Skëndaj: Komiteti i Helsinkit, një institucion dinjitoz i Shoqërisë Civile

2900
Drejtorja e re e KSHH, në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” flet për sfidat që ka përballuar kjo organizatë e shoqërisë civile, qysh nga themelimi në vitet e para të demokracisë dhe deri në ditët tona.
– Ka shumë vite që Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) është një organizatë e njohur, që vepron në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Si u krijua organizata dhe cilat qenë hapat e parë të saj?
KSHH është e para organizatë joqeveritare e pavarur, që u krijua në 16 dhjetor 1990. Atë e themeluan një grup intelektualësh të shquar dhe me reputacion. Në atë kohë organizata u emërtua ‘Forumi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut’. Në 1992, organizata u pranua anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe me ketë rast u emërtua “Komiteti Shqiptar i Helsinkit”. E para deklaratë publike e KSHH-së është thirrja për lirimin e të gjithë të dënuarve dhe të internuarve politikë. Krijimi i kësaj organizate dhe nismat e ndërmarra prej saj, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ngjallën një interes dhe jehonë të veçantë, si brenda dhe jashtë vendit.
– A mund të na thoni diçka për organizimin e KSHH? 
KSHH-ja është një organizatë jofitimprurëse, e organizuar në formën e shoqatës me anëtarësi. Organi më i lartë drejtues i saj është Asambleja, e cila përbëhet nga personalitete të njohura të fushës juridike, si dhe fushave të tjera; si historisë, sociologjisë dhe kinematografisë. Në gjirin e Asamblesë është ngritur dhe funksionon Bordi i organizatës, të cilit i janë deleguar disa kompetenca të natyrës vendimmarrëse, lidhur me fushat e veprimtarisë, strukturën organizative, etj. KSHH ka statutin, dokument, i cili shpalos qëllimin dhe objektin e veprimtarisë së organizatës, kushtet për pranimin dhe largimin e anëtarëve, organet, mënyrën e formimit dhe kompetencat e tyre, mjetet financiare të organizatës, etj.
– Cilat janë veprimtaritë e organizatës dhe në cilat fusha janë përqendruar ato? 
Ndër vite, organizata e ka shtrirë veprimtarinë e saj në këto drejtime dhe fusha:
a) Vëzhgimin e gjendjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me fokus të veçantë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të drejtat e personave të privuar nga liria në burgje, paraburgime dhe komisariate, të drejtat e personave në kontakt me organet e pushtetit gjyqësor, të drejtat e personave që i përkasin kategorive të cenueshme të shoqërisë si Romët, Egjiptianët, LGBTI, Gratë, Fëmijët, të drejtat e personave që kalojnë pikat e kalim kufirit, etj; 
b) Kundërshtimin e çdo forme të diskriminimit të personit për shkak të bindjeve politike, besimit fetar, përkatësisë etnike, racës, gjuhës, orientimit seksual, identitetit gjinor, pozitës shoqërore dhe ekonomike, etj. 
c) Sensibilizimin e opinionit publik për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të ligjshme të shtetasve nëpërmjet reagimeve publike (deklaratave), raporteve vjetore dhe tematike mbi situatën e të drejtave të njeriut, etj;
d) Edukimin ligjor të shtetasve si me legjislacionin e brendshëm, edhe me atë ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut; 
e) Ofrimin e shërbimeve ligjore falas për kategoritë në nevojë që u cenohen të drejtat dhe liritë si dhe përfaqësimin në gjykatat vendase dhe ndërkombëtare të rasteve që hapin praktika të reja gjyqësore ose përbëjnë shkak për ndryshime pozitive në legjislacion;
f) Ofrimin e oponencës ligjore në procesin e hartimit të legjislacionit dhe akteve nënligjore, lidhur me çështjet e respektimit të standardeve të të drejtave dhe lirive të njeriut.
g) Përfaqësimin e çështjeve në Gjykatë Kushtetuese për shfuqizim të dispozitave ligjore ose nënligjore që vijnë në kundërshtim me standardet dhe parimet kushtetuese ose të çështjeve për cenim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor.
h) Kryerjen e studimeve për praktikat ligjore, institucionale dhe gjyqësore në fusha të ndryshme si për çështjet e ndëshkueshmërisë së veprave penale në fushën e korrupsionit, aplikimit të masës së sigurisë arrest në burg dhe alternativat e saj, ekzekutimit të vendimeve penale, ecurisë së vendimeve të prokurorisë për mos-fillim ose pushim të çështjeve penale, etj. 
