Socialistët në Kushtetuese për të rrëzuar Metën

50

PS-ja ankimon  në  Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit për ndarjen e mandateve

Ja cilat parti përfitojnë mandate, nëse Gjykata Kushtetuese pranon ankesën e PS-së

Damian Gjiknuri, sekretari për çështjet zgjedhore të PS-së, bën me dije se PS-ja ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”. Gazeta “Telegraf zbardh këtë ankimim të PS-së në Gjykatën Kushtetuese. “KËRKESË Drejtuar: Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë  Subjektet: Një e pesta e deputetëve të Kuvendit, Partia Socialiste e Shqipërisë  Objekti: Shfuqizimi si antikushtetues i Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”. Pezullimin e zbatimit të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.  Baza Ligjore:    Neni 1 pika 3, neni 4, neni 7, neni 16, neni 17, neni 42 pika 1, neni 45 pika 4, neni 131 pikat “c” dhe “f”, neni 134 pikat “c” dhe “f”.  Ligji nr.8577, datë 10.2.2000, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.I nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Të nderuar anëtarë të saj, Me anë të kësaj kërkese, iniciojmë pranë kësaj Gjykate të nderuar çështjen me objekt: “Shfuqizimi si antikushtetues i Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”. Në seancën e datës 31.01.2013, Kuvendi i RSh miratoi me 72 vota “pro”, 63 “kundër” dhe 1 “abstenim” Vendimin nr.2/2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”, duke u bazuar tërësisht në ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore të bërë nga Kuvendi për zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2009.

Vendimi i mësipërm i Kuvendit të Shqipërisë (shumicës parlamentare) është antikushtetues pasi: 1. Cenon parimin kushtetues të barazisë së votës. 2. Është marrë përmes një procedure të parregullt ligjore. Përfundimi, vota e një kuksiani vlen më shumë se vota e një durrsaku apo tiranasi. Kjo do të thotë sipas Komisionit të Venecias “fuqi e pabarabartë e votës” dhe si e tillë, nuk duhet lejuar pasi është në kundërshtim me jo thjesht me parimet e trashëgimisë elektorale evropiane, por edhe me parimin kushtetues të zgjedhjeve të barabarta (neni 1, pika 3 e Kushtetutës) dhe të drejtën e votës së barabartë (neni 45, pika 4 e Kushtetutës).

Në respekt të ligjit (neni 24§2 i Kodit Zgjedhor), anëtarët e KQZ duhet të firmosnin projektvendimin që kishin paraprakisht në dosjet e tyre individuale, të votuar respektivisht 4 anëtarë “pro” dhe 3 “kundër” (refuzimi u konsiderua votë “kundër”), dhe me dispozitiv: “1.Të caktojë numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore.

Akti i cilësuar si Vendimi nr.15, datë 23.11.2012, është edhe në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga Kodi Zgjedhor për marrjen e vendimeve nga KQZ (nenet 23 e 24). Në asnjë nga këta nene, apo ndokund tjetër në Kodin Zgjedhor apo Kodin e Procedurave Administrative, nuk parashikohet që në rastet kur (projekt)vendimi nuk miratohet në parim kemi një votim të dytë, sikundër ndodhi në rastin e kësaj vendimmarrje. Rrjedhimisht, dispozitivi i këtij vendimi, fryt i votimit të dytë[1] të KQZ është një shkelje e rëndë dhe flagrante e procedurës së vendimmarrjes së KQZ, sipas parashikimeve ligjore që e rregullojnë atë, të cituara më lart. Duke qenë se, ky vendim është absolutisht i pavlefshëm, pra “nul” dhe i paqenë, vendimmarrja e KQZ për: “Caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013” është ende  kompetencë e KQZ.

Rezulton se Sekretaria e Përgjithshme e KQZ e ka nisur shkresën nr. 174, datë 11.01.2013, “Informacion …”, me Autorizimin nr.55 prot., datë 7.01.2013 të Kryetares së KQZ. Ky autorizim është gjithashtu akt absolutisht i pavlefshëm pasi ai është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e parashikuar nga ligji: ai nuk është i firmosur nga Zëvendëskryetari i KQZ. Për më tepër, autorizimi ka si bazë ligjore Rregulloren e shfuqizuar të KQZ.

