Skandali me votat dhe masakra e numëruesve

499
Sigal

KQZ vendos të hapë të gjitha kutitë e Lezhës.

PS: Çmenduri, do mbani përgjegjësi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thellon hetimin për Qarkun e Lezhës, vendos të hapë të gjitha kutitë dhe rinumërimin e fletëve të votimit. Vendimi është marrë me 4 vota pro nga anëtarët e KQZ-së ndërsa ky vendim është kundërshtuar ashpër nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision të cilët e cilësuan vendimin “Çmenduri”.

Saliani: O të çmendur prisni të flasim ne

Gjonçaj: Ju ka thënë PD që të prishin procesin. Do mbani përgjegjësi penale një ditë ju dhe koleget tuaja. Nuk ka njeri që ju shpëton. Ju premtoj në emër të PS që do hetoni për çdo vendimmarrje”. Vendimi i KQZ-së erdhi pas kërkesës së anëtarit të Komisionit, Klement Zguri, për hapjen e kutive dhe për verifikim të materialeve zgjedhore të të gjithë qarkun. Kjo kërkesë e tij vjen pas numërimit të votave në 10 kuti dhe konstatimit për manipulim të rezultatit në to. Sipas Zgurit, sistemi i numërimit të votave e ka humbur besimin, ndaj dhe lypset transparenca e procesit në këtë qark.  “Kërkoj të hapim të gjitha kutitë e zonës zgjedhore Lezhë. Situata është kaq kompromentuese dhe e bën dramatike gjendjen në vendet e numërimit të votave, ku kemi një përfshirje të madhe të personave të administratës zgjedhore. Kërkesa ime synon të bëjë të mundur transparencën e kësaj situate”, u shpreh Zguri.

Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, Hysen Osmanaj, në mbështetje të kësaj kërkese, tha se hapja e 10 kutive në Lezhë dhe ndryshimi total i rezultatit në këto QV shtoi dyshimin se komisionerët kanë abuzuar në format më të këqija. “Kodi i ndryshuar zgjedhor i shtoi masat e dënimit në mënyrë të jashtëzakonshme për administratën që deformon ose pengon procesin. Hapja e kutive në Lezhë tregon se pavarësisht se janë shtuar masat përsëri administrata zgjedhore ka abuzuar me detyrën dhe e ka tjetërsuar rezultatin në Lezhë”, tha Osmanaj.  Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kundërshtuan duke kërkuar bazën ligjore të kësaj vendimmarrjeje. Ndërkaq, anëtarët e KQZ-së, sqaruan se nga hapja e 10 kutive të votimit u konstatua problematikë dhe tjetërsim i rezultatit. Nga kjo bazë insistuan ata duhet të kalohet tek hapja e të gjitha kutive të votimit të qarkut për të parë se çfarë ka ndodhur. “Të bëjë transparencën përfundimtare për këtë proces. Të bëjmë transparencë të plotë, sipas bazës ligjore. Zgjidhja më e drejtë dhe të zgjerojmë hetimin në funksion të marrjes së rezultati të drejtë dhe zgjidhjes përfundimtare” tha Shtjefni.

KQZ vendosi ngritjen e 8 grupeve të numërimit me nga 2 anëtare për rinumërimin e 248  kutive zgjedhore në Qarkun e Lezhës.

  Rezultati i parë në Qarkun e Lezhës

KQZ-ja ka marrë tanimë vendimin me katër vota për të hapur 248 kutitë e votimit të Qarkut të Lezhës dhe për të kryer rinumërimin e tyre. Rezultati fillestar i këtij Qarku e njohu koalicionin e majtë me 39242 vota ndërsa koalicionin e djathtë me 38903 vota, Aleanca Kuqezi me 279 dhe Fryma e re Demokratike me 935 vota.


