Skema e re elektorale e 2013-s

430
Sigal

Ndryshon skema e ndarjes së mandateve për zgjedhjet e ardhshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë llogaritë mbi bazën e ndarjeve demografike, duke caktuar ndarjen për 140 mandate deputetësh. Sipas skemës se re, Durrësit dhe Tiranës do t’i shtohet nga një mandat, duke ia hequr ato Korçës e Beratit. Kështu, në këto zgjedhje kryeqyteti nuk do të prodhojë më 32 deputete siç ka aktualisht, por 33 të tillë. Gjithashtu, shtohet pesha elektorale e Durrësit që do të zgjedhë 14 ligjvënës nga 13 që ka aktualisht, duke u barazuar kështu më qarkun e tretë në vend, Elbasanin. Korça humb 1 mandat dhe shkon në 11 të tillë e të njëjtin fat pëson edhe Berati që do të nxjerrë tashmë 7 përfaqësues nga 8 që ka nxjerrë në zgjedhjet e vitit 2009. Edhe pas kësaj ndarjeje Tirana mbetet qarku me numrin më të madh të deputetëve, ndërsa përfshin si rreth edhe Kavajën. Në vend të dytë mbetet sërish Fieri, ndërsa Durrësi dhe Elbasani barazohen në vendin e tretë me 14 ligjvënës.  Ndërsa Vlora kalon në vendin e gjashtë duke kaluar kështu Korçën. Më tej vijnë Lezha, Kukësi, Berati, Dibra dhe Gjirokastra.