Socialistët e Elbasanit dhe deputetët, pro Blushit

430
Sigal

Baza socialiste në Elbasan ultimatum Ramës

Baza socialiste në Elbasan  i ka dërguar ultimatum Ramës, lidhur me situatën  e tensionuar e cila ka ardhur pas letrës anonime nga gjoja  “të pakënaqurit e PS lokale”.   Burimet nga dega lokale e PS në Elbasan i thanë “Telegraf” se “zëri i deputetit  tonë Ben Blushi, është edhe zëri  ynë,  është zëri ndryshe  edhe i strukturave të degës tonë, e cila kërkon  zbatimin e statusit të partisë, dhe jo diktatin e kryetarit”.  Sipas  një anëtari  të kryesisë së degës lokale në PS Elbasan  “statusi i partisë presupozon që kryesia e partisë  të mblidhet njëherë në muaj, asambleja njëherë në dy muaj, kurse zgjedhjet  në parti të bëhen një herë në katër vjet, pra, në fund të muajit tetor 2013 duhet të kishim zgjedhjet, pasi, realisht, Rama sipas statusit është pa mandat”.  Por të këtij mendimi janë edhe shumica e  eksponentëve të degës lokale të PS në Elbasan, ku veç kësaj ata ndjehen të indinjuar dhe të fyer nga sjellja e Ramës dhe deklaratat e tij për reagimet e Blushit. Rama në një nga televizionet  u shpreh se, “kam qenë unë që e kam futur, sigurisht bashkë me të tjerët, pas fitores time parimin “një anëtar një votë”, asnjë liberal dhe në asnjë parti  tjetër, kur partia  fiton zgjedhjet, nuk futet në zgjedhje të brendshme për liderin e partisë që dhe në statusin tonë është  përcaktuar si Kryeministër. Mendoj, se në atë moment partia duhet të kthejë vëmendjen andej nga duhet ta mbajë, pra, nga populli”.  Por  statuti i PS-së, përcakton edhe  faktin se zgjedhjet për kreun  e partisë bëhen çdo katër vjet. Realisht, sipas përvojës së kësaj partie, pra para Edi Ramës, sa herë që ajo ka qenë në pushtet është respektuar ky detyrim statusor dhe ka patur proces të rregullt zgjedhor. Kjo  ndodhi  në 1999-n, kur gara u zhvillua mes  Fatos Nanos dhe Pandeli Majkos, asokohe Kryeministër i vendit, gjë, e cila u përsërit  në 2003-n, ndërsa socialistët sërish kishin fituar zgjedhjet e përgjithshme të 2001-t. Prej vitesh Blushi ka qenë dhe vazhdon të mbetet një zë i fortë brenda PS-së dhe ka kërkuar vazhdimisht zbatimin e statusit të partisë, madje edhe në kohën kur Nano ishte lideri absolut i tyre. Qëndrime të tilla Blushi ka mbajtur edhe në 8 vitet e opozitës së PS-së, madje duke krijuar shpesh situata serioze brenda PS për Ramën. Ndasitë në pikëpamje, por edhe të tjera  problematika që lidhen me qeverisjen e re, e kanë veçuar dhe pozicionuar  Blushin si politikani me të cilin Rama nuk mund të luajë, nuk mund të sillet si bajraktar, me të cilin ai gjithmonë do të marrë shumicën e votave në Elbasan. Realisht, situata në grupin parlamentar në PS është në pragun e shpërthimit. Pakënaqësitë duket se kanë nisur nga Elbasani, dega e cila jo vetëm strukturat, por edhe deputetët i ka pro Blushit, duke paralajmëruar një rrezik serioz për Ramën në zgjedhjet  e afërta lokale. E tensionuar paraqitet situata edhe në degët e tjera, ku PS dhe deputetët e saj u kanë kthyer krahët militantëve dhe anëtarësisë. Pas Elbasanit,  ka qenë Vlora, Korça, Durrësi, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, madje edhe Tropoja, qytetet ku baza socialiste mbetet e zhgënjyer jo vetëm  nga  mënyra e qeverisjes, por edhe  e drejtimit të partisë, duke konstatuar shkelje flagrante të statusit dhe denigrimin e emrave me kontribute  të jashtëzakonshme  në vite, madje qysh nga themelimi  PS-së. Baza e PS në Elbasan prej 10 ditësh  kërkon ardhjen e Ramës, gjë të cilën ky i fundit e ka përjashtuar kategorikisht nga axhenda e tij e takimeve. Padyshim, kjo do të ketë kostot e veta, të cilat Rama do të duhet t’i paguajë në qytetin që e ka mbështetur masivisht në 23 qershor.