Skandal ndërkombëtar me pasurinë e shqiptarëve

661
Sigal

DURRËS/Skandali publikohet në mediat britanike. KE paralajmëroi qeverinë shqiptare që në vitin 2008

Privatizimet dhe koncesionet në portin më të madh të vendit, kanë zbuluar skandale financiare. Duke ju fshehur faktet dhe argumentet mediave shqiptare, duket se organet e shtetit kanë preferuar ti servirin ato tek mediat e huaja, duke zbuluar dhe denoncuar skandale të thella financiare. Kështu gazeta londineze “Port Strategy” në një shkrim të saj të para pak kohëve, sqaron një VKM (e qeverisë së kaluar) lidhur me koncesionet në portin e Durrësit. Ekspertët e fushës së ekonomisë së gazetës “Port Stradegy” kanë komentuar shkrimin  duke përdorur madje terma si  “shpartallim” për kompaninë metalurgjike  “KURUM” për menaxhimin e terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit.  Kjo  lidhet me dhënien e bonusit nga qeveria shqiptare një kompanie që nuk ka lidhje fare me portet (a non-port operating company). Sipas shkrimit të “Port Stradegy”, “qeveria dhe Ministria e Transporteve kanë shpërfillur konsulencën evropiane  për të mos kompensuar kompaninë “Kurum” me koncesion, pasi ajo t’i kthente portit detar, kantierin detar, (të privatizuar) që e blenë nga polakët e “Gdanskut”. Gazeta londineze, e cila është e fokusuar me shkrimet e saj kryesisht në fushën e porteve, e quan “skandal ndërkombëtar” atë që ka ndodhur me koncesionet e portit të Durrësit. Duket se tenderi  nuk  ka qenë rruga e duhur për të pasur një rezultat pozitiv në një koncesion terminali kontejnerësh, sidomos kur koncesioni i jepet një kompanie, e cila nuk merret me biznes portual-detar (a company that is a non-port operating company). Në portin e Durrësit një partner i parë dhe pastaj një partner i dytë operues u përballën me probleme serioze gjatë punës me kompaninë, e cila nuk merret me biznes portual-detar. Investigimi i gazetës londineze hedh dritë mbi fakte sipas të cilave “partneri i parë para se të jepej koncesioni dhe partneri i dytë në prag të marrjes në dorëzim kanë pasur probleme të cilat edhe sot nuk po gjejnë zgjidhje ligjore”. Partneri i parë ishte kompania turke “Global Investments Holding”, kurse i dyti  ishte kompania malteze  “Hili Industries”, ata të dy gjetën partneritet me grupin turk  “Kurum Holdings” në lidhje me koncesionin e terminalit të kontenierëve në Durrës. Në kuadër  të procesit të koncesionit për terminalin e kontejnerëve në Durrës, nga qeveria e kaluar, dhënë  firmës “Kurum” kësaj të fundit, iu dhanë favore të dyshimta për ish-kantierin detar në Durrës. Kjo lehtësoi pjesërisht në disa investime infrastrukturore  të portit të Durrësit. Favoret nga qeveria, luajtën rol kryesor që  kompanisë “Kurum” t’i jepej koncesioni, por  nga ana tjetër ky ishte një proces koncesioni, që hodhi hije dyshimi, duke shkuar në favor të një ofertuesi  dhe blerësi. Gazeta  londineze shkruan se “ky skandal ndoshta do të zbulojë gabime fatale nga pikëpamja e sigurimit të një operimi modern, efikas në përpunimin e kontejnerëve në portin e Durrësit, për të mirën e Shqipërisë”. Fakti është se të dy investitorët e konsideruan  partneritetin me “Kurum” jofunksional. Kompania  malteze “Hili Industries” një operator me reputacion të mirë i një portofoli të vogël terminalesh, deklaronte se “ kompania “Kurum” në të vërtetë nuk dëshironte një  partner  operimi, se synimi i asaj kompanie gjatë gjithë kohës nuk ishte që ta bënte vetëm këtë gjë, pretendim i lindur ndoshta nga diskutimet  pasi “Kurum”  ishte  angazhuar me operatorë ndërkombëtarë lidhur me rishitjen e koncesionit 35-vjeçar (APM Terminals-kompani ndërkombëtare, që operon në terminale kontejnerësh, me seli në Hagë), duke qenë se është një emër i përmendur në këtë kontekst”- shkruan “Port Stradegy”. Kjo gazetë gjithashtu shtron pyetjen se “Si mund të fitosh një koncesion dhe menjëherë të gjesh mundësinë për ta rishitur atë? Rruga logjike është investimi në objekt në fuqi punëtore, rritja e efektivitetit, rritja e të ardhurave dhe maksimizimi i fitimeve dhe pastaj të kërkohet optimizimi i të ardhurave nga një shitje me skonto pas këtyre aktiviteteve. Gazeta londineze shkruan se “pritshmëritë e kompanisë  “Kurum” lidhur me një çmim-shitjeje janë joreale”.  Kjo gazetë zbulon  faktin se, “qeveria e Shqipërisë ka rënë dakord me konsulentin e Komisionit Evropian që në 2008, dhe në vitin 2009 miratoi masterplanin, ku thuhet se “përpara një koncesioni duhet të fillojë një proces i rregullt tenderi (në bazë të shumë neneve të Ligjit për Koncesionet). Kjo përjashton këmbimin e tokës së kantierit detar me dhënien e një koncesioni, pasi  propozimi i kompanisë “Kurum”,  duhet të shkëputet nga dhënia e një koncesioni dhe e  drejta për operim, pasi  janë dy transaksione të ndryshme. Shitja e tokës së ish-kantierit detar  Autoritetit Portual Durrës, nga “Kurum” është problem ku palët duhet të bien dakord për çmimin, për shkak të vendndodhjes brenda pronës së këtij porti. Por këtë sugjerim e ka shpërfillur  Ministria e Transporteve, e cila  i ka dhënë pikë plus kompanisë  turke “Kurum” në këmbim të tokës së kantierit detar për të marrë koncesionin e terminalit të trageteve. Gazeta londineze citon faktin se “duhet të hetohet nga organet kompetente  se si është bërë  “Kurum” pronar i një toke publike, pasi, sikurse thotë studimi i konsulentit të KE-së dhe BE-së që e financoi, në fakt që një kompani private të ketë në pronësi një pjesë të portit, duke përfshirë dhe basenin përpara, është një skandal i paparë, kjo për faktin se kjo sipërfaqe nuk është e vlefshme për operacionet në port”. Në 28.05.2009, është miratuar  studimi  masterplanit të portit të Durrësit, sipas një VKM me nr 546,  duke kryer shkelje ligjore, për të cilat duhet të përgjigjen edhe ish-ministrat.

