Skandalet e “Rilindjes” në Elbasan / Deputetët, pronarë tokash; drejtuesit me diploma fallco

222
Mund të quhen me plot gojën “skandalet e Rilindjes”, ato çfarë po ndodhin në Elbasan dhe jo vetëm atje. Qytetarët dhe votuesit e majtë, por edhe ata që besuan dhe votuan majtas, tashmë janë të bindur se edhe në Elbasanin e 1001 halleve dhe problemeve, edhe në Elbasanin e 80 mijë familjeve, që ushqehen me ndihmën ekonomike, edhe në Elbasanin ku mungon shteti dhe është ulur këmbëkryq varfëria dhe korrupsioni, zbatimi ligjit dhe gjithçka që pritej deri sot nga premtimet, është krijuar dhe po funksionon si e tillë “klasa e re e çifligarëve të tokave”. Kjo klasë sot në atë qytet përfaqësohet jo nga ish-pronarët e ligjshëm, por nga ligjvënësit, nga ata që i janë sulur pronave dhe tokave në qytet dhe fshatra dhe po i blejnë dhe këmbejnë në varësi të “ndereve”, që u bëjnë hallexhinjve votues. 

Sipas disa ish-pronarëve të tokave në disa fshatra të Elbasanit mësohet se “tokat e tyre po i blejnë deputetët e “Rilindjes”, po i blejnë ata që deri para 3 vitesh u kërkonin votën, u lypnin votën dhe sot po u rrëmbejnë tokën”. Një fshatar nga Bradasheshi, i tha “Telegraf”, se “tokën time e dhurova nga halli me pahir, sepse një deputet i pushtetit më premtoi se do të më bënte një nder për djalin, por edhe sot e kësaj dite po më mban me shpresë”. Si kjo “dhuratë” fshatarët, apo ish-pronarët e tokave në fshatra, po u bëjnë edhe deputetëve të tjerë. Duket sikur ligjvënësit (dikur të deklaruar të varfër) janë vënë në garë me njëri-tjetrin, apo edhe me kolegët e tyre të ish-qeverisjes së shkuar, për tu bërë pronarë të tokave, objekteve dhe për të mbushur thesin me miliona deri në fund të mandatit të parë qeverisës. Nuk ka institucion dhe zyrë shteti, ku deputetët të mos kenë “mashat” e tyre, ku të mos kenë fushat e tyre të ndërtimit, punësimit, përfitimit, gllabërimit, pasurimit dhe kjo ngjet në një kohë kur edhe institucionet dhe drejtoritë e tyre janë të mbushura me zyrtarë dhe drejtues që kanë blerë diploma në Elbasan, Korçë, Vlorë, në universitetet private apo dhe deri në vendet e tjera fqinje. Skandali me diplomat fallco të shumicës së atyre, që zunë vende të lakmueshme pune në administratë dhe vendet drejtuese, ka vajtur shpesh edhe në dyert e Prokurorisë së Rrethit dhe nuk dihet, sepse kjo e fundit asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk ka nisur çështjen penale ndaj tyre, duke u hapur rrugën shkelësve të ligjit të ngjiten lart e më lart.

 Burime të besueshme, i deklaruan “Telegraf”, se “mbi gjysma e zyrtarëve dhe 50 për qind e drejtuesve janë me diploma të blera, ndërkohë që mjafton tu verifikohet data, muaji, viti, firma e rektorëve dhe vula e diplomave që kanë, për të zbuluar skandalin, që po i zhvat shtetit miliona lekë dhe po lë pa punë ata që kanë mbaruar studimet e larta me nota të shkëlqyera, madje edhe ata që kanë mbaruar jashtë shtetit. Një prind u shpreh se “djali më ka mbaruar universitetin me nota të shkëlqyera në Turqi dhe ka mbi 2 vjet që konkurron dhe nuk fiton, sepse punësohen miq, vëllezër, motra dhe farefisi i deputetëve, ministrave, zv/ministrave dhe politikanëve, madje urdhrat dhe porositë vijnë të prera me sms dhe telefonata dhe nuk ka se si të kundërshtohen nga ata që janë vetë me diploma fallco”. Skandalet e “Rilindjes” në Elbasan ngjajnë si dy pika uji edhe me skandalet e qyteteve të tjera dhe duket sikur gjithçka ecën në uniformitet, sipas një skenari ogurzi, që po tenton dhe faktikisht, po shkatërron gjithçka me vlerë dhe gjithçka ligjore në këtë vend. “Në ZRPP, çdo javë ujdisen dhe hipotekohen pronat e ligjvënësve, ujdisen dhe hipotekohen pronat e drejtorëve, ujdisen dhe hipotekohen pronat e ministrave, pasi edhe ata kanë lakmitë e tyre edhe në rrethe, por kurrsesi nuk hipotekohen pronat e ish-pronarëve, të atyre që kanë një mal me dokumente origjinale dhe po u grabitet prona ditën dhe natën”- kështu u shpreh një burim i sigurt nga Elbasani. Situata e rënduar e degradimit të shtetit, e cila ka nisur dhe nuk ka gjasa të kthehet për mirë, po thellon më shumë jo vetëm hendekun mes një shtrese, e cila po pasurohet padrejtësisht në kurrizin e një shtrese tjetër, por po krijon hapur hendekun e thellë të degjenerimit ligjor të institucioneve të shtetit, që prej 3 vitesh përfaqësohen me drejtues të paarsimuar. Tek dëgjon dhe shikon se si degradon çdo ditë shteti, përmes institucioneve që vetëm ligjore nuk mund të jenë, pasi drejtohen nga analfabetë, bindesh se vendimi i shumicës së shqiptarëve për t’u larguar nga ky vend çdo ditë është më shumë se i drejtë. Ajo që duhet t’i futet me themel hetimit, shkatërrimit dhe dënimit të çdo akti antiligjor, është drejtësia. Por duket se kjo e fundit është e kapur fort nga afera, të cilat nuk e lënë as të hetojë dhe as të dënojë jo vetëm çifligarët e rinj të tokave dhe pronave, por edhe të “komisarëve” të tyre, që janë emëruar me diploma fallco. Më e pakta e këtij fenomeni të turpshëm, duhej të ishte kryqëzimi mbrapa hekurave i ndonjë rektori, dekani dhe sekserëve të tyre, që kanë mbushur kudo institucionet e shtetit.