I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese  1. Shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.  2. Pezullimin e zbatimit të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.

Me respekt, Një e pesta e deputetëve të Kuvendit:    Kryetari i Partisë Socialiste Edi RAMA

Me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese, socialistët gëzojnë rrëzimin e Metës dhe harrojnë  humbjen e tyre 

Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë në  konsideratë ndarjen e re që ka kërkuar PS-ja, atëherë do të kemi një konfigurim të ri të mandateve për 12 Qarqet e vendit dhe detyrimisht që do të kemi edhe një ndryshim të raporteve dhe numrit të deputetëve që përfiton secila parti. Me këtë kërkesë më të humbur dalin  socialistët,  të cilët  më shumë gëzohen, duke  dëmtuar  Metën, se sa të pretendojnë të rrëzojnë Berishën dhe të  rikthejnë të majtën në pushtet. Me sa duket të gjitha variantet janë në tavolinën e Gjykatës Kushtetuese.

Varianti i parë është që mandatet të mos ndryshojnë dhe shqiptarët të shkojnë në zgjedhje me të njëjtën ndarje administrative dhe numër deputetësh për Qark, si ai i zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Ky variant i penalizon deri diku të dyja partitë e mëdha, por më shumë Partinë Socialiste.

Varianti i dytë  është ai i ndarjes sipas  ankimimit, që ka bërë PS-ja. Sipas këtij varianti, penalizohet LSI-ja në Qarkun e Beratit, por penalizohet edhe vetë PS-ja, e cila i ka të gjitha mundësitë që me 8 deputetë në Berat të marrë pa problem 5 deputetë. Nëse ulet numri në  7-të, atëherë PS-ja  nuk merr më shumë se 4 deputetë dhe 1 deputet diskutohet mes PD-së dhe LSI-së. Por ky variant me 7 deputetë,  i kërkuar nga PS-ja përbën një gabim të rëndë, pasi  koefiçenti për një deputet i  takon 33 059 votues për deputetë. Ndërsa Kukësit koefiçenti i  për 1  deputetë i takon 27 188 votues.  Duke patur parasysh që diferenca për një deputet e Beratit me Kukësin është : 33 059  —  27 188 =5871 votues ( më shumë ose që digjen ) për çdo mandat deputeti. Duke qenë se Berati  ka 7 mandate  x 5871 = 41 097 votues të majtë që digjen dhe si hyjnë në punë askujt. Dihet që Berati ka afërsisht 220 mijë votues  dhe kaq   mjafton që me këtë ndarje diferenca e PS –së  të mos jetë më shumë se 1 deputetë.  Pra, e djathta rikuperon artificialisht 1 deputet dhe kjo prej papërgjegjshmërisë të së majtës. Por e majta shpreson të marrë 1 deputet më shumë në Tiranë, por me këtë koefiçent i takon që ta marrë LSI-ja dhe për socialistët nuk ka asnjë ndryshim.

Një  tjetër arsye përse socialistët ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese  flitet të jetë marrëveshja  në heshtje midis PS-së dhe PD-së. Nga ana e vetë PD-ja nuk e çonte, sepse nuk donte të prishej me aleatët dhe sidomos LSI-në, ndaj ka nxitur socialistët të bëjnë ankimim. Me këtë rast bie forca e partive të vogla,  të cilën demokratët e ndien gjatë koalicionit me LSI-në, në ndarjen e pushtetit.  Me këtë rast  PD-ja është më e qetë, duke i thënë aleatëve, që unë e bëra si deshët Ju, por vendimi i Gjykatën Kushtetuese duhet zbatuar. Edhe në këtë rast, në shkallë vendi e humbur del  e majta, pasi  votat e majta të LSI-së nuk sjellin deputetë në shumicën e qarqeve, duke i prishur punë vetëm  socialistëve.