Skandali/ “Vettingu”, 10 firma në çadrat e peticionit nga i njëjti person, nënshkruan dhe në emër të Fahri Balliut

511
Ditën e djeshme në emisionin e Ylli Rakipit “Të Paekspozuarit” me temë “Vetting, i Dashur Vetting!”, është analizuar firmosja e peticionit të vettingut në çadra. Të ftuar ishin përfaqësues të shoqërisë civile.

Tirana, sot mund të quhet kryeqyteti i çadrave. Siç e dinë të gjithë, opozita ka ngritur në mes të Bulevardit Qendror të Tiranës një çadër të stërmadhe. Pak ditë pasi mbiu kjo çadër e madhe, në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, mbinë disa çadra të tjera të vogla, me ngjyrë blu. Zyrtarisht, këto çadra, konsiderohen të Shoqërisë Civile. Njerëzit, që shërbejnë brenda tyre, ftojnë qytetarët për të firmosur Vetingun. Po kush e kërkon këtë Vetting? Kush i ka ngritur këto çadra në të gjithë vendin? Thuhet, që ky aksion është ndërmarrë nga më shumë se 50 shoqata, të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë. Shoqatat, janë të shqetësuara për fatin e Vettingut. Ato kanë thirrur popullin, që të firmosë për të mbështetur dhe mbrojtur Vettingun. Shoqatat e Vettingut, për ta kryer sa më mirë punën e tyre, kanë përgatitur edhe një material propagandistik. Shoqatat e Vettingut, kanë pushtuar edhe rrjetet sociale. Ja thirrja e “Gruas Intelektuale Pogradecare”. Duket si një lëvizje e kuruar mirë dhe e komanduar diku nga lart. Por cilat janë këto shoqata? Në fakt, në mes të listës së stërmadhe të shoqatave, spikatin: zyra e fondacionit Soros në Tiranë dhe “Lëvizja Mjaft”. Këto dy organizata, shumë të njohura për shqiptarët, janë të rrethuara me emra shoqatash të çuditshme, të panjohura deri më sot, si për shembull: “Gruaja Intelektuale Pogradecare”, “Shoqata e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave Has”, “Neë Bridge, Berat”, “Linja e Këshillimit për Burra e Djem”, etj. Në të vërtetë, nuk janë vetëm këto vajza dhe shoqatat të shqetësuara për Vettingun. Të gjithë shqiptarët jetojnë tani me Vettingun. Por, ministri Beqaj, që është i dashuruar me Vettingun, ka koncesionuar brenda tre vjetëve, mbi 400 milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve. Më interesanti, duket ministri Blendi Klosi. Ai kërkon zbatimin urgjent të Vettingut, për të shpëtuar fëmijët e rrugës. Apelit të Vettingut iu bashkua dhe ministri i Financave Arben Ahmetaj. Duket, që Vettingu po hyn thellë në çdo qelizë të jetës së këtij vendi. Edhe te forcat militare të Republikës së Shqipërisë ndihet atmosfera e Vettingut. Por më i shqetësuari nga të gjithë, është kryebashkiaku Erion Veliaj. Edhe pse në përurimin e një rruge të re, Veliaj vërtit nëpër gojë vetëm fjalën Vetting. Në çadrën e opozitës, vazhdon rituali me muzikë, fjalime dhe entuziazëm, sidomos kur flasin liderët. Ndërkohë, në çadrat e ngritura nga Partia Socialiste dhe Shoqëria Civile, punohet me turne. Shpesh herë, aty vijnë dhe personalitete të larta, si ministra dhe kryebashkiakë. Kemi çadra dhe antiçadra, miting dhe antimiting. I brengosur për këtë sistem drejtësie që kemi, kryebashkiaku Erion Veliaj që i ka mbirë në gojë vetëm fjala Vetting, ishte personaliteti i parë që shkoi te çadrat për të firmosur. Gazetari i emisionit “Të Paekspozuarit”, Endrit Habilaj, duke parë që peticionit i mungonin 985 mijë firma, vrapoi edhe ai për të hedhur firmat e veta. Themi firmat, dhe jo firmën, sepse Endriti, firmosi plot 10 herë. Ja, ndiqeni grafikun e firmosjes së gazetarit tonë. I zemëruar, gazetari ynë Endriti, shkoi për të firmosur për herë të dytë në të njëjtat çadra. Tek rifirmosja, në çadrën e katërt, gazetari ynë, ngaqë nuk po e identifikonin, shënoi emrin e gazetarit popullor shqiptar, Fahri Balliu. Meqenëse edhe në këtë rast, nuk u identifikua as Fahri Balliu, gazetari ynë u largua shumë i trishtuar. Mbrapa, brenda çadrave, mbetën 10 firmat e tij për Vettingun. Ndërkohë, kryeministri Rama, shumë më i përkushtuar sesa gazetari ynë, hapi edhe një faqe të posaçme për të mbështetur Vettingun. Por ka edhe më shumë se kaq. Kryeministri ynë, ka gjetur një shofer autobusi, i cili e ndalon mjetin në mes të rrugës dhe shkon te çadra, për të firmosur Vettingun. “Rroftë shoferi”, thotë Kryeministri, Edi Rama në facebook-un e vet. Edhe Lej Feni, po të ishte gjallë, do ta kishte zili kryeministrin tonë. Shqipëria dhe populli shqiptar, tani janë të pushtuar nga ethet e Vettingut. Kudo ku punohet dhe jetohet, lëviz si e gjallë fjala Vetting. Tani, kjo fjalë është bërë pjesë e pandarë edhe e folkut dhe e këngës popullore. Vettingut, tani i këndojnë deri edhe pleqtë. Ja si këndojnë dhe sa të gëzuar ndihen, disa të moshuar në qytetin e Fierit, pasi firmosin formularin e Vettingut. Por kënga për reformën, nuk është një gjë e re. Të njëjtat shoqata, që sot mbledhin firmat në mbështetje të Vettingut, gjashtë muaj më parë, në rrethimin që kishin krijuar tek Kuvendi, për të detyruar deputetët të votonin Reformën në Drejtësi, shoqatat kënduan dhe këtë këngë. Çadra e madhe e opozitës, mitingu i saj i përhershëm, dhjetëra çadra të tjera të pushtetit, në mbrojtje të Vettingut. Njerëz që vrapojnë pa e ditur se ku. Kjo është Shqipëria sot. Këto pamje të rralla në të gjithë botën, duke i ndjekur para dy ditësh edhe një gazetar huaj, na tha: “Ky vend duhet bërë nga e para…..”.
Sigal