Socialistët e Lezhës kundër Ramës: Jo pazare me LSI në kurriz të PS!

460
Sigal

Eduart Ndocaj: Rama e Kodheli harruan socialistët që i votuan. Mbështesin Viktor Tushën e korruptuar të LSI-së. Do kandidoj për kryevendor!

  Elvis Hila

 Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Lezhës, duke u takuar me kreun e Bashkisë të këtij qyteti, Viktor Tushaj, i cili është përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ata kanë zhvilluar një takim kokë më kokë në zyrën e këtij të fundit, ku sipas informacioneve kanë diskutuar mbi zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas të gjitha gjasave kjo njësi vendore, do të lihet zonë e lirë sërish Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe jo Partisë socialiste. Ky fakt tashmë është i konfirmuar pasi vetëm për këtë vit, Qeveria Shqiptare i ka akorduar bashkisë së Lezhës 3.5 milion euro investime, ku pritet që të nisë puna në disa investime mjaft të rëndësishme. Ndonëse Tushaj ka nisur disa investime edhe 4 vite më parë ata ende nuk kanë përfunduar, duke irrituar së tepërmi qytetarët të cilët mashtrohen sa herë që ka zgjedhje. Edhe disa ditë më parë ai konfirmoi nisjen e rinisjen e punimeve në disa investime që kishin nisur që në fushatën e vitit 2011 dhe ende nuk kanë përfunduar, por sërish punimet janë të ndërprera dhe mjetet kanë punuar vetëm gjatë inspektimit të Tushaj. Nga ana tjetër është bërë e ditur, se edhe vizita e Ramës kishte këtë qëllim, që të nisin disa investime elektorale në Lezhë më qëllim që banorët e këtij qyteti të mashtrohen sërish që të votojnë kandidaturën e Viktor Tushës për kreun e Bashkisë së Lezhës. Ndonëse Rama kishte hedhur një lum akuzash në zgjedhjet e 2011-ës për Viktor Tushën, duke e akuzuar atë për afera korruptive dhe si një njeri pa vizion, ata po bashkëpunojnë sërish bashkë duke tentuar që të mashtrojnë qytetarët që të votojnë të majtën. Pas takimit për një orë në zyrën e kreut të Bashkisë ata kanë dalë duke ecur në këmbë nëpër rrugët e qytetit të Lezhës, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të këtij qyteti. Ka qenë i lartë numri i truprojave që shoqëronin Ramën teksa lëvizte në rrugët e Lezhës, ndërsa ata më pas janë ulur në kafe në një nga baret e qytetit të Lezhës, ku kanë qëndruar sërish për të paktën një orë.

Reagimi

Vizita e Kryeministrit Rama në qytetin e Lezhës duke u takuar vetëm me kreun e Bashkisë, i cili është përfaqësues i LSI-së ka irrituar të gjithë socialistët lezhjanë, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në fitoren e rilindjes në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013-të. I ashpër në qëndrimin e tij ka qenë kandidati për deputet i kësaj force politike në zgjedhjet e 23-qershorit, Eduart Ndocaj. Ai ka hedhur një lum akuzash ndaj Kryeminstrit Rama duke e akuzuar atë, se ja ka shitur Lezhën Lëvizjës Socialiste për Integrim. “Rama po tregon se është i fortë në pamje të parë dhe bashkë me Tushën kanë ecur në këmbë nëpër Lezhë dhe pse pas tyre ishin 20 badigardë të cilët po i ruanin ato. Ka një javë që deputeti i PS-së Arben Ndoka po sulmohet egërsisht nga opozita shqiptare, por heshtja e Ramës po konfirmon se ai po sulmohet nga vetë LSI, një aleat i ngushtë i Partisë Socialiste. Tushaj dhe deputetja e LSI-së në Lezhë Monika Kryemadhi, e cila ka fituar mandatin duke blerë vota, po sulmojnë përfaqësuesit e PS-së në Lezhë, ai që nuk blihet nga politika do të eliminohet siç ndodhi me mua që isha një nga kontribuesit më të mëdhenj në fitoren e Partisë Socialiste në rrethin e Lezhës. Ajo çfarë unë kam deklaruar 12 muaj më parë, se zonja Mimi Kodheli, e cila ishte edhe kryesuesja e skuadrës së rilindjes për Lezhën ja ka shitur LSI-së Lezhën, sot po konfirmohet më së miri. Sot të gjithë socialistët janë dakord me mendimin tim, por frika e pushtetit po ju mbyll gojën. A ishte kjo rilindja që ne luftuam, ne abuzuam me këtë fjalë të madhe. Unë mendoj se po dhe jam tepër i bindur. Nuk do mendoja kurrë, se do isha dakord me mendimin e Sali Berishës, por asnjë premtim nuk është mbajtur dhe qytetarët lezhjanë të majtë dhe të djathtë që votuan rilindjen, sot janë të zhgënjyer nga kjo rilindje e varfërisë. Të vetmit që po lulëzojnë është vetëm një grup i vogël hajdutësh me në krye Viktor Tushën, të sektit monetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duke parë mashtrimet që po ju bëhen lezhjanëve, unë kam vendosur që të kandidoj për Bashkinë e Lezhës, duke dalë kundër kësaj lëvizje për integrim që është lëvizje për mashtrim. U kërkoj të gjithë qytetarëve lezhjanë dhe rrethinave që të mos ta shesin votën e tyre dhe të mashtrohen më nga këto hajdutë, që kanë 23 vite për veten e tyre dhe Tushaj ka 8 vite që po punon për interesat e tij dhe partisë së tij. Kandidimi im për Bashkinë e Lezhës do jetë një fitore ndaj së keqes dhe do u sjellë dinjitet qytetarëve lezhjanë, ajo që u hoq prej 23 viteve. Lezhën duhet ta drejtojnë lezhjanët dhe familja jonë është një familje që ka mbi 400-vite histori në Lezhë dhe kanë dhënë jetën për mbrojtjen e qytetarëve lezhjanë dhe dinjitetin lezhjanë, të parët e mi kanë ngritur flamurin në qytetin e Lezhës në 1912 dhe jam i bindur se në një fitore të sigurt ndaj këtyre mashtruesve, do ti kthej identitein Lezhës që meriton në shekull”, thotë Eduart Ndocaj.