Skandali i 350 milionë eurove, dhënë firmave preferenciale pa konkurrim që kërkuan dorëheqjen e kryeministrit

508
Rama-Basha-Berisha-Balla, akuzat dhe kundër/akuzat në seancë parlamentare, debati mbi kontratat e fshehta deri tek bastet për dorëheqje
Një seancë e gjatë parlamentare. E planifikuar për të debatuar lidhur me buxhetin e vitit 2018 dhe për miratimi e tij, seanca e djeshme, u kthye në një vend, ku kundërshtarët, kryesisht, PD dhe PS, merrnin fjalën, vetëm për të akuzuar njëri-tjetrin. Po kush ishin çështjet më të nxehta dhe çfarë u tha për to? Replika dhe kundër-replika. Kur ulej Basha ngrihej Rama dhe anasjelltas. Diskutimet u kthyen në batuta mes njëri-tjetrit dhe, pse jo edhe fyerje. I pari që nisi fjalën me akuza ishte Taulant Balla, i cili devijoi nga objekti i seancën, dhe i kërkoi llogari kryedemokratit për kontratën 1 milion dollarëshe që ai pagoi në SHBA. Balla kërkoi edhe ndjekje penale për Bashën. Kundërpërgjigja e këtij të fundit, ishte e menjëhershme. Basha, ndërsa i kujtoi Bashës se llogaritë e PD-së janë të gjitha të qartësuara në KQZ, e kaloi diskutimin tek kryeministri, që sipas tij në këtë ditë kishte zgjedhur njeriun e gabuar për të çoroditur parlamentin dhe qytetarët. Basha akuzoi Edi Ramën se, pikësëpari duhet të ishte ai që te jepte llogari për kontratën e inceneratorëve, e cila do t’i kushtojë shqiptarëve 400 milionë euro, sipas tij. Më tej Basha tha se Rama është fundosur si qeveri dhe kjo kontratë ishte fundi i tij. Kaq është dashur që të hapej debati i gjerë, i cili vazhdoi, jo pak, por për më shumë se dy orë. Rama-Basha, akuzuan, fyen dhe i kujtuan njëri-tjetrit edhe shkollën përkatëse. Basha i tha Ramës, se nuk njeh shifrat dhe se është njeriu që lexon më pak. Ndërsa Rama i tha se, nuk fyente dhe shante, pasi ishte ndjekës i shkollës së Nolit dhe Konicës. Komunikimi vazhdoi kështu edhe kur u përmend Saimir Tahiri dhe Habilajt. Basha i kërkoi Ramës të fliste për Habilajt, ndërsa ky i fundit i tha se nuk kishte çfarë të thoshte për ta, sepse nuk i njihte dhe se çështja Tahiri tashmë ishte në hetim. Ndërkohë shuma prej 400 milionë euro, përmendur nga Basha si aferë korruptive e qeverisë Rama, dhënë për klientët e preferuar, ka sjellë edhe bastin e parë në kuvend. Po sjellim më poshtë replikat mes Ramës dhe Bashës gjatë seancës plenare. 
Rama sfidon Bashën: Jap dorëheqjen, nëse janë 400 milionë dollarë
Kryeministri Rama ka bërë një bast me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. “Horr dhe klloun ishin dy fyerjet që përdori Basha, sarkazma dhemb më shumë se këto shprehjet e rrugës. Lulzim, keni dy rrugë, ose ktheje dhimbjen në forcë dhe drejtoju për ndihmë Faikut, ose vazhdo me fjalorin e rrugës, që me standardet e shkollës që bëj unë, je ngelës në oratori. Je ngelës. Unë e vë në jetë këtë shkollë. Ju jeni gdhë..gdhë..gdhë.. Tani gënjeshtar ti apo unë…Ok… Nëse janë 400 milionë euro për impiantet e përpunimit dhe trajtimit të mbetjeve unë jap dorëheqjen…ti jep dorëheqjen? Çoje kokën dhe më thuaj. Po e them publikisht…le ta marrin dhe ta analizojnë analistët, ta fusin deri në fund të kazanit dhe po doli 400 mijë euro për këto vepra shpëtimi të mjedisit të së ardhmes jap dorëheqjen..Ti çfarë bën? Ti vazhdon me të qeshurat…Ti çfarë bën, ti thua se Rrok Gjokaj nuk është themelues i PD-së, Bashkim Ulaj, është ai që të bëri ndërtesën e PD-së….”
Basha bënë llogaritë live i dalin 3540 milionë, ironizon Ramën me ndjesë
Pas tij e mori fjalën kryedemokrati Lulzim Basha, i cili nisi të bënte llogaritë live e i rezultoi se nuk ishin 400 milionë, por 3540 milionë. E pasi llogaritë nuk i dolën, kreu i demokratëve kërkoi ndjesë me ironi, duke shtuar se Rama do zhvatë 50 milionë lekë më pak. “Do zhvatësh 50 milionë lekë më pak, të kërkoj ndjesë që të akuzova që po bëhesh gati që me një kompani të vetme me një person bën tre projekte dhe ju merr 350 milionë euro dhe jo 400 milionë euro shqiptarëve”, tha Basha. 