Flet Albana Shtylla, juriste dhe ish-anëtare e KQZ-së: Është shkelur Kodi Zgjedhor, sepse mungojnë faktet

 KQZ-ja gaboi rëndë duke kërkuar hapje të kutive mbi hamendësime

  Si ju duket vendimi i KQZ-së për hapjen e kutive në Qarkun e Lezhës?

Kjo, jo vetëm që nuk është e drejtë, por është krejtësisht në kundërshtim me ligjin. Do të thosha se ky vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo vetëm që shkel hapur nenet përkatëse të Kodit Zgjedhor, por ai i kapërcen të gjitha limitet. Dhe kjo është e pafalshme për anëtarët e këtij Komisioni.

Ju mendoni se ky vendim është një urdhër i katapultuar nga politika?

Kjo është rrjedhojë e asaj që po them unë. Por përcaktime politike mos prisni prej meje, sepse unë jam specialiste për procedurat. Ndërsa përfundimet politike mund t’ua thonë kolegët tanë. Pra, ky vendim i Komisionit Qendror nuk është aspak i bazuar dhe shkel disa nga nenet e Kodit Zgjedhor, ku duhet të përmendim nenin 138, dhe disa nene të tjerë.

 Përse thoni se është në kundërshtim me ligjin?

Sepse ligji e thotë qartazi që kutitë hapen kur ka fakte dhe prova bindëse dhe nuk mund të hapen sa herë që i duhet ndonjërës prej partive pjesëmarrëse.

 Ku ekziston gabimi i KQZ-së në këtë rast?

Ka shumë gabime, por mjafton të them se vendimi për hapjen e kutive nuk bazohet në fakte, apo argumente bindëse. Përveç kësaj, brenda një dite Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori dy vendime të njëjta për hapje të kutive në rrugë të ndryshme. Sepse është kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe rinumërimi në Shkodër, por kjo është bërë mbi hamendësime dhe jo mbi fakte, apo mbi argumente.

 Kush mund të ishte sipas jush argument bindës për hapjen e kutive?

Argumente bindëse janë ato që parashikon Kodi Zgjedhor. Dhe kutitë nuk mund të hapen mbi dyshime, sepse kjo përbën shkelje.

 A mendoni ju se hapja e kutive në disa qarqe mund të rrezikojë fitoren e PS-së në ato qarqe?

Këto që thoni nuk ndihmojnë në argumentin për të cilin po flasim, sepse çështja po diskutohet për zbatimin e procedurave dhe jo për rezultatet e partive. Dhe në këtë mënyrë se si po e trajton KQZ-ja çështjen, ajo ka hyrë në rrugë të gabuar dhe detyrimisht, ka shkelur kompetencat dhe nenet e Kodit Zgjedhor. Do të ndryshonte puna, sikur në lidhje me kërkesën për hapjen e kutive palët kërkuese të argumentonin parregullsitë ose shkeljet e bëra. Kurse tani ky vendim është bazuar mbi fantazitë partiake dhe Komisioni Qendror nuk duhet të bjerë në këtë kurth.

Flet Kristaq Kumi, ish-Kryetar i KQZ-së: KQZ ka marrë vendimin e duhur për Lezhën dhe Shkodrën

 Kriza akute e votimeve ka të bëjë me administrimin dhe numëruesit e votave

 Zoti Kristaq, si u duk vendimi i fundit i KQZ-së?

Unë i kam ndjekur me kujdes zhvillimet e fundit në debatet e Komisionit Qendror dhe vendimet e fundit për hapjen e kutive në të gjithë Qarkun e Lezhës si edhe në Shkodër, është shumë i drejtë dhe i mbështetur ligjërisht. Sepse në rastet e pranimit të kërkesë së palës që bën ankimimin, Komisioni Qendror ka të drejtë, por edhe detyrë të marrë vendimin për të kqyrur dhe rinumëruar kutitë.

A nuk e pengon KQZ-në neni 138 për të rinumëruar votat?

