, në një projekt të mëparshëm, Ministria e Kulturës pritej të bashkohej me atë të Arsimit e Sportit, ndërsa Pushteti Vendor aktualisht funksionon si një Ministri Shteti dhe më parë ka qenë edhe pjesë e Ministrisë së Brendshme. 

Një pikë e rëndësishme që pritet të zgjidhet në strukturën e qeverisë së re është edhe zëvendëskryeministri. Drejtuesi i qeverisë pritet të përcaktojë nëse për numrin dy të ekzekutivit do të ketë edhe një portofol ministror apo ai do të lihet i lirë për të drejtuar strukturat ndërministrore. Megjithatë bashkimi i mundshëm i disa ministrive aktuale pritet ta rindërtojë edhe skemën e shumë strukturave ndërministrore, duke pakësuar numrin e tyre.

Ministrat
Pavarësisht strukturës që do të zgjedhë Edi Rama për qeverinë e tij të re, por të vogël, duket se pjesa më interesante janë emrat që kryeministri do të ftojë në kabinet. Gjatë muajve të fundit, qeveria është ndryshuar disa herë për shkak të zhvillimeve politike. Vetë kryeministri largoi 4 ministra socialistë dhe më pas 7 anëtarë të tjerë të qeverisë për të përfshirë ministrat teknikë, si pasojë e marrëveshjes Rama-Basha. Më parë në kabinet ishte ndërruar edhe ministri i Drejtësisë, përfaqësues i LSI-së. Por në shtator, kryeministri pritet të vendosë normalitetin në grupin e njerëzve që do të drejtojë. Sipas burimeve, rreth 50 % e portofoleve ministrore, që mund të jenë vetëm 12, do t’u besohen femrave. Grupi i “të preferuarave” të kryeministrit brenda radhëve të Partisë Socialiste është i evidentuar, por nuk përjashtohen edhe surpriza, me përfshirjen në qeveri të zonjave, të cilat kanë qëndruar jashtë apo në kufijtë e politikës. Ndër ministret aktuale pritet një konfirmim për Mimi Kodhelin, ndonëse mund t’i duhet të “dorëzojë” ushtrinë për t’u ulur në një kolltuk tjetër. Gjithashtu, Lindita Nikolla mbetet një pretendente e fortë për t’u rikthyer në qeveri, por fati i saj do të varet shumë nga mënyra e organizimit të portofoleve ministrore. Zmadhimi i peshës së disa ministrive e ka bërë edhe më të vështirë për kryeministrin gjetjen e personave drejtues. Ndër të paktën emra të konfirmuar duket se është Damian Gjiknuri, ministri aktual i Energjisë dhe Industrisë, ndërsa kryeministri ka deklaruar edhe publikisht rikthimin në Ministrinë e Brendshme, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, të Fatmir Xhafës. Moslargimi i ministrave teknikë e prishi këtë plan të Ramës, që nuk dihet, nëse do të përsëritet në qeverinë e re që do të nisë punën në mes të shtatorit. 

Megjithatë nga Asambleja Kombëtare e socialistëve të dielën e ardhshme, kryeministri pritet të marrë miratimin vetëm për strukturën e qeverisë, duke rezervuar për më pas publikimin e emrave të ministrave. 

Raportimi në Asamble
Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, që do të mblidhet më 27 gusht, parashikohet të bëhet edhe raportimi i grupeve të punës të ngritura pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Grupi i punës i kryesuar nga Niko Peleshi do të raportojë në Asamble për gjetjet e tyre mbi reformën e administratës shtetërore dhe strukturën e qeverisë së re. Një grup tjetër pune, i kryesuar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, do të bëjë raportin e tij mbi punën dhe veprimtarinë e grupit të deputetëve gjatë legjislaturës së shkuar, si dhe të punës së çdo deputeti në zonat ku janë zgjedhur si të tillë. Në Asamblenë Kombëtare do të raportojë edhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, si kreu i grupit për eficencën e shërbimeve të administratës shtetërore për qytetarët, duke identifikuar të gjithë dokumenteve apo licencave që i duhen qytetarit për të marrë nga shteti. Grupi i katërt i punës që duhet të nxjerrë konkluzionet e tij do të jetë ai i kryesuar nga ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi. Ky grup do të raportojë mbi problematikat kryesore politike apo sociale të qytetarëve në çdo zone, të dala në dukje gjatë turit të dëgjesave të deputetëve socialistë në muajin korrik. I fundit që do të raportojë do të jetë Fatmir Xhafaj, i cili me grupin e tij të punës do të analizojë për çdo njësi zgjedhore rezultatin e Partisë Socialiste për të ditur se ku kanë gabuar apo ku kanë bërë mirë socialistët. Ky grup pune do të bëjë dhe një analizë të gjendjes dhe funksionimit të partisë në çdo zonë administrative.

Emërimet në Kuvend
Gramoz Ruçi mbetet deri më tani propozimi i vetëm i kryeministrit Edi Rama për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit dhe rrjedhimisht numri dy i shtetit. Me prishjen e koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, posti i kreut të Kuvendit pritet të merret nga socialistët dhe Edi Rama e ka propozuar publikisht emrin e kreut të deputetëve socialistë. Megjithatë ende nuk ka një përgjigje nga Ruçi, i cili, nëse do të pranonte të ulej në krye të Kuvendit, do të hapte një sërë skenarësh të tjerë për drejtimin e grupit parlamentar. Një emër i mundshëm në këtë detyrë shihet së fundmi edhe Fatmir Xhafaj, në rast të mospërfshirjes së tij në ekzekutiv. Ndërkohë, disa figura të rëndësishme të socialistëve pritet të angazhohen edhe në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare. 
Sigal