Skandali/Ish-ministri Ilir Beqja, vazhdon të jetë anëtar në 20 borde në shëndetësi

31
Ligji e përcakton: Drejtuesit shtetërorë, futen në jo më shumë se 2 borde brenda sektorit dhe largohen kur ikin nga detyra
Përparim HALILI
Është një fakt skandaloz që provon plotësisht, se Ilir Beqja është larguar nga “tepsia” e tenderëve, koncesioneve, licencave, fondit shtetëror të trajtimeve mjekësore jashtë shtetit, kontrollit të poliklinikave, urgjencave, monopolit të importit, çmimit të ilaçeve e të gjithçkaje tjetër në sektorin e shëndetësisë, që komandohej vetëm prej tij, por nuk paska dalë akoma nga një “tepsi” tjetër, ku ish-ministri vazhdon të “gëlltisë” fonde publike, paçka se si deputet është plotësisht në kundërshtim me ligjin. Prej afro 6 muajsh, Ilir Beqja nuk është më ministër i Shëndetësisë, por ai nuk ka dalë ende nga ky sektor, duke qëndruar brenda bordeve të shumtë shtetërorë e privatë, madje edhe në institucione e shërbime publike jashtë vartësisë së kësaj ministrie, të cilët kanë lidhje me trajtesa shëndetësore. Caktuar në këto borde, pas emërimit si ministër për shkak të ligjit dhe prej servilizmit të drejtuesve të institucioneve e shërbimeve mjekësore të emëruar prej tij, pas largimit nga detyra duhej të ishte larguar edhe nga këto borde vullnetarisht ose me vendim bordesh. Ligji e përcakton qartë: Drejtuesit e lartë shtetërorë, që bëhen pjesë e bordeve për shkak të pozicionit zyrtar brenda linjës, shkarkohen nga këto borde, kur nuk janë më në detyrën përkatëse dhe nuk duhet të jenë anëtarë, në më shumë se 2 borde! Sipas këtij ligji, Ilir Beqja duhej të ishte larguar nga drejtimi dhe anëtarësia në borde, qysh ditën e parë pas largimit nga detyra si ministër! Mirëpo nuk është larguar, duke vazhduar të jetë pjesë e bordeve, kur sipas ligjit ka edhe pagesa mujore ligjore. Aktualisht, ish-ministri Ilir Beqja është anëtar në 20 borde institucionesh e shërbimesh shëndetësore shtetërore dhe në 4 borde spitalesh private, i caktuar që nga koha kur ishte ministër, natyrisht për ta “lidhur” e përdorur, mbasi kishte në dorë edhe aktivitetin privat mjekësor në Shqipëri! Në total me gjithë anëtarësinë në spitalet private, ai është anëtar në 24 borde, paçka se nuk është më ministër! Afro 2 vite më parë, gazeta “Telegraf” ka kryer dhe publikuar një investigim të detajuar e të plotë lidhur me bordet, prej të cilit rezultonte se ish-ministri Beqja ishte anëtar, madje edhe zv/kryetar e kryetar në shumë borde në sektorin e shëndetësisë e jashtë tij. Ai vazhdon të jetë në këto borde edhe sot, 6 muaj pas shkarkimit nga detyra prej presionit të agjencive ndërkombëtare të luftës kundër krimit ekonomik-financiar dhe me këmbënguljen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për shkak të super-korrupsionit që bëri me fondet e mjekësisë dhe për shkatërrimin total, që i bëri këtij shërbimi, paçka se kryeministri e justifikoi shkarkimin i tij, me gjoja “sulmet e opozitës”!
Ja bordet, ku vazhdon të jetë anëtar dhe që figuron i pandryshuar në faqet elektronike të institucioneve
1. Bordi drejtues i QSUT-Tiranë
2. Bordi i Spitalit të Traumës
3. Bordi i KEMP-it Epror
4. Bordi Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore
5. Bordi Shtetëror i Planifikimit Spitalor
6. Bordi i Qendrës Kombëtare të Urgjencave
7. Bordi Shtetëror i Transfuzionit të Gjakut
8. Bordi i Komisionit të Çmimit të Barnave
9. Bord i Urdhrit Social Shtetëror
10. Bordi Këshillimor i Urdhrit të Mjekëve
11. Bordi i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve
12. Bordi i Qendrës Universitare Spitalore
13. Bordi i OBSH në Shqipëri
14. Bordi i Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë
15. Bordi i ISKSH
16. Bordi i Drejtorisë së Përgjithshme të Poliklinikave
17. Bordi i ISSH
18. Bordi i FSDKSH
19. Bordi i Agjencisë për Mbrojtjen nga Rrezatimet
20. Bordi i Agjencisë Kombëtare të Konsumatorit