Skenari top-sekret i “Rilindjes” për punësimet e verës

466
Nga MAKSIM TUFA

Pothuajse në të gjithë rrethet janë duke u hapur tenderat e “Verës”, që do të punësojnë në shtator afro 7500 militantët e rilindjes, që do të jenë skalioni i parë i fushatës së vitit 2017. Ethet e kësaj fushate kanë nisur të shfaqen në pothuajse të gjitha rrethet e vendit, atje ku qeveris Rilindja, dhe kjo duket tek listat e “zeza dhe të bardha” të cilat po hartohen nga deputetët dhe drejtorët e akuzuar për afro 4 vjet për afera korruptive, për lidhje me trafiqet dhe krimin. Situata në disa rrethe kryesore mbetet kaotike, e frikshme dhe e paqartë politikisht pasi sipas burime për “Telegraf” “qendra ka udhëzuar qartazi për shkarkime, largime, dhe punësime të reja , duke nisur pergatitjet e ethshme të fushatës së afërt elektorale të 2017”. Janë afro 7500 militantë të Rilindjes, që do të mbushin listat e borderove pas shtatorit të këtij viti, disa prej të cilëve, duke zëvëndësuar edhe ata që janë marrë në vendet e punës duke paguar 3000 deri 4500 euro. 

Sipas burimeve nga disa drejtues institucionesh në rrethe mësohet se “janë pezulluar pothuajse të gjitha lejet e zakonshme dhe pushimet e shtrenjta për drejtuesit, zv/drejtuesit dhe stafet e ngushta, dhe do tu bashkangjiten degëve të Rilindjes, për të riorganizuar organizatat e partisë në lagje, fshatra dhe qytet e trazuara siç njihen ata të zhgënjyerit. Burime nga disa degë të PS në rrethe u shprehën se “prej disa ditësh ka nisur mbledhja dhe takimet me bizneset dhe regjistrimi dhe rifreskimi i listave me përkrahësit tanë, sepse ka mjaft rrjedhje kryesisht drejt LSI, apo edhe largime pasi nuk kanë gjetur vendin e punës, apo janë denigruar nga të emëruarit e pasuruar herët”. Por krahas angazhimeve të tjera politike, duket se Rilindja, nuk heq dorë nga punësimet me para edhe për militantët e saj, duke përkrahur si gjithmonë sekserët e terrenit. Vlera e një vendi pune nis nga 1000 dhe mbaron deri në 4500 euro. 

Një treg i ndyrë punësimesh që ka korruptuar gjithë sistemin institucional të këtij shteti. Kudo ka shtrirë kthetrat e saj epidemia e korrupsionit, kudo para për të gjetur një vend pune në shtet, duke nisur nga roja e portës, pastruesja, dhe deri tek mekaniku, hidrauliku, elektricisti, ekonomisti e inxhinieri, duke përshfaqur dukshëm dhe dhunshëm gjobat e punësimeve, pa patur frikën e ligjit, kur vjen momenti për të mbushur xhepat me para të pista. Deri në shtator, numri 7500 mund të pësojë rritje pasi sipas burimeve partiake mësohet se “vetëm lista me të zhgënjyerit është 5 herë më e madhe, dhe pothuajse në çdo rreth ka probleme të thella sociale me shtresën e tyre”. Elbasani, mbetet qyteti më problematik, ku zhgënjimi militantëve mbetet problemi më i prekshëm që do të kërkojë argumenta të forta bindëse në fushatën e afërt elektorale të 2017. 

Por nuk mbeten pas edhe Shkodra, Korça, Vlora, etj. Me një numër rekord të papunësh që arrin në mbi 40 mijë, me një shtresë të varfërish e cila nuk arrin të mbushë barkun me bukën thatë, por që u përdor në 2013 për të plotësuar listën e “ 1 milion shuplakave” , Rilindja do ta ketë shumë të vështirë në qytetin e ish-metalurgëve. Kjo pasi, kurrë ajo nuk do të mund të zgjidhë në mënyrë përfundimtare problemin e punësimit , integrimit , strehimit dhe mbajtjen e premtimeve të tjera, për ata mijëra (ish) mbështetësit e saj që dikur i mashtroi me thasë mielli. Një veçori tjetër negative mbetet fakti se, asnjë nga deputetët e Rilindjes, nuk ka kurajon dhe nuk guxon të përballet me numëratorët e “1 milion shuplakave”, pasi asnjë prej tyre nuk ka vajtur qoftë edhe njëherë të vetme në kasollet e tyre, ti pyesë dhe tu qajë hallin. Tenderi i “Verës” mbetet shpikja e rradhës e Rilindjes mbetet programi i punës (pa pushime) për të gjithë ata që përfituan poste, ofiqe dhe miliona nga kjo qeverise, duke u kujtuar atyre se, ka ardhur koha të shpërblejnë politikisht atë që morën ndoshta edhe padrejtësisht, 3 vjet e gjysëm më parë. 
Sigal