Skandali i 1 miliardë lekëve me pensionet

85
Një skandal i ri financiar është zbulua, kësaj radhe me pensionet në degën e Sigurimeve Shoqërore Elbasan. Burime nga dega e Sigurimeve Shoqërore Elbasan i thanë “Telegraf” se “KLSH dhe Auditi ka zbuluar një skandal që lidhet me problemin e vlerës së debive që ka të bëjë me keqmenaxhimin e sistemit të fondeve nga punojësi i sigurimeve, por që po tentohet t’i vihet faji qytetarëve”. Lidhur me këto shkelje flagrante edhe drejtori i Sigurimeve Shoqërore Elbasan Shkëlqim Duka ka deklaruar dhe ka shpjeguar se “ky problem lidhet me papërgjegjshmërinë e punonjësve të Sigurimeve Shoqërore, vlera është e madhe si edhe vetë problem, pasi e llogaritur vlera e debisë ndër vite kap shumën e 1 milion USD”. Auditimet në fondin e pensioneve, ndryshimet në ligj apo abuzimet kanë nxjerrë në pah parregullsi të mëdha. Drejtori Duka u shpreh se “vlera e dëmit është 1 milionë dollarë dhe se kategoria e prekur janë ish-ushtarakët të cilët janë penalizuar nga ndryshimet në ligj. Rastet janë të ndryshme dhe skema ka qenë zinxhir, që nga punonjësi i Gjendjes Civile, qytetari përfitues, deri tek punonjësit e Sigurimeve Shoqërore”. Nga deklarimet dhe rezultatet e kontrolleve rezulton se, ata që do ta pësojnë mbeten kryesisht ish-ushtarakët e Elbasanit të cilët prej vitit 2010 deri sot “paskan marrë më tepër para se vlera e llogaritur”. Kjo dukuri ka ndodhur për shkak të papërgjegjësisë së strukturave të Sigurimeve Shoqërore që e kanë bërë për mitmarrje, por edhe për të diskretituar ushtarakët. Drejtori i degës së Elbasanit tha se “në rastet kur faji u mbetet shtetasve masa e debisë ndalet në pensionin e tij në masën 50 për qind, kurse kur fajtorë janë punonjësit e sigurimeve, masa e debisë ndalet nga masa e pensionit në masën 20%”. Ky shpjegim kaq i thatë nga drejtori degës së Sigurimeve Shoqërore duket sikur kërkon të marrë në mbrojtje vartësit përpara këtij skandali financiar. Pavarësisht se drejtori Duka tha se “punonjesit e konstatuar me shkelje janë denoncuar dhe janë nisur për ndjekje penale”, sërish po tentohet të mos dalin para ligjit përgjegjësit kryesorë dhe këto dëme financiare dhe shkelje ligjore të mbyllen. Skandali ka të paktën 45 ditë që është dërguar në Prokurorinë e Elbasanit, por deri sot asnjë prej emrave të personave përgjegjës nuk është thirrur në organin e akuzës. Dega e Sigurimeve Shoqërore në Elbasan, edhe në të kaluarën është akuzuar lidhur me parregullsitë dhe shkeljet e konstatuara nga KLSH, por asnjëherë nuk ka patur të akuzuar konkretë dhe të dënuar, duke mbyllur gjithçka në zyrat e organit të akuzës. Kështu po tentohet të bëhet edhe me skandalin e ri të 1 milion dollarëve kryesisht me pensionet e ish-ushtarakëve të qarkut të Elbasanit. Për të mbuluar gjithçka përsa u takon përgjegjësive penale e ligjore të punonjësve të degës së Sigurimeve Shoqërore, duket se po tentohet t’u vihet faji ish-ushtarakëve dhe po tentohet të zbatohet procedura antiligjore për t’u mbajtur atyre para nga pensioni mujor. Skandali me 1 milion dollarët e pensioneve, duke mos u hyrë fare termave teknikë, duhet të dërgojë para ligjit ata zyrtarë, drejtues dhe punonjës që janë pjesë e tij. Skandali me 1 milion dollarët e pensioneve të ish-ushtarakëve, pason skandalet me paratë e invalidëve, ndihmës ekonomike, apo edhe dosjeve me vërtetime të falsifikuara pensionesh që janë zbuluar në Elbasan në 12 muajt e fundit. Në Prokurorinë e Elbasanit “flenë” prej 1 viti e gjysëm qindra dosje penale për drejtues institucionesh, rajonesh dhe komunash e bashkish që kanë firmosur dhe vulosur vërtetime të paligjshme për qindra persona që kanë përfituar pensione. Skandali me 1 milion dollarët që ka rënduar arkën e shtetit, natyrisht po tentohet të mbyllet pa zhurmë, duke rënduar xhepat e ish-ushtarakëve dhe duke i trajtuar dhe penalizuar ata si “fajtorët e vetëm” të këtij dëmi financiar. Të mos harrojmë skandalin me vjedhjen e parave të pensioneve nga pesë ish-sportelistet e Postës, apo edhe denoncimet e rreme të dy shpërndarësve të pensioneve, duke lënë pa bukën e gojës për 2 muaj 190 pensionistë të Elbasanit. Të gjitha këto raste, duhet t’i shërbejnë Prokurorisë për të qenë të vendosur në bindjen e tyre se fajtorët e dëmit financiar kur bëhet fjalë për paratë e qytetarëve dhe kryesisht pensionistëve, duhet të dalin para ligjit dhe jo të falen.