Skandali në pikat doganore, “100 euro të kalosh traun e doganës greke”

585
Sigal

Gazeta Telegraf/

Sekseri gjirokastrit, kodoshi i doganës helene

Nga Maksim TUFA


Pavarsisht se ke dokumentacion të rregullt, pavarqsisht se ke edhe një fletë-garanci e firmosur nga policia e shtetit grek apo ftesë zyrtare nga personi që ka mbi 25 vjet në Athinë me dokumentacion të rregullt legal, sërish në doganën greke të Kakavijës nuk mund të kalosh si një qytetar i lirë. Një ngjarje e turpshme ka ndodhur tre ditë më parë në doganën e Kakavijës, kur nga gjithë autobuzi i linjës, me mbi 50 pasagjerë, burra dhe gra të moshave të ndryshme, nuk u lejuan të kalonin drejt Greqisë katër persona, dy të rinj nga Elbasani dhe dy gra nga Fieri. Shkaku ishte absurd, banal, aq sa nuk mund të tolerohej ky trajtim për afrikanët dhe jo shtetasit e një vendi fqinj. Fjala e parë e doganierit të inatosur grek, me një shqipe të çalë ishte “ju nuk kaloni, ikni mos ju shoh me sy”, dhe pas pak sekondash kur dy djemtë kërkuan arsyen ultimatumi ishte edhe më i keq “ikni se ju ju masakrova…” duke mos kursyer as fjalët banale. Kjo situatë u përsërit brënda një minute edhe me dy gratë nga Fieri, të cilave u thanë fjalë edhe më të ndyra. Duke mos dashur pasoja të tjera, dy djemtë nga Elbasani që shkonin për vizitë 2 javore tek njerëzit e tyre, nisën rrugën drejt doganës shqiptare, por tek shesh-pushimi dikush i ndaloi, ishte sekseri. “Hë mo pse ju kthyen, janë të inatosur këta prej disa ditësh, por po të doni ju ndihmoj unë, ju kaloj unë kundrejt 100 eurove”. Edhe në shesh-pushimin e doganës së Kakavijës doli sërish sekseri, doli ai që të ndihmon të kalosh pa probleme traun grek, doli ai që mbledh 100 euro për person edhe kur bashkëpatriotët e tij janë me dokumentacion të rregullt dhe jo klandestinë. Duke folur për “Telegraf” dy djemtë nga Elbasani K.B. dhe M.B. vëllezër u shprehën se “na trajtuan si lecka, ishin sa të paedukatë, aq edhe antinjerëzorë, ishin bërë si bisha dhe nuk e mësuam sepse u sollën aq keq, kurse sekseri ishte kodoshi i tyre, sepse pas 2-3 orësh, kur ne hipëm në benzin e sekserit dhe kaluam traun, asnjeri nga ata dy grekët e doganës nuk na hodhi sytë, shkurt atje funksiononte korrupsioni edhe nga ana tjetër e shtetit helen, turp që një shqiptar rrjep shqiptarët duke ndarë para me grekët”. Të njëjtin fat kishin edhe dy gratë nga Fieri, të zbritura nga autobuzi linjës Tiranë-Athinë, edhe ato kishin paguar nga 100 euro por të nesërmen. Kjo situatë skandaloze, e krijuar artificialisht dhe shpesh nga doganierët fodullë grekë, të cilët në pikun e sezonit veror dhe dimëror deklarojnë se “janë prishur kompjuterat” duke krijuar rradhë kilometrike me emigrantët tanë, kurse në ditët e zakonshme ata rrjepin shqiptarët, që pavarësisht se janë me pasaporta, dokumentacion të rregullt, me ftesa zyrtare, ata nuk i lejojnë ta shkelin tokën helene pa u marrë 100 euro. Djemtë nga Elbasani thanë se “ishte pamundësia jonë ta regjistronim me zë dhe figurë sekserin me “taksi”, pasi gjatë gjithë rrugës deri në Athinë ai na tregonte episode nga veprimtaria e tij dhe lidhja me doganierët grekë, duke na thënë se “e kam punë këtë, e kam mirë edhe me ata të doganës shqiptare, u jap diçka edhe atyre patjetër, sepse ndryshe nuk të toleron njeri, pastaj një djalin e xhaxhait tim e kam në Policinë e Kufirit, kështu që nuk na luan njeri, por ka disa ditë që janë xhindosur fare sepse po përmendet Çamëria ndaj”. Pra , politikën e shtetit grek, kanë mbetur ta bëjnë edhe doganierët grekë të Kakavijës, duke nxjerrë inate dhe duke shpërthyer në histeri banale ndaj shqiptarëve të pambrojtur. Shteti dhe qeverisja në Shqipëri, ka degjeneruar qysh kur futesh në dogana, ka degjeneruar kur ti kontakton me punonjësit e shtetit tënd, me uniformat e tij, të cilët tek shohin se si funksionon veprimtaria korruptive përmes sekserëve përtej xhamave të zyrave, heshtin dhe bëhen palë. Shteti ka degjeneruar dhe ka kapitulluar, edhe kur shikon se shtetasit e tij trajtohen si lecka nga një doganier grek, se si shtetasit e tij zbriten nga autobuzat e linjës dhe fyhen, shahen, dhe paralajmërohen në shqip se “do tju masakrojmë”. Ndaj është i trishtë realiteti brënda vendit, sepse po kaq i trishtë është ai edhe në pikat fundore të tij, që quhen rëndom dogana, nga ku ti nuk ke mbrojtje shtetin tënd, por sekserin që të rrjep edhe qindarkën e fundit në xhep.