Skandali/ 1.4 milionë qytetarë do të votojnë në zgjedhjet e 30 qershorit me karta identiteti të skaduara

741
Sigal

“Kriza e certifikatave”: PS dhe Edi Rama bllokuan zgjedhjet vendore të janarit 2007

1,4 milionë qytetarë do të votojnë në 30 qershor me karta identiteti të skaduara

Në vitin 2007, PS-ja kërcënonte PD-në dhe ndërkombëtarët se do të bojkotonte zgjedhjet vendore dhe do të destabilizonte vendin, pasi opozita nuk kishte garanci për proces të rregullt. Kjo krizë njihet me termin “Kriza e certifikatave”, pasi PS pretendonte se qeveria “Berisha” do të manipulonte zgjedhjet duke lejuar që qytetarët të përdorin si dokument identifikimi certifikatat e rregullta që lëshon Zyra e Gjendjes Civile. Më 12 Janar 2007, forcat politike dhe koalicionet arritën një marrëveshje në një tryezë të rrumbullakët të iniciuar dhe drejtuar nga Presidenti Alfred Moisiu. Kjo lejoi rifillimin e procesit zgjedhor. Pra, edhe në vitin 2007 Kushtetuta për të cilën sot betohet Edi Rama nuk e lejonte shtyrjen e zgjedhjeve, por mazhoranca për të mos shkuar në proces pa opozitën u detyrua të ulet në tavolinë bisedimesh. Ironia është se Kushtetuta u ndryshua vetëm për tekën personale të Edi Ramës për certifikatat dhe nuk kishte akuza për vjedhje votash, bashkëpunim me krimin dhe gjithë sistemin e manipulimit që është perfeksionuar sot për vjedhjen e zgjedhjeve nga qeveria. Lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve, në dhjetor të vitit 2006, Edi Rama, kryetar i PS dhe kandidat për kryebashkiak i Tiranës: “Shtyrja e datës së zgjedhjeve është një hap i rëndësishëm në rrugën e garantimit të standardeve“.

1.4 milionë kartat e identifikimit të skaduara

Deri në 1,4 milionë shqiptarë do të votojnë me karta identiteti teknikisht të skaduara në zgjedhjet lokale të qershorit. Ky është numri i kartave elektronike të identitetit të lëshuara më 2009, vitin e parë të futjes së tyre në Shqipëri. Afati 10 vjeçar i tyre ka mbaruar apo do të mbarojë gjatë këtij viti, një pjesë e madhe para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Kjo do të thotë se shumë prej shtetasve ose duhet të përdorin pasaportat ose duhet të nxjerrin karta të reja për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ligj pa bazë kushtetuese: Shtyhet data e skadimit të letërnjoftimeve

Por para një muaji, qeveria ka vendosur ta zgjidhë me një ligj këtë problem, duke miratuar një ligj që shtyn deri në fund të vitit 2019 afatit e skadimit të të gjitha kartave të lëshuara nga data 9 shkurt 2009 deri më 31 dhjetor 2009. Vendim është i debatueshëm pasi data e skandencës së çdo dokumenti është përcaktuar në mënyrë individuale nga prodhuesi për çdo kartë-10 vjet nga data përkatëse e lëshimit-dhe është i shkruar në kartë dhe regjistruar në të dhënat që përmbahen në memorien elektronike të kartës. Ligji përcakton vetëm se çdo kartë duhet të ketë afat 10 vjeçar, por data përkatëse të skadimit nuk mund të caktohen me ligj. Në të vërtetë ligji nuk bazohet në asnjë bazë kushtetuese apo ligjore. E vetmja referencë ligjore në hyrje të ligjit janë nenet 78 dhe 83 të Kushtetutës, të cilat përcaktojnë mënyrën si miratohen, në përgjithësi, ligjet në Kuvend por nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën e qeverisë për t’u marrë me çështjen e letërnjoftimit të qytetarëve. Qeveria e ka justifikuar ligjin me nevojën për të mos iu mohuar qytetarëve të drejtën e votimit, duke pohuar se ka ngarkesë të madhe në kërkesat për rinovim që do të thotë se shume nuk do arrijnë të prodhohen dot në kohë për zgjedhje. Shtetasit mund të votojnë edhe me pasaporta, por qeveria shprehet se për shumë persona edhe pasaporta edhe karta e identitetit skadojnë në të njëjtën kohë.

Problem i ditur, qëllimisht qeveria e zvarriti. Mundësi manipulimi?…

Sa është numri i këtyre shtetasve që ju mbarojnë afatet e të dy dokumenteve që lejohen për identifikimin e zgjedhjeve nuk është bërë e ditur. Pavarësisht pretendimit të qeverisë për mospërballimin e volumit për pajisjen në kohë të shkurtër të qindra mijëra qytetarëve është problem i njohur dhe i përballuar më parë. Qeveria e zvarriti pajisjen në kohë të qytetarëve me karta identiteti, duke lënë dyshime të mëdha për një proces manipulimi.

Eksperti i për çështjet zgjedhore: KQZ po shkel ligjin në regjistrimin e kandidatëve

Regjistrimi i kandidatëve të Bindjes Demokratike por dhe disa kandidatëve të pavarur, cilësohen në shkelje të Kodit Zgjedhor. Eksperti për çështjet zgjedhore Premto Gogo, thotë se KQZ po shkel ligjin duke cenuar rëndë standardet. Premto Gogo: Nuk mundet në asnjë rast të legjitimojnë asnjë prej subjekteve zgjedhore të hyjnë në garë pa siguruar lista mbështetëse. Vendimmarrja e djeshme e KQZ-së në mënyrë absolute është e paligjshme pikërisht për këtë pjesë, sidomos në lidhje me Bindjen Demokratike është një fakt botërisht i ditur që është regjistruar në datën 25 prill. Ndërkohë që e vetmja mënyrë që Bindja Demokratike të mund të garojë në këtë zgjedhje është me lista mbështetëse. Paligjshmëria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e Komisioneve Zonale, thotë Gogo, nuk mund të ankimohet as në Kolegj, duke sjellë sipas tij cenim të standardeve në proces.