Skandali me bregdetin, një zyrtar i lartë pronar i 150 hektarëve në Gjirin e Lalëzit

639
Sigal

DURRËS/Sipërfaqja marramendëse 150 hektarë, përfshi dhe pyll e toka, i është njohur zyrtarisht shtetarit të lartë të djathtë nga AKKP

 Mjerisht, pjesa më e madhe e bregdetit të Durrësit dhe shtrirja përgjatë gjithë zonës, nga Golemi deri tek Gjiri i Lalëzit, po konsiderohen ndryshe sot si “territore të betonizuara”. Pavarësisht vështrimit të investitorëve drejt Gjirit të Lalëzit, atje duket se, gjithçka  është programuar ndryshe. Realisht atje vetëm një pjesë e bregdetit të  asaj zone është ruajtur mirë dhe ende dora e njeriut nuk ka shkaktuar dëme si në pjesën tjetër . Me te drejtë vija bregdetare e Lalëzit konsiderohet edhe si pjesa më tërheqëse për zhvillimin e industrisë së turizmit që i ka mbetur bregdetit të Durrësit. Atje mund të realizohen investime për të ndërtuar fshatra turistikë apo komplekse vilash e hotelesh të standardeve të larta në bazë të një projekti i cili do të vendoste raporte të drejta në mes të sipërfaqeve të gjelbra dhe ndërtimeve. Por ka kohë që Gjiri i Lalëzit është vënë në shënjestrën e personave të pushtetshëm të cilët duan ta gllabërojnë atë. Duket sikur çdo gjë ka dale jashtë kontrollit, madje edhe  “dora e shtetit” për ta ruajtur  këtë pasuri natyrore, e cila ka qenë dhe mbetet perla e bregdetit shqiptar.

GJIRI I LALËSIT

Gjiri i Lalëzit bën pjesë në komunën e Ishmit që gjendet në pjesën veriore të Durrësit. Ishmi ka një reliev kodrinor të butë rrëzë të cilit shtrihen plazhe shumë të bukur më rërë dhe pisha. Lartësia e kodrave nuk i kalon të 250 metrat. Ato janë thuajse gjatë gjithë vitit të gjelbëruara për shkak të shkurreve dhe pemëve të cilat e përballuan periudhën e tranzicionit më mjaft dëme nga që dora e njeriut kreu mbi to një masakër ekologjike duke prerë mijëra drurë dekorativë. Ishmi ka edhe një trashëgimi të pasur historike e cila kulmon në periudhën mesjetare. Gjurmët e këtij zhvillimi pasqyrohen më së miri në objektet historike si Bazilika e Gjuricës, Kalaja e Skënderbeut, Kisha e Shën Ndout, Kalaja e Ishmit si dhe objekte të tjera rreth fshatrave të cilat përbëjnë komunën bregdetare. Sipas një studimi të realizuar nga ana e Këshillit të Qarkut të Durrësit në vitin 2012, Gjiri i Lalëzit ka një gjatësi prej 8,2 km dhe zë një sipërfaqe prej 660 hektarësh. Ajo zonë ka një strukturë  ranore, e cila shtrihet 200 metra nga vija e detit. Pas rërës gjendet një brez me drurë halorë, të cilat arrijnë deri 20 metra lartësi.  Pas pishave shtrihen arat e fshatrave të cilat gjenden përgjatë vijës bregdetare. Nga studimi i kryer rezulton se rëra zë një sipërfaqe prej 125 ha, pylli 345 ha dhe toka arë 190 ha. Pylli dhe rëra janë të ruajtura mjaft mirë dhe nuk janë dëmtuar gjatë viteve të tranzicionit. Në këtë zonë ka edhe një larmi bimësie, shkurresh si dhe shpendësh të llojeve të ndryshme. Në pjesën veriore Gjiri i Lalëzit kufizohet me Rodonin ndërsa në jug me fshatin bregdetar të Hamallajt. Para 1 viti Gjiri  i Lalëzit është lidhur  me rrugë të re automobilistike. Ishte një projekt me vlerë 10 milionë dollarë  që  lidhi Maminasin në pjesën e autostradës me plazhin e Lalëzit. Rruga është shtruar deri në bregdet sikurse e kishte parashikuar edhe kontrata e ndërtuesit me qeverinë. Rruga i ka dhënë shpresë banorëve të kësaj zone për  prodhimet bujqësore që do të afrohen me tregjet, por ajo që është më e rëndësishmja tokat arë të tyre do të transformohen në troje për zhvillimin  turizmit dhe natyrisht që do ti rritet vlera në treg.

