Skanimi i administratës, analistët: Rama të pranojë që ka dështuar

708
Alma Çuka
“Reformimi i administratës nuk mund të kryhet sipas tekave të kryeministrit. Ai po luan ‘bllofin’ dhe po u lë dorë të lirë ministrave të zgjedhin njerëzit e besuar”
E kishte paralajmëruar edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit. Nëse do të merrte tepsinë i vetëm, atëherë do të pastronte administratën nga të gjithë të paaftët dhe ata të vendosur, sipas tij, në bazë të teserës që disponojnë. Nuk ka zgjatur shumë. Kryeministri Edi Rama ka filluar “me dorë të hekurt”. Ka kërcënuar këdo nga punonjësit e administratës publike. Madje ka shkuar edhe më tej. Ka urdhëruar të gjithë ministrat dhe drejtorët e drejtorive që të bëjnë verifikimin e të gjithë punonjësve. Për këtë ka vendosur edhe afat. Ai kërkon që brenda 10 ditëve të bëjnë një “skaner” të të gjithë punonjësve të administratës, të cilët nuk kanë diplomat përkatëse për funksionet që ushtrojnë. Këtë nismë Rama e ka njoftuar nga Vlora, ku ka deklaruar se do t’i shpallë “luftë” analfabetizmit në administratën shtetërore. Rama paralajmëroi operacionin “fshesa” për punonjësit e administratës, të cilët janë emëruar politikisht dhe që nuk janë eficientë në punë. “Kemi njerëz të mirëshkolluar, kemi njerëz të mirëtrajnuar e të mirëpërgatitur që rrinë pa punë dhe kemi analfabetë që merren në punë e që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Kemi njerëz që paguhen nga taksat e shqiptarëve komplet në vendin e gabuar, që nuk përputhin, as arsimin, as trajnimin, as eksperiencën me nevojën e vendit të punës që mbulon. Të tilla ka pa fund dhe justifikimet për këto, duke filluar nga justifikimi me parti, duhet të marrin fund”, u shpreh Rama. Vendimi i tij i pritshëm është kundërshtuar, jo vetëm nga opozita, por edhe nga analistë të shumtë. Askush nuk bie dakord me faktin se si po vepron kryeministri për të pastruar administratën me synimin për të reformuar atë. Sipas profesores së Shkencave Sociale Zamira Çavo, veprimi i kryeministrit i hap rrugën ministrave për të emëruar në administratë personat e besuar dhe të bindur. Më tej Çavo shprehet se Rama, nëse pranon analfabetizmin e administratës atëherë duhet të pranojë dështimin e tij në katër vite qeverisje. I të njëjtit mendim është edhe gazetari Basir Çollaku, i cili shprehet se Rama është duke bërë vetëm show mediatik gjithashtu po përpiqet të hakmerret ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, thotë se administrata nuk reformohet duke e pastruar atë përmes manovrave të ministrave, por me ligj. 
Rama ka urdhëruar ministrat të bëjnë skanim për të gjithë administratën dhe, në fund, të dilet me një listë të gjatë pastrimesh. Sie lexoni këtë urdhër? Mendoni se do të jetë proces i hapur dhe transparent?
