Skandali CEZ: Vetëm 10 drejtues çekë marrin rroga mbi 375 mijë euro/muaj

462
Sigal


Ahmetaj: Kapitali i kompanisë CEZ është zero

Kapitali i Kompanisë CEZ ka ardhur në rënie të theksuar nga viti në vit, por megjithatë drejtuesit dhe menaxherët e kësaj kompanie i kanë dhënë vetes paga që kapin shifra marramendëse, shuma e përgjithshme e të cilave arrin deri në 375 mijë euro në muaj. Fakti i rëndë është denoncuar nga deputeti socialist Arben Ahmetaj, në vijim të maratonës së denoncimeve për megaskandalin e shkaktuar në sistemin elektroenergjitik shqiptar.  Gjatë një konference për shtyp të dhënë dje paradite, Ahmetaj ka paraqitur listë pagese të drejtuesve dhe menaxherëve kryesorë të CEZ, ku menaxheri kryesor merr 66 mijë euro në muaj dhe një menaxher i nivelit teknik merr 27 mijë euro në muaj. Shuma në total e pagesave që marrin në muaj vetëm 10 drejtues dhe menaxherë kryesorë të kësaj kompania kap vlerën e 375 mijë eurove në muaj. Deputeti socialist ka deklaruar përgjegjësia për këto abuzime të mëdha nuk mund të kërkohet vetëm te kompania CEZ, por në radhë të parë te institucionet që ligji ka ngarkuar me mbikëqyrjen e veprimtarisë së kësaj kompanie. Sipas tij Qeveria dhe ERE janë po aq fajtore sa CEZ për këto abuzime që kryhen, ndërkohë që çmimi i energjisë është rritur me 200% dhe faturat rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët shqiptarë. “Ndërkohë që kompania CEZ prej më shumë se 2 vitesh ka humbur kapitalin e vet dhe sot kapitali është negativ, pra është zero, drejtuesit menaxherë dhe jo menaxherë të grupit çek i kanë vënë vetes pagesa marramendëse.  Ndërkohë që kompania ka dështuar, ndërkohë që kompania në zinxhirin elektroenergjitik ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë dëme deri tek buxheti i shtetit, menaxheri kryesor merr 66 mijë euro në muaj dhe një menaxher i nivelit teknik merr 27 mijë euro në muaj. Pagesa vetëm për një muaj e këtij grupi shkon 375 mijë euro në muaj. Gjithë vlera e kompanisë është humbur. E pra kjo ndodh me sistemin tonë elektroenergjitik. Enti Rregullator i Energjisë është bërë një shtojcë e CEZ-it. Funksionon si një departament i CEZ-it. Çfarë bën qeveria?! Qeveria ka mbyllur sytë, ka pranuar dështimin e vet dhe i ka ngarkuar të gjithë konsumatorët me një çmim 200% më shumë se viti 2005”, është shprehur Ahmetaj. Deputeti socialist ka paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të ketë të dhëna të tjera për të bërë transparencë të plotë mbi atë që ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë në sistemin elektroenergjitik shqiptar.