PUSHTETARËT MËSYJNË GJIRIN E LALËZIT

Gjatë viteve të fundit e sidomos tani që u ndërtua  edhe rruga Maminas-Gjiri i Lalëzit është rritur edhe lakmia për të investuar në këtë pjesë të bregdetit. Por duket se lakmitarët më të mëdhenj janë bërë zyrtarët e lartë, njerëzit e politikës. Deri tani në Gjirin e Lalëzit kanë marrë sipërfaqe toke në zonën e pyllit, disa subjekte private me synim ndërtimin e fshatrave dhe komplekseve turistike. Por nga ato subjektet vetëm njëri prej tyre ka ndërtuar disa fragmente të fshatit turistik ndërsa  të tjerët as që kanë nisur së ndërtuari ose janë në procesin e zbardhjes së lejes së ndërtimit nga KRRTRSH. Por ajo që bie në sy është fakti  sipas burimeve zyrtare nga AKKP, sipas të cilës “ky institucion shtetëror i njohu një zyrtari  të  lartë   në administratën shtetërore një sipërfaqe marramendëse prej 150 hektarësh e cila shtrihet në pjesën e pyllit dhe në tokat arë”.  Nëse Gjiri  i Lalëzit nuk do të ruhet sipas ligjit, gjë që do të thotë se rëra dhe pishat  të mbeten pronë e shtetit, atëherë edhe  pjesa e mbetur e bregut të detit do të betonizohet njëlloj si plazhi i Durrësit dhe ai i Golemit. Në ligj përcaktohet qartë se distanca 200 metra nga bregu i detit konsiderohen rërë dhe atje nuk mund të ndërtohet, ndërsa pjesën e gjelbër e menaxhon shteti nëpërmjet ministrive dhe Këshillit të Qarkut. Nga ana e tyre, banorët e zonës të cilët kanë marrë toka arë i kanë bllokuar shitjet e tyre pasi kanë nuhatur se vlera e tokës është në rritje për shkak të ndërtimit të infrastrukturës rrugore si dhe etjes së biznesmenëve për të investuar në këtë zonë.

‘Dashuria’ e pushtetarëve Për perlën “Gjiri i Lalëzit”

 TIRANË- Prej vitesh, shtetarët e Majtë dhe të Djathtë, nuk e fshehin më ‘dashurinë’ që kanë për perlën e bregdetit të Shqipërisë, Gjirin e Lalësit. Kjo për faktin, se ata vetë, familjarë apo të afërm të tyre, kanë ngritur vilat e janë bërë banorë të këtij fshati të bukur turistik. Në media, jo një herë, janë bërë publik emrat e qeveritarëve të djathtë e të majtë, që ndonëse me rroga normale, të ardhur nga province apo dhe të tjerë nga bankat e shkollës, pa asnjë lidhje trashëgimie prone në këtë zonë, janë bërë pronarë në Gjirin e Lalëzit. Jo pak prej tyre, tashmë nuk e fshehin dhe faktin e parave të dyshimta që u bënë pronarë vilash këtu. Në këtë pikë, bashkohen dy krahët e politikës, të majtë e të djathtë! Kjo ‘dashuri’ e tyre për Gjirin e Lalëzit, është dashuri interesi, dashuri për paranë… Është një fakt për abuzimin me pushtetin, për përvetësime në “dritë të diellit”, ndonëse përpiqen e këmbëngulin se vilat i kanë ndërtuar me rrogat, me kredi e me paratë që u kanë dhënë familjarë e të afërm. Problemi I zaptimit të Gjirit të Lalëzit nga shtetarët, nuk është vështirë të vërtetohet, nëse drejtësia do të zbatoj ligjin, të bëj detyrën. Por aktualisht, ajo është “zënë për fyti”.