Skandali i Projektligjit: Gremisin Teatrin Kombëtar për të ndërtuar kulla

679
Sigal

Jakup B. GJOÇA

PD: Veprim korruptiv janë përfshirë; Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj

I gjithë komuniteti i artistëve dhe dashamirësve të artit, qytetarë, por edhe partitë e tjera politike deri tani janë shprehur kundër projekteve të qeverisë për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për të ngritur në vend të tij, në qendër të kryeqytetit kulla, duke ia dhuruar sipërfaqen publike interesave private. Përballë protestave të fuqishme, ministrja e Kulturës Kumbaro shumë herë ka përgënjeshtruar projektet, po kështu edhe kryebashkiaku i Tiranës.

Projektligji i qeverisë, dhuratë privatit që bie ndesh me Kushtetutën

Ministria e Kulturës ka publikuar për konsultim projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar për përcaktimin e një procedure të veçantë negociimi me Kompaninë Fusha Sh.p. k, të cilës do t’i jepet falas e gjithë qendra historike e Tiranës, për të shembur teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar kulla biznesi. Ndërkohë që ekziston një ligj i posaçëm, që rregullon këtë proces për realizimin e një projekti sipas procedurës së partneritetit Publik – Privat (ligji nr. 125/2013), kryeministri Rama ka hartuar një ligj tjetër të posaçëm, që rregullon vetëm një rast individual, një projekt konkret, duke synuar shmangien e rregullave të paracaktuara dhe që kanë si synim mbrojtjen e interesit publik. Projektligji bie ndesh me Kushtetutën, ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, si dhe ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

As tender, as privatizim dhe as koncesion

Me këtë projektligj, privati, që do të ndërtojë kullën në qendër të Tiranës favorizohet, sepse do të marrë pa garë një sipërfaqe të papërcaktuar toke që sot është pronë publike “në shkëmbim të përfitimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar”, duke mos kryer asnjë analizë ekonomike për koston dhe përfitimin e publikut. Prona publike në Shqipëri i nënshtrohet procedurave ekzistuese ligjore në rastet e privatizimit, apo “partneritetit publik privat”, procedura që imponojnë së paku nevojën e një gare mes subjekteve të ndryshme të interesuara. Por jo në rastin e Teatrit Kombëtar. Qeveria ka vendosur të anashkalojë ligjet ekzistuese të vendit për të propozuar një projektligj të jashtëzakonshëm, një praktikë që ngre pikëpyetje shtesë për klientelizëm dhe parapërcaktim të fituesit jashtë procesit normal ligjor. Shqetësime ka gjithashtu për shkatërrimin e ndërtesave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, të cilat janë ndërtuar në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe që shumë ekspertë mendojnë se duhet të ruhen si trashëgimi historike e vendit.

Reagimi i PD-së: Ja kush janë tre politikanët që fshihen pas këtij koncesioni

Në cilësinë e e Kryetares së Komisionit Parlamentar të Kulturës, deputetja Albana Vokshi denoncoi një veprim korruptiv siç e quajti me të cilin tha se janë përfshirë tre figura politike: Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Vokshi deklaron: Rama ka hartuar këtë ligj të posaçëm vetëm për të shmangur përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në këtë aferë korruptive, dhe për të ligjëruar shkeljet flagrante të ligjit që janë kryer, po kryhen, apo do të kryhen në realizimin e këtij projekti. Me anë të këtij Pr-ligji, Rama pranon automatikisht, projektin e prezantuar nga subjekti privat “Fusha” sh.p.k., pa iu nënshtruar asnjë procesi konkurrimi, apo gare të hapur ,pa asnjë procedurë konsultimi me grupet e interesit, apo me qytetarët, edhe pse ai përfshin tjetërsimin e pasurive publike dhe prishjen e Teatrit Kombëtar, që është monument kulture dhe paraqet vlera të veçanta, që mbrohen nga legjislacioni në fuqi. Ky Pr-ligj nuk lejon garë, dhe Eliminimi i garës, provon që qëllimi nuk është ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, por vënia në jetë e një projekti të errët, klientelist privat, duke dëmtuar rëndë në këtë mënyrë interesin publik, që sigurohet vetëm nëpërmjet një procedure konkurrime të hapur. Ky Pr-ligj tjetërson pronat publike pa transparencë dhe pa një proces konkurrimi.

Artistët premtojnë se do të mbrojnë Teatrin, Ndrenika i bën thirrje Prokurorisë. Mirush Kabashi rrëqeth me një poezi

Artistët mbrëmë janë mbledhur sërish për të protestuar kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, pas zbulimit të një projekt ligji, që i hapte rrugën shembjes se godinës. Në protestë kanë marrë pjesë edhe aktorët e mëdhenj Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi. Ndrenika në fjalën e tij tha, se nuk merret vesh se çfarë po bëhet, duke i kërkuar Prokurorisë që të hetojë. “Nuk marr vesh se çfarë po ndodh. Kemi qenë tek presidenti dhe na ka dhënë shumë të drejtë, kemi qenë dhe tek kryetari i Kuvendit na ka dhënë të drejtë, dhe opozita është me ne. Kam përshtypjen se dhe shumë nga Partia Socialiste janë me ne. Vetëm Erdogani i bën këto punë, duhet që të ulemi në bisedime. I bëj thirrje dhe Prokurorisë që të hetojë, ç’janë këto preferenca?!”. ka thënë ndër të tjera Robert Ndrenika. Ndërsa aktori Mirush Kabashi u ngjit në podium dhe në vend të një fjalimi mbajti një poezi shumë të njohur për shqiptarët për të shprehur dhimbjen për gjendjen ekzistuese. Fjalën e tij e ka përcjellë me anë të një poezie të Ali Asllanit. “Koha është e maskarenjve, por Shqipëria dhe teatri janë të tonat, janë të shqiptarëve”, ishte kjo një nga vargjet e recituara nga Kabashi.