Në kuadër të klinikës ligjore falas, KSHH trajton një numër të konsiderueshëm ankesash dhe kërkesash të shtetasve, të cilët na drejtohen për shkelje të ndryshme të të drejtave, si dhe kërkojnë ndihmë ligjore. Stafi i KSHH-së i vlerëson ato me vëmendje, ndërhyn kur është rasti për zgjidhjen e tyre pranë institucioneve shtetërore përgjegjëse, në përputhje me ligjin, i sqaron shtetasit se si duhet të veprojnë, si dhe në raste të veçanta i përfaqëson edhe në Gjykatë. Ankesat e trajtuara në kuadër të Klinikës Ligjore, përbëjnë burim të rëndësishëm informacioni për raportin vjetor të KSHH-së lidhur me situatën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.
– Si reagon KSHH ndaj monitorimeve ose verifikimeve që kryhen? 
Monitorimet që organizata kryen, kategorizohen në monitorime sporadike, tematike dhe të planifikuara. Monitorimet sporadike kryhen për të verifikuar ankesat e shtetasve ose shkelje të ndryshme të raportuara nga media ose aktorë të shoqërisë civile. Monitorimet tematike dhe të planifikuara kryhen sipas një tematike dhe fushe të caktuar që prek kategori të ndryshme të shtetasve. Monitorimet e KSHH nuk kufizohen vetëm në nxjerrjen e konstatimeve. Qëllimi kryesor është përmirësimi i gjendjes sidomos në drejtim të zbatimit të lirive dhe të drejtave të shtetasve, në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe dokumentet ndërkombëtare të ratifikuara nga Shteti Shqiptar. Është pjesë e metodologjisë së monitorimit që pas verifikimeve të kryera, të adresohen disa gjetje paraprake në takimet me stafin e institucioneve të monitoruara ose të cilat kanë kompetenca sa i takon situatës së konstatuar. Pas këtyre takimeve, KSHH mund të adresojë rekomandime me shkrim dhe në raste të shkeljeve flagrante të të drejtave të shtetasve, reagon publikisht në median e shkruar, elektronike në rrjete sociale duke informuar dhe sensibilizuar mbarë opinionin publik. 
– Ku konsiston kontributi që KSHH ka ofruar për përmirësimin e legjislacionit? 
Komiteti Shqiptar i Helsinkit është një organizatë shumë aktive dhe me një përvojë të konsoliduar në drejtim të ofrimit të oponencës ligjore në procesin e hartimit të legjislacionit. Përfaqësues të KSHH-së, kanë marrë pjesë në seanca dëgjimore që kanë organizuar komisionet parlamentare për konsultimin publik të disa projektligjeve dhe me kërkesë të këtyre komisioneve, ka dhënë edhe mendime me shkrim. Një pjesë e sugjerimeve ose vërejtjeve të KSHH-së janë marrë parasysh. Gjithashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit është përfaqësuar në grupe të ndryshme pune për hartimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, si nisma ligjore të ndërmarra nga ekzekutivi.
– Si e vlerësoni mbipopullimin në burgje dhe paraburgim, si dhe situatën e personave me masë mjekësore; “mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”? 
