Skandali i ri i Rilindjes/ Bllokon fondet e bashkive, për t’u dhënë shtesë 650 milionë lekë partive kukulla, që t’i joshë për 30 qershor

186

Skandali: Qeveria u jep bakshish edhe 650 milionë lekë partive që do marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit

 

Në zgjedhjet e 30 qershorit opozita nuk do të marrë pjesë, dhe nga ky fakt, PS-ja, si partia e vetme parlamentare do të përfitojë 85 % të të gjitha fondeve që shteti do të japë për partitë dhe subjektet elektorale, që do të marrin pjesë në këto zgjedhje. Partia Socialiste në shumicën e bashkive do të garojë e vetme, pasi përballë nuk ka asnjë kandidat të partive dhe subjekteve të tjera, që kjo, e përkthyer në gjuhën financiare, do të përfitojë për ato bashki të gjitha fondet që shteti akordon për fushatën zgjedhore. Mirëpo, sikur të mos mjaftonte kjo, qeveria, dje, me VKM vendos që të shpërblejë partitë politike që marrin pjesë në këto zgjedhje me një bakshish të majmë prej 650 milionë lekë, pa shpjeguar në VKM asnjë arsye, shkak përse 5 ditë pasi ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, të shpenzojë 650 milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë për fushatë elektorale. Është e kuptueshme, që pjesën e “Luanit” në këtë bakshish elektoral, do ta përfitojë vetë PS-ja. Pra qeveria do të japë lekët e buxhetit të shtetit partisë së vet. Sikurse thuhet në VKM, ky bakshish elektoral i 650 milionë lekë mbështetet mbi  vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr.59/2019, “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të vitit 2019” dhe Efekti financiar i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019. Është ironi e fatit, që qeveria deri tani nuk ka akorduar asnjë shifër financiar se sa do të jetë mbështetja e shtetit ndaj banorëve në Korçë, të cilët kanë mbetur pa shtëpi, pas tërmetit, ndërkohë që qeveria shpërdoron edhe 650 milionë lekë nga nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019 për fushatë elektorale. Fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit duhet të jetë për raste të mëdha fatkeqësie kombëtare, sikurse tërmetet, përmbytjet, etj e jo për bakshishe elektorale, sikundër vepron qeveria me 650 milionë lekë, që do “qeras” PS e disa parti kukulla, që plotësojnë fasadën e farsës elektorale të 30 qershorit 2019.