SKANDALI I KRYEBASHKIAKUT QAZIM SEJDINI

713
Sigal

Kryebashkiaku Qazim Sejdini bën biznes, shkollën e re ua jep me qira privatëve

Në Elbasan mbyllen 16 shkolla në këtë vit shkollor, të rrënuara për mungesë fondesh

Në vitin e ri shkollor në Bashkinë e Elbasanit janë mbyllur 16 shkolla. Shumica e këtyre shkollave, që nuk u hapën sivjet, janë të rrënuara, pasi ka vite që bashkia nuk financon për restaurimin e tyre, duke detyruar nxënësit që të shkojnë dhjetëra kilometra larg vendbanimeve të tyre dhe të bëjnë mësimin me 2 turne dhe në klasa kolektive.

Historia e shkollës në Bradashesh, si u kthye në shkollë private me fondet e shtetit

Shkolla e mesme “Katundi i Ri” në Bradashesh të Elbasanit është ndërtuar në vitin 2013-2014 me një investim të qeverisë shqiptare që kap vlerën 1.6 milionë lekë. Nga ajo kohë deri më sot kjo shkollë, e cila ishte planifikuar si shkollë e mesme nuk i ka hapur asnjëherë dyert. Gazetarët e “Fiksit” shkuan tek kjo shkollë, por e kishin të pamundur të xhironin brenda godinës, pasi rrethimi i saj ishte i mbyllur. Në këto kushte “Fiksi” iu drejtua Bashkisë Elbasan për të marrë një përgjigje mbi arsyen e mos hapjes së shkollës.

Kryebashkiaku Sejdini përgjigjet: Nxënësit e kanë më të lehtë të mësojnë në …qytet

E pabesueshme, por e vërtetë. Bashkia e Elbasanit, në përgjigje të pyetjes, përse e jep me qira shkollën e sapondërtuar, përgjigjet, se nxënësit e kanë më të lehtë të mësojnë në …qytet. Atëherë, përse u ndërtua shkolla? Natyrisht, bashkia e Elbasanit dhe kryebashkiaku i saj Qazim Sejdini e ndërtuan shkollën e re me fondet publike, jo për nxënësit e fshatit, por për të bërë biznes, që ta japin me qira. Po privati, ku i gjen nxënësit? Me çfarë logjike, kryebashkiaku Qazim Sejdini, justifikohet, që shkolla publike nuk ka nxënës, ndërkohë, që shkolla private ka nxënës, për më tepër në një qytet dhe fshatra përreth, si Elbasani, që dihet, niveli shumë i ulët i jetesës, papunësi e lartë, varfëri deri në mjerim. Mos vallë, kryebashkiaku Qazim Sejdini, do të bëjë biznes me shkollat e reja, të cilat ua jep me qira privatëve, me çmime qesharake?…

Qira qesharake për shkollën e re: 75 lekë/m2 e jep për shkolla private

Ky institucion në përgjigjen e tij me e-mail, pse e jep shkollën e re me qira, thotë se këshilli bashkiak ka vendosur që këtë godinë ta japë me qira pa ia ndryshuar destinacionin, ndërkohë oferta që bashkia publikon për dhënien me qira është 75 lekë metri katrorë. Sipas kësaj shkrese të Bashkisë Elbasan arsyeja kryesore e mos hapjes së kësaj shkolle ishte mungesa e numrit të nxënësve. Gjithashtu në shkresë thuhet, se kjo ndodh, pasi pozicioni i shkollës është jo i favorshëm dhe nxënësit e kësaj njësie e kanë më të lehtë të shkollohen në qytet. Kështu sipas bashkisë për të mos lënë godinën të amortizohet është menduar, që ajo të jepet me qira me kushtin që të mos ndryshohet destinacioni i funksionit primar, pra që të mbetet sërish shkollë. Jo më publike por një shkollë private.

Qeveria nuk investon, 280 nxënës refuzojnë shkollën, sepse i detyrojnë të shkojnë turni i dytë

Mësimi dje nuk ka nisur për 280 nxënës të shkollës 9-vjeçare në Mengël të Elbasanit. Prindër dhe nxënës janë ngritur në protestë, duke refuzuar të shkojnë për të ndjekur mësim në turnin e dytë në Elbasan. Prej dy vitesh shkolla e Mengelit qëndron e mbyllur, pasi komisioni i emergjencave e cilësoi të pasigurt për shkak të dëmtimit që pësoi nga tërmeti. Megjithëse ka kaluar dy vite që nga ajo kohë nuk ka nisur asnjë investim në këtë shkollë. Prindërit thonë që do t’i lënë fëmijët pa shkollë. Ata kërkojnë hapjen e shkollës së tyre, ndërsa dhe fëmijët kërkojnë të hapet shkolla e tyre. Ky është një tregues i qartë, se qeveria nuk investon në shkollat e fshatrave, por i detyron ata që të shkojnë në shkollat e qytetit, dhe mësimi të zhvillohet me 2 turne, ndërkohë, që lë të rrënohen krejtësisht shkollat në fshatra. Qeveria ka fonde për koncesione, për të rregulluar fasada, për të rregulluar e rikonstruktuar godinat e ministrive, apo sheshet e qyteteve, ndërkohë, që shkurton fondet publike për të investuar në rikonstruksionin dhe në ndërtimin e shkollave në fshatra. Përparësia e çdo vendi janë shkollat, spitalet, qeveria duhet të përkujdeset, fillimisht, që të ndërtohen shkolla e spitale. Është absurde dhe e dënueshme që qeveria të japë koncesion 120 milionë euro për chek ap, ndërkohë me ato fonde do të ndërtoheshin të gjitha shkollat dhe spitalet rajonale nga e para.