Socialistët e Vlorës shpërthejnë kundër Koço Kokëdhimës

446
Realisht procesi i zgjedhjeve në forumet e PS nëpër qarqe po bëhet i deformuar dhe i diktuar nga koordinatorët që ka emëruar kryetari i PS, Edi Rama. Konkretisht, koordinatori i Jugut, Koço Kokëdhima, shkel çdo normë partie, çdo standard demokratik, derisa emëron këdo drejtues, duke shpërfillur anëtarët socialistë, forumet, procedurat statutin e PS. Në një takim me disa Organizata të PS Vlorë, të thirrur nga drejtuesi politik Koço Kokëdhima, pakënaqësia e shfaqur ka qenë e shumtë dhe e hapur. Në takim ka qenë i pranishëm në sallë edhe ish kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika. Në faqen e vet në fb, Shpëtim Gjika e ka komentuar kështu takimin e socialistëve në Vlorë me Koço Kokëdhimën: Socialistët në takim kanë kundërshtuar problematikat që po shkakton në organizimin e PS dhe procesin zgjedhor, shtabi i punës i emëruar nga Kokëdhima. Për socialistët e shumtë, shtabi është me njerëz që nuk kanë lidhje me PS, nuk e njohin anëtarësinë dhe sillen me arrogancë. Shef grupi, shef organizate, Shef rajoni, Shef shtabi, Shef…, Shef…, Master shef ! Me këto terma në takimin e sotëm organizativ të PS Bashkia Vlorë, të krijohet, për fat të keq, përshtypja se reforma më së shumti po bëhet vertikalisht. Duke qenë që PS, është një organizatë vlerash dhe solidariteti, bashkim zemrash dhe idesh, aliazh moshash dhe kontributesh, me gjithë këta lloj “shefash”, të krijon idenë e një ndërmarrjeje apo administrate burokratike! Sa jemi në kohë, do të sugjeroja modestisht, t’i mëshohet përtëritjes horizontale, shtimit të numrit të anëtarësisë, jo duke joshur me emërtime apo emërime “shefash”, por duke evidentuar vlerat dhe kontributet njerëzore të Partisë Socialiste. Shpresoj dhe uroj që kjo punë e mirë e bërë deri më tani, me disa përmirësime të nevojshme, t’i shërbejë PS në zgjedhjet e ardhshme politike. Faleminderit organizatorëve gjithashtu, që më ftuan të jem pjesë modeste e këtij procesi”- përfundon Shpëtim Gjika, ish kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe ish kryetari i PS në Vlorë, për shumë vite, i cili në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dha një kontribut të madh në fitoren e PS në Vlorë. 
Sigal