Mbipopullimi në burgje është një problem i ndjeshëm që ekziston prej vitesh dhe që shoqërohet me pasoja të dëmshme. KSHH e ka ngritur disa herë këtë çështje. Vlerësojmë se prokuroria dhe gjykatat duhet që në përputhje me ligjin, të jenë më të matur dhe më proporcionale në vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurimit arrest në burg, të zbatojnë më shumë alternativat e dënimit me burgim, të mos zvarrisin hetimet dhe gjykimet e çështjeve në mënyrë të pajustifikuar, etj. Gjithashtu, kemi vërejtur se rritja e mbipopullimit në burgje ka ardhur si rrjedhojë e ashpërsimit të politikës penale dhe kriminalizimit të disa formave të reja të veprave penale, ndërkohë që kapacitetet e institucioneve tona nuk i përgjigjen politikës penale që është ndjekur në këto vite. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar vazhdimisht për faktin e paligjshmërisë së mbajtjes në institucionet penitenciare shëndetësore, të personave me masë mjekësore “Mjekimit të detyruar në një institucion mjekësor”. Këta persona janë deklaruar të papërgjegjshëm penalisht nga gjykata për kryerjen e veprave penale. Ndërkohë në institucionet penitenciare shëndetësore duhet të vendosen personat e privuar nga liria me arrest në burg ose burgim, të cilët janë të sëmurë. Për zbatim rigoroz të ligjit, KSHH i është drejtuar vazhdimisht institucioneve të larta shtetërore si Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të saj të vartësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, etj. Pavarësisht ndërhyrjeve ndër vite, ky problem nuk ka gjetur zgjidhje. Mbajtja e të sëmurëve mendor në ambiente të papërshtatshme, bie ndesh jo vetëm me ligjin, por dëmton edhe shëndetin, si dhe shkakton trajtim çnjerëzor dhe degradues të tyre, gjë që është e dënueshme me ligj. 
– Për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, KSHH para disa ditëve ka bërë publike letrën prej 32 propozimesh, drejtuar Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. A mendoni se këto propozime do të shqyrtohen dhe vlerësohen? 
Shpresojmë se këto rekomandime do të merren në konsideratë, pasi ato janë bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR që janë në fokus të këtij Komisioni të posaçëm parlamentar si dhe në përvojën që organizata jonë ka në monitorimin e zgjedhjeve dhe përmirësimin e legjislacionit zgjedhor. Megjithatë, vlerësojmë se Komisioni i Posaçëm Parlamentar duhet të intensifikojë veprimtarinë e tij, me qëllim që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratohen dhe të zbatohen në kohë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare si dhe tu jepet kohë e nevojshme zgjedhësve për tu njohur me këto ndryshime. 
– Mbas reformës së re administrativo-territoriale, krijimit të 61 bashkive dhe ligjit të ri për organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes vendore, cili mund të ishte roli apo kontributi që mund të jepte KSHH? 
KSHH ka patur në fokus të vazhdueshëm të veprimtarisë së tij, raportet e pushtetit lokal me shtetasit, si u shërbehet këtyre të fundit, si dhe sa u jepet atyre llogari, si dëgjohen dhe si zgjidhen ankesat dhe kërkesat e shtetasve, në ç’masë apo në ç’shkallë është dhënia e llogarisë, të organeve të qeverisjes vendore ndaj shtetasve që i kanë zgjedhur dhe sa është kërkesa e llogarisë ndaj tyre. Duhet thënë se në të kaluarën, në këtë drejtim janë vërtetuar jo vetëm shkelje të ligjeve, por edhe një farë papërgjegjshmërie ndaj të zgjedhurve. Për KSHH, aktualisht, rëndësi të veçantë ka sensibilizimi i shtetasve për të drejtat e tyre, sipas ligjit dhe detyrimin e organeve lokale që t’u shërbejnë me përkushtim shtetasve në juridiksionin e tyre. 
– Stafi i KSHH është mjaft i kufizuar, si e përballon KSHH gjithë këtë veprimtari, që ju përmendët më sipër? 
Një rol të rëndësishëm ka rrjeti ynë i korrespondentëve, të cilët operojnë aktivisht në 7 prej qarqeve më të mëdha në vend, si Shkodra, Kukësi, Elbasani, Fieri, Vlora, Korça dhe Gjirokastra. Gjithashtu, pa angazhimin e aktivistëve të shumtë vullnetarë, KSHH nuk mund të kryente detyrat e tij. Aktivistët e KSHH herë pas here përfshihen në grupet e monitorimeve. Ata trajnohen, ngarkohen edhe me verifikimin e çështjeve të veçanta, përgatisin raporte dhe informacione, bëjnë propozime etj. KSHH-ja bashkëpunon gjithashtu edhe me ekspertë të fushave të ndryshme. 

Intervistoi: Klaudia Malaj 
Sigal