Skema që do të shkrijë 30 partitë e vogla

614
Sigal

Pas rezultateve të 23 Qershorit gati skema e shkrirjeve të disa partive në PD e PS. Ja nga do të anojë Fryma Demokratike

Pas rezultatit të 23 Qershorit një pjesë e madhe e partive politike do të ezaurohen duke u shkrirë brenda partive të mëdha. Kjo do të ndodh për dy arsye që kanë të bëjnë me numrin  madh dhe shtimin e përditshëm të partive, si edhe me rolin inekzistent të shumicës së tyre në politikën shqiptare. Në këtë kontekst, rezultati i numrit të votave, tregoi qartë se pjesa më e madhe e partive nuk e kaloi 0.5 për qind, të numrit të përgjithshëm të votave, gjë që tregon se këto parti janë të barazvlefshme me numrin e pasagjerëve të një furgoni. Pra, ato jo vetëm që nuk luajnë asnjë rol në zhvillimet politike, por nga ana tjetër marrin në çdo fushatë elektorale nga 500 mijë lekë për shpenzimet partiake. Pra, ato paguhen për të mos bërë asgjë, ose thjesht për të krijuar konfuzion të kotë, sepse nuk ngrenë peshë as në numrin total të votave të koalicioneve. Para disa ditësh, akademiku Alfred Uçi ka deklaruar për gazetën “Telegraf”, se një pjesë e madhe e partive duhet të shkrihen, meqenëse nuk kanë asnjë funksion në jetën shoqërore dhe politike të vendit tonë. Madje në këtë kontekst, kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka është shprehur se partitë e djathta duhet të shkrihen në PD. Ai pas zgjedhjeve tha se: “E djathta duhet të mendojë seriozisht mbi zgjerimin e bazës së vet, riformatim të Partisë Demokratike, shkrirje të disa partive në PD dhe ndërtimi i një strategjie të përbashkët me partitë e tjera të djathta. Partia Demokratike qeverisi vendin për 8 vite, 4 vitet e para ishin histori suksesi por 4 vitet e dyta ishin problematike. PDK ka rikonfirmuar rezultatin e vitit 2009 ndaj i dha koalicionit më shumë se sa i mori. Mbetemi një parti parlamentare me besimin për t’u rritur dhe forcuar më tej. Edhe për alternativën kristiane është një moment reflektimi për një analizë dhe mundësi bashkimi i të gjithë faktorëve dhe një riformatim i ri”, thotë Ndoka

Partitë që do shkrihen

Pas goditjes së rëndë që mori koalicioni i djathtë, krerët e Partisë Demokratike morën një mësim të mirë për dy gjëra: E para që kryetarët e partive aleate nuk duhet të konkurrojnë në lista e PD-së dhe e dyta, që partitë tradicionale duhet të shkrihen brenda kupolës blu. Kështu, partitë e para që do të njehsohen brenda Partisë Demokratike janë ato që drejtohen nga ish drejtues të lartë të PD-së, si Nard Ndoka, Dashamir Shehi, etj.. Këtu do të përfshihet edhe Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, si edhe disa parti të djathta të krijuara prej ish të përndjekurve politikë. Gjithashtu, një parti tjetër që do të shkrihet brenda kësaj kupole është partia fshatare, apo partia e të drejtave të mohuara. Nga ana tjetër demokristianët e Nard Ndokës ishin gati të përfshiheshin qysh para zgjedhjeve në strukturat blu, por marrëveshja me PD-në e shtyu këtë proces për periudhën paszgjedhore. Gjithashtu, ish- zv.kryeministri i Partisë Demokratike të periudhës së vitit 1997, Dashamir Shehi, tani në realitetin e ri, pa Berishën, do të rikthehet në strukturat e fillimeve të veta, duke pretenduar padyshim për ndonjë post drejtues, brenda këtyre strukturave. Një nga partitë që do të shkrihet me PD-në është edhe Partia Aleanca Demokratike e Cekës, si edhe Bashkimi Liberal i Arjan Starovës. Gjithashtu, do të vëzhgohet me kujdes lëvizja e Partisë së Frymës Demokratike, sidomos pas pretendimit të Biberajt për kreun e PD-së. Kjo tregon se pas rezultatit në 23 qershor, krerët e Frymës Demokratike e mbajnë vëmendjen e tyre nga PD-ja. Në këtë mënyrë, këto parti do të ndjekin rrugën e Genc Pollos, i cili iku nga partia si nënkryetar i saj, dhe u rikthye në poste të larta ministrore, por duke mos gjetur më vendin e vet të dikurshëm në selinë blu. Natyrisht, në realitetin e humbjes elektorale, disa parti të vogla që kishin premtuar shkrirjen me PD-në duket se do ët kalojnë nga PS-ja, sepse qëllimi i tyre është vetëm për të gjetur ndonjë vend pune për kryetarët e tyre, apo për familjarët e kryesisë. Ndërsa partitë që do të shkrihen në selinë rozë të PS-së janë PSV-‘91, e cila e deklaroi njëherë aktin e shkrirjes, por pastaj e mohoi për shkak të mospërfshirjes së emrit në listat e kandidaturave. Por këtu do të kemi zhvillime interesante sepse brenda PS-së qysh tani kanë kërkuar të shkrihen  edhe shumë parti të tjera, ku po diskutohet edhe Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, partia e Spartak Ngjelës, si edhe dhjetë parti të tjera më të vogla, të cilave as nuk u është dëgjuar emri ndonjëherë, por që ato kanë regjistruar emrin në KQZ. Për disa kohë u fol edhe për shkrirjen e dy partive kryesore të spektrit të majtë, siç është PS dhe LSI, por më tej rezultati i tyre elektoral tregoi se secila prej tyre ka një vend tradicional dhe të votuar prej elektoratit të majtë.