Jo, sepse këtu nuk jemi në momentin kur brenda saj kërkesa bëhet nga dy anëtarë. Për rastin e Shkodrës, kërkesa e animimit është bërë nga Partia Republikane dhe mendoj se është shumë e drejtë të verifikohet dhe rinumërohet vota. Kjo, jo vetëm në kuadrin e transparencës së nevojshme, por në radhë të parë për të verifikuar problemin e kërkesës  së bërë. Me këtë rast, unë e mbështes plotësisht, vendimin e KQZ-s.

 Si e gjykoni ju faktin që KQZ-ja merr vendime pa praninë e pesë anëtarëve të saj?

Pyetjes nëse ka të drejtë KQZ-ja të marrë vendime me katër anëtarë, nuk dua t’i përgjigjem, por duke qenë se trajtimi i ankimimeve duhet bërë me 5 anëtarë, lind pyetja, që çfarë duhet bërë kur ata nuk janë aty. Sepse çështjet dhe problemet kërkojnë zgjidhje operative. Prandaj them se e mbështes vendimin e Komisionit Qendror.

 Çfarë menduat ju pas hapjes së kutive në disa qendra votimi të Lezhës?

Unë nxora si konkluzion, se këtu është një nevojë emergjente për administrimin e votës dhe për numërimin e saj. Sepse shembulli i Lezhës tregoi se ne nuk kemi siguruar zgjidhjen e duhur për administrimin e votës. Kjo mund të thuhet, sepse grupet e numërimit, atje kishin bërë masakër, e cila kishte ndikuar deri në përmbysjen e rezultatit.

Nenet e Kodit për rastet e hapjes së kutive

 Neni 136

(ndryshuar me ligjin nr. 74/2012)

 Paraqitja e pretendimeve dhe kërkimi i provave

 2. Pas paraqitjes së pretendimeve të palëve, KQZ-ja, me kërkesë të secilës prej tyre ose kryesisht, mund të vendosë marrjen e provave të tjera kur çmon se marrja e tyre është në dobi të gjykimit.

 4. KQZ-ja mund të refuzojë kërkesën e ankuesit apo të palës së interesuar për marrjen e provave, sipas shkronjës “c” të pikës 1 dhe pikës 2 të këtij neni, vetëm nëse vlerëson se prova nuk shërben për të vërtetuar faktet e pretenduara.

 Neni 138

(ndryshuar me ligjin nr. 74/2012)

 Këqyrja e materialit zgjedhor

       3. KQZ-ja, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj. Vota të caktuara janë votat e identifikuara ose të kontestuara, sipas procedurave të neneve 116 dhe 118 të këtij Kodi, për të cilat është kontestuar vlerësimi ose numri i tyre gjatë procesit të numërimit, si dhe votat e tabelës së rezultatit të kundërshtuar, sipas pikës 2 të nenit 119 të këtij Kodi. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara.

        4. Kur objekt i ankimit janë kutitë e votimit, të konstatuara si “KUTI TË PARREGULLTA” nga KZAZ-ja, sipas nenit 115 të këtij Kodi, KQZ-ja është e detyruar të kryejë hetim administrativ gjatë shqyrtimit të ankesës për atë zonë zgjedhore, sipas nenit 124 të këtij Kodi. Hetimi nuk kufizohet vetëm në këqyrjen nga jashtë të kutisë, duke vlerësuar në tërësi faktet dhe rrethanat që kanë çuar në konstatimin e kutisë si “KUTI E PARREGULLT”, por edhe nëse këto parregullsi kanë ndikuar në materialin zgjedhor. Nëse KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të subjektit zgjedhor, shprehet me vendim se janë kuti të rregullta, KQZ-ja kryen numërimin fillestar të votave në këto kuti. Votimi në qendrat e votimit, kutia/kutitë e të cilave janë konstatuar si “KUTITË PARREGULLTA”, sipas nenit 115 të këtij Kodi dhe për të cilat nuk është bërë ankim, sipas nenit 124, konsiderohet i pavlefshëm.