Skandali i përgjimeve, analistët mendime të ndryshme për largimin e Ramës

616
Pranohet se Rama ka përgjegjësi lidhur me situatën e krijuar. Një pjesë e analistëve kërkojnë zgjedhje të reja dhe një pjesë ftojnë opozitën të mbështetet në prova
Politika shqiptare është tronditur pas publikimit të dosjes së autoriteteve Italiane, ku janë zbardhur bisedat e trafikantëve të drogës, të cilët përmendin emrin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri si të përfshirë në rrjet. Reagimet brenda familjes së PS-së kanë qenë të menjëhershme. Ata kanë dalë në mbrojtje, duke e konsideruar bisedën një përpjekje e trafikantëve për t’u dukur. Nga ana tjetër kemi reagimin e opozitës, e cila prej më se katër vitesh e ka denoncuar mazhorancën dhe pikërisht Tahirin si njeriun e implikuar në trafik dhe konkretisht si mbështetësin e kushëririt të tij Moisi Habilaj. Opozita e bashkuar në një front, kërkoi dje largimin e Edi Ramës. E konsideruan kokën e narko-shtetit. Ndërkohë analistët janë të ndarë në mendimin e tyre. Një pjesë janë për largimin e Ramës dhe për zgjedhje të reja, ndërsa një pjesë shprehen se opozita duhet të mbështetet në prova konkrete, duke mos i konsideruar të mjaftueshme përgjimet. Ne i drejtuam disa pyetje të njëjta analistëve; Zamira Çavo, Gerti Shella, Basir Çollaku dhe Ilir Kaduku. 
A duhet Edi Rama të largohet pas skandalit të përgjimeve nga autoritetet italiane, ku ish-krahu i tij i djathtë del i implikuar? Opozita e bashkuar ka dalë me një platformë të përbashkët ku kërkojnë largimin e tij. Çfarë do të ndodh?
Zamira Çavo, profesore e Shkencave Sociale
Në një vend normal Kryeministri do duhej të jepte dorëheqjen pasi një ish – ministër i kabinetit të tij përflitet për një skandal të nivelit të lartë. Në Portugali dha dorëheqjen Ministri i Mjedisit për shkak të zjarreve që përfshinë vendin. Por Shqipëria nuk është një vend normal. Krimi ka 27 vite që është ulur këmbëkryq në politikën shqiptare. Në këto kushte asnjë kryeministër nuk do të jepte dorëheqjen. Në këtë rast Rama është i përfoluri kryesor por as i dyshuari dhe as i akuzuari, ndaj nga pikëpamja ligjore ai është të paktën tani për tani krejtësisht i pastër. Ne kemi parë raste kur provat kanë qenë të dukshme kundër deputetëve ose politikanëve të rangut të lartë dhe sërish nuk u ka hyrë as gjemb në këmbë e as kanë dhënë dorëheqjen. I mbani mënd videot e dikurshme që edhe pse erdhën nga SHBA-ja profesionistë dhe deklaruan vërtetësinë e tyre sërish u mohuan nga drejtësia shqiptare. Me pak fjalë unë e ndaj kështu mendimin tim : Nuk është momenti që Rama të japë dorëheqjen, por është momenti ku duhet të zbardhet detyrimisht e vërteta dhe nëse këtë nuk e bëjnë autoritetet shqiptare, atëherë duhet të jenë ata të parët që duhen akuzuar.
Opozita e bashkuar? CIi opozitë? Sepse ata emra që unë i pashë bashkë e që flasin në emër të popullit janë përfolur shumë herë më tepër se Saimir Tahiri. Dhe kur hajduti bërtet “kapeni hajdutin” besimi i njerëzve që i njohin mirë është zero ndërsa i imi është minus. Pra kjo opozitë kërkon të përfitojë së pari kredo politike për të përmirësuar imazhin e saj të njollosur keqas nga e kaluara e saj. Së dyti kërkon të bëjë alibinë e duarve të pastra dhe të heqë vëmendjen nga paaftësia e saj politike, nga interesat e saj klanore, nga akuzat që i janë bërë sistematikisht përfaqësuesve të tryezës opozitare. Aksioni i tyre për mua është pa rrugëdalje.
Vazhdoj të ngulmoj se, për sa kohë që ne shqiptarët do afektohemi pas individëve dhe jo pas Shqipërisë do vuajmë këto pasoja. Mendojeni një çast : cila është e mira e Shqipërisë në këto çaste? Dhe me siguri që do ia jepni vetë përgjigjen.
