Skandali i emërimeve në shtet/ Deputetët e majtë dhe sekserët e qeverisë të dorëhiqen për punësimet nepotike dhe klienteliste

602
Sigal

Jakup B. GJOÇA

A ndjejnë sadopak turp deputetët sekserë të punësimeve nepotike, që të dorëhiqen?

Nëse në Shqipëri do të kishte sadopak frymë demokratike, dje deputetët socialistë Ulsi Manja, Blerina Gjylameti, Klodiana Spahiu, Paulin Stërkaj duhet të ishin dorëhequr nga turpi. “Zëri i Amerikës” zbardhi publikisht rolin e këtyre deputetëve socialistë, ata që Shqipërinë e kanë përvetësuar si “Tepsi” dhe bëhen sekserë të emërimeve nepotike dhe klienteliste në Administratën Publike. Këta deputetë, (edhe deputetë të tjerë, që ndonëse nuk janë në zbardhjet që publikoi VOA, por që elektorati i di shumë mirë, që askush nuk emërohet, pa vulën e tyre) janë ata që kanë hartuar dhe miratuar edhe Ligjin për Nëpunësin Civil, i cili thotë se në shtet duhet të emërohen kandidatët që e meritojnë. Mosdorëheqja e deputetëve sekserë u thotë qartazi shqiptarëve, që Shqipëria ata e kanë “Tepsinë” e tyre…. Nëse në Shqipëri do të kishte sadopak ligj dhe drejtësi, dje prokuroria do të kishte filluar hetimet, së pari, duke kërkuar leje nga Kuvendi, për të hetuar deputetët sekserë. Mirëpo heshtja e prokurorisë dëshmon që qeveria e ka marrë peng prokurorinë dhe se reforma në drejtësi ka dështuar tërësisht, derisa prokuroria nuk mundet dot të hetojë deputetët sekserë, edhe kur ka prova kaq të pakundërshtueshme. Zbardhja e fakteve, që deputetët socialistë janë sekserët e emërimeve klienteliste në Administratën Publike na argumenton pse intelektualët, studentët e diplomuar dhe ekselentët braktisin Shqipërinë dhe kërkojnë të punësohen në shtete të tjera. Asnjë student shqiptar i ekselencës që diplomohet në universitetet e botës nuk mund të punësohet dot në administratën publike në Shqipëri, nëse nuk kërkon lëmoshën e deputetëve socialistë, por, njëkohësisht, në Shqipërinë ku qeveris Rilindja Socialiste, mund të bëhesh ministre me notë universiteti 5 dhe pa asnjë meritë intelektuale, kontribut shoqëror, sikurse Lindita Nikolla dhe reformat që ndërmerr si ministre të dështojnë tërësisht, siç ndodh me ligjin “Për Arsimin e Lartë”, apo sikurse Elisa Spiropali, e cila dështoi si drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, u shkarkua me ceremoni, mirëpo Partia e ricikloi në postin e ministres. Në këtë Shqipëri me emërime klienteliste nga deputetë sekserë, intelektualët, ekselentët, nuk mund të punojnë dot as roje në zyrat e shtetit, ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, kryetarët e komisioneve parlamentare, Mimi Kodheli, Taulant Balla e Blerina Gjylameti (etj) marrin doktoraturë shkencore me plagjiaturë, dhe nuk ndjejnë asnjë çikë turp, përgjegjësi morale të …dorëhiqen.