Skrapar, dhunohet stafi dhe Kryetari i Komunës së Bogovës

741
Sigal

KONFLIKT/ Flet kryekomunari, Fadil Kapllani: “Shkak, ndërtimi i një rrugë të re”. Policia arreston autorin e ngjarjes

Dhunohet për shkak të detyrës Kryetari i Komunës së Bogovës, Fadil Kapllani. Kryekomunari ishte duke zbatuar një vendim të Këshillit të Komunës për hapjen e një rruge që do të lidhë Bogovën me fshatin Selan. Konflikti ka filluar kur firmës që ka fituar tenderin i është bllokuar puna nga shtetasi Sokol Çuni, 35 vjeç, banor i fshatit Selan. Ishte ky shkaku që ka çuar z. Kapllanin në vendin, ku po kryheshin punimet e sapofilluara. Kreu i komunës i ka kërkuar punonjësve që të vazhdonin punimet pavarësisht ndërhyrjeve të jashtme, nga persona, të cilët nuk kishin kompetenca për të ndërhyrë në pezullimin e këtyre punimeve.

Reagimi 

Në një prononcim për “Telegraf”, z. Kapllani shprehet se rruga e re do t’u vijë në ndihmë banorëve të këtyre zonave që izolohen gjatë dimrit dhe e kanë të pamundur kontaktin me zonat më të afërta të banuara. “Unë kam kërkuar zbatimin e vendimit të këshillit, që citon vazhdimin e punimeve në rrugën Bogovë-Selan. Sapo përfundoja kërkesën më vjen aty pranë shtetasi Sokol Çuni, i cili filloj të debatonte me mua, ky debat u fry dhe u ashpërsua, saqë ky i fundit më goditi me mjete të forta, duke më shkaktuar plagë në trup. Por edhe stafi im është dhunuar nga ky person. Ne si komunë kemi për detyrë të zbatojmë vendimet e marra dhe jo t’i trembemi presioneve të personave të veçantë, pasi u prishen interesat e tyre. Unë, ju theksoj se, këtij shtetasi nuk i është dëmtuar asgjë, por thjesht e bënë për ego”,- tha z.Kapllani.

Ndërhyrja

Pamja fizike e kreut të Komunës së Bogovës, tregon qartë se ai është dhunuar me mjete të forta dhe pa mëshirë, por ka qenë ndërhyrja e disa personave aty pranë që ka larguar 35-vjeçarin, i cili nuk la pa dhunuar edhe stafin që shoqëronte Kryekomunarin, e vendit turistikë të Bogovës. Ngjarja është regjistruar paraditen e ditës së djeshme (ora 09:00). Kohë kur punonjësit e komunës po kërkonin zbatimin e vendimit të Këshillit të Komunës. Pas ngjarjes është njoftuar policia lokale, e cila pas mbërritjes në vendngjarje ka shoqëruar në komisariat 35-vjeçarin. Sipas z. Kapllanit, rruga do t’i vijë në ndihmë edhe biznesit të kësaj zone.