Edi Rama: Luli është artist, e kam thënë
Kryeministri Edi Rama ka replikuar deri edhe me ironi, me thumba, me vargje poetike për të disatën herë me kreun e PD, Lulzim Bashën në Kuvend, sidomos për 3 inceneratorët 400 milionë euro, për të cilat Basha e akuzoi. “Tani e kuptuat se Luli është artist?! – tha Rama, pasi Basha ia përllogariti shumën e tre inceneratorëve, jo 400 milionë euro fiks, por 385 mijë dollarë. Këtu e gjeti rastin Rama për ta ironizuar shefin e opozitës.“Artist! Ju kujtuat se unë tallesha, – tha Kryeministri. – Sy për sy! Me shifra në dorë dhe është artist. Unë i them “e jap dorëheqjen”, ai thotë “jo po ti s’e jep”. Ore “ti e jep?” “Jo po ti s’e jep! Se është artist! Çfarë t’i thuash! Nuk është për t’i thënë asgjë, se të kujton atë vargun: “Si t’ia them, t’ia them prapë shoqes Bule që po llap”. Se sido t’ia thuash, shoqja Bule prapë do llapë! Unë nuk thashë se jam oratori më i mirë! Unë nuk thashë se jam orator i mirë, por nxënës që mësoj në shkollën e Faikut dhe të Nolit. Por e përsëris këto “horr, kriminel” kurrë s’i kam thënë, por nëse ndonjëherë, kur këtë fjalë e kam thënë aty me vete, kur shpirti më ka dalë e kamerat e kanë nxjerrë në ballë të kazanit, epo….këtu është për t’u parë pse shpirti ka dashur të më dalë, jo se kam dashur t’u bëj ndonjë të keqe! “Ka kompleksin e humbësit” thotë, ky vetëm ka fituar gjithmonë! Ky që vetëm fiton me lodrën që i kanë dhënë në dorë! dhe të kujton atë që thoshte “Kam një tren çuf-çuf-çuf, shkoj përpara, hajdeni mbrapa!” Ku të vijnë këta të shkretë mbrapa? Ti çuf-çuf-çuf me trenin në dorë, treni nuk shkon asgjëkund, shinat kanë ikur dhe vjen këtu e thua keni ju kompleksin e humbësit! “E kuptoni ku jeni katandisur” thotë ai. 

Lulzim po ta them prapë, shko në shkollë te Faiku dhe imzot Noli dhe mëso të ndash fyerjen dhe gjuhën e rëndomtë dhe pastaj hajde përballu me mua…je ngelës në atë shkollë ti. Shumë shumë mund të bësh ndonjë diplomë në Kristal oratorie..”, tha Rama
Basha: Konica dhe Noli nuk të thanë të trafikoje droge, s’ke lidhje me ta
Replikat mes Ramës dhe Bashës kanë qenë të shumta. Pasi Rama i kujtoi Bashës së ishte nxënës i Nolit dhe Konicës dhe nuk fyente dhe mallkonte, Basha ka reaguar ashpër. “S’je as nxënës i Konicës dhe as i Nolit. Nuk ti kanë mësuar këto shkolla trafikun e drogës. Mburrja është kompleks i humbësit. Ke dhe probleme me kujtesën. Ti nuk duron dot garë dhe kjo të ka shtyrë në marrëdhënie me krimin. Prej ditës së parë ke qenë i pasigurt me formimin tënd dhe që nuk e ke prej Konicës dhe Nolit. Faktet janë këto: Tiranën e bëre lavatriçe, por të mos përmendim emra këtu se një pjesë e tyre nuk jetojnë më. Kërkoje siguri dhe prandaj bashkove gjithë qelbësirat si të Muç Nanos në 2013-n. Ke 8 herë që vjen këtu dhe më sulmon mua. Bëhu kryeministër, shiko arkivin se e ke aty ku ti ke përdorur fjalët më të ndyra siç u ngrite këtu prapë me fyerje. Qeveria jote ka mbaruar ti e di. Të japësh dorëheqjen ti…Ti nuk e dhe kur ministri yt u konstatua si trafikant. Vjen këtu dhe thua se unë paskam lidhje me Vehbi Alimuçajn, po çfarë lidhje kam unë dhe gruaja ime me këto. Por ti nuk e njeh dorëheqjen, njeh pushtetin për veten tënde me çdo kosto për Shqipërinë. Ti nuk pranove zgjedhje në parti, keq mirë ne kemi zgjedhje, por ti bëre referendum për të mos bërë zgjedhje. PD nuk është lodra jote, por shpresa e çdo shqiptari.”, ishte reagimi i Bashës. 
Sigal