Skandali i “DH ALBANIA”/ Prokuroria heton koncesionet e 3 loteve të “Unazës së Re”. Ministrja Balluku: Nuk do t’i anulojmë

538
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ministrja e re e Infrastrukturës Balluku, edhe pse e pranon qartazi, se në ministrinë e saj ka probleme me koncesionet, derisa shkarkoi të gjithë drejtorët e drejtorive, ndërsa dje u largua edhe drejtoresha e PPP në ministri, edhe pse vetë ministrja Balluku anuloi të gjithë procesin e prokurimit të lotit të tretë të Unazës së Re, pas skandalit të kompanisë “DH Albania”, dje deklaroi se koncesionet e tjera as që do të pezullohen, as që do të rishikohen, por do të vazhdojnë normalisht. Ministrja Balluku, edhe pse e pranon që koncesionet tek “Unaza e Re” mund të kenë probleme me transparencën, mendon të bëjë …korrigjime. Se çfarë kupton ministrja Balluku me korrigjime, nuk tha asgjë. Ndoshta, ka kopjuar teorinë e presidentit Thaçi për “..Korrigjime kufijsh”. Tani ministrja Balluku na ofron edhe teorinë e korrigjimeve të koncesioneve jo transparente, apo ndryshe, koncesioneve që denoncohen për korrupsion

Balluku: Projekti i “Unazës së Madhe” nuk do të anulohet

Ministrja e Energjetikës Belinda Balluku: Projekti i “Unazës së Madhe” nuk është i anulueshëm por i korrigjueshëm. Loti i dytë dhe i tretë vazhdojnë sipas procedurave të kryera dhe procesi i shpronësimeve është në vijim. Prishjet e godinave që pengojnë projektin do vazhdojnë pas asnjë diferencim“-tha Balluku. Dy projektet strategjike për Milot Balldren dhe Orikum – Llogara do ia përcjellë qeverisë dhe më pas parlamentit për të siguruar transparencë”.

Prokuroria: Hetim edhe dy loteve të tjera të “Unazës së Re”

I gjithë projekti i “Unazës së Madhe”, segmenti nga pallati me Shigjeta deri tek rrethrrotullimi “Shqiponja” është nën hetim nga prokuroria. Organi i akuzës nuk është mjaftuar vetëm me hetimet për lotin e parë, i cili u përfshi nga skandali, për shkak të falsifikimit nga ana kompanisë fituese “DH Albania”. Burime zyrtare nga organi i akuzës konfirmojnë se, hetimet janë duke u kryer paralelisht me atë të lotit të parë, edhe për dy lotet e tjera. Grupi hetimor është duke verifikuar të gjitha dosjet e sekuestruara deri më tani, për të zbuluar nëse ofertat kanë qenë fiktive ose jo ashtu siç ndodhi me lotin e parë. Gjithashtu, janë duke u verifikuar me detaje edhe procedurat e kryera nga institucionet përkatëse. Që në krye të herës, tenderi i zhvilluar për të tre lotet u vesh me hije dyshimi, pasi në secilën garë ishte vetëm një ofertë e vlefshme. Tenderin në lotin e parë e fitoi “DH Albania”. Në këto kushte, prokuroria pritet të verifikojë nëse procedurat e ndjekura për zhvillimin e këtyre tenderëve kanë qenë në përputhje me ligjin. Ndërkohë, pavarësisht kërkesës së presidentit Ilir Meta për të anuluar të gjithë projektin e “Unazës së Re”, mësohet se qeveria nuk do të tërhiqet nga ky investim.

Largohet nga detyra drejtorja e koncesioneve në Ministrinë e Transporteve

 

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka larguar nga detyra një tjetër zyrtar në ministrinë që drejton. Etleva Kondi, u largua nga posti i si drejtores së Drejtorisë së Partneritetit Publik Privat në këtë ministri, ndërsa formalisht ka dhënë dorëheqjen. Kondi ka qenë pjesë e projekteve kryesore koncesionare të firmosura nga qeveria aktuale.