DËSHTIMET ME KONÇESIONET

 Ndonëse u propaganduan si arritjet më të mira të qeverisjes së Djathtë, koncesionet në fushën e industrisë, rezultuan dështim dhe një nga shkaqet kryesore të rënies ekonomike në Shqipëri. Edhe pse kanë kaluar kohë nga ‘vulosja’ e këtij dështimi, paralajmëruar pothuaj në kohë nga partnerët dhe media ndërkombëtare, ende dhe sot, shtetarët e djeshëm, as moralisht nuk e kanë pranuar këtë dështimin Dhe nuk janë një apo dy sektorë që kanë dështuar në këtë fushë, por pothuaj që të gjitha koncesionet e dhëna gjatë kësaj kohe, kanë dështuar. Kështu, dështim i plotë ndodhi me CEZ-in, ku përveç faturës për konsumatorin shqiptar, për buxhetin e shtetit, u ‘prodhua’ dhe një kontestim I hapur nga ndërkombëtarët. Po kështu dhe Albpetroli, renditet një nga dështimet me një faturë të madhe financiare e me kosto për të ardhme, Dështim rezultuan dhe minierat, ku përveç përfitimeve nga kompani apo biznese afër pushtetit, kryesisht në rrugë të paligjshme, u shënuan dhe viktima në njerëz. Dështimin e koncesionit me Kontrollin e Automjeteve po e vuajnë në ‘shpinën; e tyre ende mijëra shqiptarë, ndërkohë që miliarda lekë nuk janë arkëtuar në buxhetin e shtetit. Dështimi me Portin Detar të Durrësit, është një provë tjetër e keqqeverisjes shqiptare, dështim që u paralajmërua që në fillim nga partnerët europianë, por ranë veshë të shurdhër në Shqipëri.