Basir Çollaku, gazetar
Dosja “Habilaj”, dosja “Xhafa” (Agronit, vëllait të ministrit të brendshëm), janë dy ngjarje të rënda kriminale, të cilat nuk mund t’i zgjidhë vetëm drejtësia. Qindra milionë euro kanë blerë zgjedhjet dhe përgjimet “Habilaj”, bërë nga drejtësia italiane, sollën prova të frikshme. Tashmë nuk ka iluzione, së paku për njerëzit serioze. 20 milionë euro thoshin kushërinjtë, i kish bërë Tahiri, shefi politik i Tiranës, ku u prodhuan 18 deputetë, të cilët tashmë janë vullnet i deformuar. Rama në këtë situatë me Tahirin, fshihet pas gishtit. Sepse ai është regjisor i drogëzimit të Shqipërisë. Tahiri u kap me presh nëpër duar, por për automatin e radarëve e kishte përgjegjësinë ish-ministria Kodheli, e cila është strukur në hijen e heshtjes, duke pritur dallgën e radhës. Organizatat kriminale janë jashtë kontrollit dhe qeveria ka kapitulluar. Parlamenti është prodhim i gjelbërimit të hashashit ndaj duhet ribërë. Duhen zgjedhje të parakohshme për të rifituar një legjislativ të pa kapur të mazhorancës së sotme. Ndaj Basha duhet të ushtrojë presion të pandërprerë duke mbledhur gjithë energjinë opozitare dhe të mundësojë rrëzimin e qeverisjes dhe zgjedhje të parakohshme. Kjo është zgjidhje që do të bëjë të mundur funksionimin e drejtësisë. Në të kundërt, paraja e piset do të mundë dhe nënshtrojë sistemin përfundimisht. Ndërkombëtarët duhet të braktisin aksionerët e drogës, Ramën, Xhafën, Tahirin, dhe të mbështesin zgjedhjet e reja, për të provuar se gabimet që edhe ata vetë kanë bërë, është koha për t’i ndrequr.
Gerti Shella, drejtues i INFOCIP
Skandali i përgjimeve është i përmasave shumë serioze. Ai ekspozon për herë të parë korruptimin e strukturave policore dhe të shtetit në përgjithësi një përmasë të pavërejtur më parë në çështje të trafikimit të narkotikëve përgjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar. 
Megjithatë kërkesa për dorëheqje të kryeministrit vjen në kohën kur Edi Rama ka konsumuar vendimmarrjen politike për mos-përfshirjen e Saimir Tahirit në qeverinë e tij që rinovoi mandatin në 25 qershor 2017. Ajo vjen gjithashtu në një kohë që ai sapo është votuar me më shumë vota se asnjëherë më parë për të qeverisur madje i vetëm dhe pa aleatë. Mendoj se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit në këto kushte dhe me kaq informacion sa është ekspozuar është e pa-motivuar. Spostimi i fokusit nga Tahiri tek Rama është një strategji që nuk ka të meta nga pikëpamja politike, por është e paplotë juridikisht. Nëse në një fazë të mëvonshme, përgjimet hedhin dritë edhe mbi përfshirjen e kryeministrit Rama në trafik ndërkombëtar droge, sigurisht që kjo kërkesë duhet ngritur dhe padyshim që do kishte kuptim. Nuk dyshoj intuitën apo sensin e nuhatjes që opozita mund të ketë lidhur me implikim të mundshëm të kryeministrit në këtë situatë, por për momentin kjo intuitë nuk mbështetet nga përgjimet e zbardhura. 
Në vijim të argumentit tim më sipër, strategjia për largimin e Ramës është e bazuar mbi një intuitë politike dhe jo mbi një shkak real. Me këtë nuk dua të them që shkaku që do ta implikonte kryeministrin nuk ekziston. Thjesht dua të them që opozita e bashkuar me sa duket nuk e disponon atë për momentin. Nëse do ta dispononte, atëherë ai duhet t’i ekspozohet shqiptarëve dhe besoj që kaq do të mjaftonte që ata vetë të hiqnin nga karrigia më e lartë e drejtimit të shtetit një trafikant droge. Ajo që unë parashoh se do të ndodhë do të jetë një konfigurim i ri i skenës dhe aktorëve politike që ndërveprojnë në të. Edi Rama për herë të parë në historinë e tij politike të drejtimit do ta shohë veten të vetëm kundër të gjithëve. Nga kjo situatë atë mund ta shpëtojnë vetëm rezultatet në drejtim të luftës kundër drogës dhe trafikut të lidhur me të. Asnjë retorike, vetëm rezultatet konkrete mund të jenë aleati i tij më i mirë në këtë drejtim. Sigurisht, distancimi nga ish –krahu i tij i djathtë në qeverinë e tij të parë, pra nga Saimir Tahiri, do ta ndihmonte të perceptohej sa më pak gabim në këtë situatë delikate në të cilën është vendosur, përballë një opozite e cilat ka gjithë motivet për ta shkatërruar politikisht. Opozita e bashkuar duhet nga ana tjetër të luftojë për të gjetur fakte dhe jo të presë që ato të bien nga qielli, dhe ajo t’i përdorë pastaj si një “pazar me leverdi”. Më vjen shumë keq të konstatoj se opozita edhe këtë herë po konsumon informacionet e prodhuara në laboratorët e kriminalistikës të vendeve fqinje. Ajo ende është deficitare të prodhojë vetë të dhëna të besueshme. Për këtë, sigurisht që ajo nuk është gati, por thënë kjo, duhet të mësojë se si një kauzë politike ushqehet më të dhënat që ajo vetë gjeneron. Kjo do ta bëjë atë të besueshme edhe në sytë e publikut shqiptar.
Sigal