Skandali i FRESH dhe droga e kapur në autobus

291
Një sasi droge është kapur nga Policia Kufitare e Turqisë në një autobus shqiptar, me të cilin udhëtonin 35 anëtarë të Forumit Rinor Socialist Shqiptar. Autobusi i porositur nga anëtarët e FRESH-it ishte nisur nga Tirana në drejtim të Stambollit dhe droga është zbuluar gjatë një kontrolli të ushtruar në pikën doganore të Ipsalas. Dyshohet se ka qenë një sasi prej 100 kg. Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, të rinjtë thanë se kjo është një situatë tejet e turbullt dhe e rëndë mes tyre. 
Një nga çështjet më të diskutuara në ditët e sotme në Shqipëri, është politika. Çdokush dhe çdo gjë varet nga politika, dhe vërtitet rreth saj. Ajo që të bën më tepër përshtypje, është dhe interesi i të rinjve drejt politikës. Çdo parti politike ka një forum rinor të saj, ku të rinj nga mosha 15 deri në 29 vjeç ndajnë bindje të njëjta dhe socializohen mes tyre. Së shpejti, një nga këto forume, ai i Partisë Socialiste, feston 24-vjetorin. FRESSH dikur ka qenë forumi më i madh i të rinjve në Shqipëri. Po, po, dikur! Sepse sot ky forum nuk është më i njëjti, dhe ky fakt vetëm falë kryetares së re që e drejton, Joleza Kokës! E pra, nuk ekziston kot ajo shprehja “Peshku qelbet nga Koka”. Joleza Koka njëkohësisht është dhe këshilltare e PS në Bashkinë e Tiranës. Pra, ajo mban dy tituj mbi vete, dhe pse njërin “joligjërisht”! Ajo vërtetë e prezanton veten si kryetare e FRESSH, por vetëm e tillë që nuk është. Ajo është thjesht një e deleguar si e tillë, me një afat prej 6 muajsh, i cili ka kaluar me kohë e me vakt! Për “emërimin” e saj nuk është bërë asnjë lloj zgjedhjeje ose votimi. Por pak rëndësi ka ky fakt! FRESSH ka kaluar në një periudhë pasiviteti, sidomos në bashkitë e Shqipërisë! 
Një vit pa u mbledhur asambleja
Asambleja e këtij forumi ka rreth një vit pa u mbledhur, kur me statut duhet të mblidhet një herë në 3 muaj. Znj. Koka e ka përqendruar kryesinë e këtij forumi në një rreth të ngushtë miqsh të saj, kryesisht në forumin e degës së qytetit të Tiranës. Mbledhjet e forumit bëhen me njerëz të caktuar, pra rrethin e saj të ngushtë. Në forum nuk njihet më fjala organizim ose sekretariat, pasi dhe ky i fundit zgjidhet nga vetë ajo, dhe jo nëpërmjet sistemit demokratik, pra, nëpërmjet votimit. Gjithashtu, funksionimi i database është po një problem i cili duket se s’merr zgjidhje. Edhe nëse ka ndonjë konflikt në forum, është vetë kryetarja ajo që i nxit këto zjarre. Sipas informacioneve, Dhjetorin e kaluar, FRESSH kaloi në një proces riformimi, ku u zgjodhën kryetarët e rinj të forumit nëpër bashkitë e Shqipërisë. Në bashki të ndryshme s’janë bërë zgjedhje, por kryetarët janë zgjedhur nga vetë Koka. Vlen për tu theksuar që në disa bashki të tjera, kryetarët e kanë kaluar moshën 30 vjeç, për pasojë duke thyer “rregulloren” e forumit. Problemi më i madh ngrihet në bashkinë e Pogradecit, ku së fundmi ka dështuar mbledhja e anëtarësisë, për të vetmen arsye se në këtë forum ka dështuar meritokracia dhe politikëbërja, por më tepër, ka mungesë në anëtarësi! 
Përgjysmimi i anëtarësisë
Nga 1600 anëtarë që numëronte dikur ky forum, sot është përgjysmuar, me shumicën e anëtarëve duke gjetur “strehim” në forumet rinore simotra, të LSI dhe të PD. Kryetari i këtij forumi, zgjedhur me më shumë se 900 vota, është shkarkuar “me një të rënë të lapsit”, situatë kjo, komike! Sot shumë anëtarë të këtij forumi kërkojnë largimin e Joleza Kokës nga drejtimi i tij, por jo të gjithë kanë guximin të dalin hapur. Kjo vetëm se ata duan të jenë pjesë e forumit, dhe i friken ndonjë “mase të rreptë” që mund të marrë Koka. Këto janë fjalët e një djali, anëtar i dedikuar i FRESSH: “Sot, forumi ku unë aderoj, bashkë me shumë të rinj, nuk e ka shkëlqimin e mëparshëm. Atij nuk do i mungonte shkëlqimi, por ka figura që ia zbehin! Sot, forumi më i madh në vend… nuk di, a është më i tillë? Sepse, dita-ditës ulet cilësia, dhe pretendohet se shtohet numri, ndërkohë që ky i fundit nuk jep efekt. Sot, forumi që jam pjesë, nuk është më oferta e parë që zgjedhin të rinjtë. Më vjen keq ta them, sepse nuk është çështje konkurrence, por një tregues i mirë që diçka më pozitive nuk ofrohet nga ne, por thjesht pretendohet dhe “reklamohet” si i tillë, paralel me “largimet” që shprehin të kundërtën. Dhe unë, si një ndër anëtarët e këtij forumi, kam përgjegjësinë time për heshtjen. Distancohem nga të qenit “sulmues individësh”, por distancohem më fuqishëm nga të qenit “servil” dhe i verbër ndaj diçkaje që po shkatërrohet. Nuk e di cila mund të jetë zgjidhja e kësaj gjendjeje, por duhet gjendur shpejt, qofshin këto edhe zgjedhjet”.
Një grup të rinjsh të FRESH, Tiranë