Zamira Çavo, profesore e Shkencave Sociale
E kam thënë disa herë, nuk mund të ketë reformë në administratën publike pa vendosur disa standarde. Asnjë ministër nuk ka, as tagrin e as moralin të bëjë skanerin e punonjësve të administratës publike. Çfarë janë këta ministra? Qëndrojnë mbi ligjin? Si do bëhet vlerësimi? Kemi katër vite që dëgjojmë për administratën publike që po reformohet e sërish tani e ridëgjojmë, por bashkë me çudira që në “administratë qenkan emëruar të paaftë” Kujt i thuhen këto fjalë? Sepse besoj që çdo njeri që ka pak vëmendje ndaj politikës ka dëgjuar se në katër vite sipas Kryeministrit, DAP-i, pra Departamenti i Administratës Publike ka bërë emërime sipas meritës” Ja pra që sërish luhet ‘bllofi’ politik me një synim: Të futet terrori në administratë dhe në këtë mënyrë të ketë dorë të lirë çdo ministër të vendosë ata që i binden e nuk e kundërshtojnë në veprimet e tij. Jo, nuk është kjo rruga e reformimit të administratës publike. Kjo është thjesht një hap më shumë në demagogjinë e autoritarizmit qeverisës. Në të gjithë botën administrata publike është fytyra e shtetit. Nëse kryeministri thotë, se deri më sot në mandatin e tij të shkuar qeverisës shteti është fuqizuar, nuk ka si të pohojë se administrata qenka, tmerr. Ose duhet të pranojë që shteti është fuqizuar dhe Administrata ka qenë në nivele të kënaqshme, por jo të dëshirueshme, ose duhet të pranojë që ka dështuar. Nuk mund të jem dakord me shfaqje populiste të tipit: “Dhe disa këtu prej jush duhet të largohen vetë se kam parë disa që janë këngëtarë apo aktorë dhe janë në administratë”… Po kujt i ankohet kryeministri?! Dhe së dyti, me çfarë individësh po i zëvendëson? Heq një drejtor se qenka me profil jo korrekt për detyrën dhe e zëvendëson me një tjetër akoma më pak korrekt për postin! Jo, kjo nuk është aspak demokratike dhe nuk jep asnjë garanci që administrata e re do të jetë më e mirë nga kjo ekzistuesja. Sistemi, thoshte dikur z Rama i bën njerëzit dhe unë gjithnjë kam besuar te kjo tezë për aq kohë sa sistemet i bëjnë njerëzit.
Basir Çollaku, gazetar
Urdhri i Ramës është një tjetër përpjekje për show mediatik më tepër se një mundësi për të bërë ndryshimet e duhura. Nuk duhet të besojmë se administratën Ramës ia ka bërë një kryeministër tjetër. Sigurisht ka vend për ndryshime radikale në cilësinë e administratës, e cila është bërë lëmsh si produkt i këtij kryeministri. Përse? Sepse ajo është një administratë qokash elektorale dhe, nëse nuk harrojmë qokat më të mëdha, Rama ua ka botës së krimit. Opozita ka denoncuar prej kohësh mbi 400 persona në administratë që kanë probleme me drejtësinë. Ky skanim, së pari, t’u bëhet administratës së Partisë Socialiste atyre që i kanë zgjedhur me inventarë votash dhe jo profesionistë. Rama kërkon të skanojë Ramën?! Kjo është pak komike, sepse dhe zëvendësimin do ta bëjë me të ngjashmit e të hequrve. Sigurisht do ta shfrytëzojë këtë fushatë për të larë disi hesapet me aleatin e vjetër LSI. Çfarë mund t’i bësh administratës kur ke deputetë të inkriminuar dhe kryetarë bashkish banditë, këto do të duhet t’i skanojë Rama, ky është skanimi kryesor, mungesa e tij që ka prodhuar dhe shkërmoqjen e administratës. Sa kohë në Shqipëri dëshmia e aftësisë për punë është tesera e partisë, skanimet janë më së shumti, telenovela.
Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane
Edi Rama vepron sikur të ishte votuar dje për herë të parë. Ai aty ka qenë në katër vite në qeverisje dhe nuk ka bërë asgjë. Nuk e dimë se çfarë kërkon të bëjë. Për mua e gjitha kjo që është duke bërë Edi Rama, është thjeshtë demagogji dhe asgjë më shumë. Është një fushatë spastrimi. Ky është emri që do t’i vija pa asnjë mëdyshje. Administrata për mendimin tim nuk mund të pastrohet me urdhra, ashtu sikundër vepron Edi Rama, por me mbështetje të ligjit për nëpunësit. 
Sigal