Skandal me tenderin e rezonancës magnetike

1582
Sigal

Skandal në tenderin e rezonancës magnetike të QSUT

Drejtorja e K.P.P zonja Evis Shurdha, e përzgjedhura e zotit Rama po tregohet shumë e aftë teknikisht në bërjen e këtij tenderi të pavlefshëm, të parealizueshëm

Nuk kanë të sosur skandalet në fushën e shëndetësisë. Rasti i fundit është ai i tenderit të blerjes së aparatit të Rezonancës Magnetike në Shërbimin e Neurologji-Neurokirurgji të QSUT. Pasi tenderi u zhvillua dhe e para doli kompania “Philips” me çmimin më të ulët dhe konfigurimin më të mirë, shoqëria humbëse filloi që të protestojë. Deri këtu gjithçka është normale. Në fillim protesta shkoi në QSUT dhe u organizua një komision tjetër, i cili përsëri shpalli fituese kompaninë “Philips”. Mirëpo nuk mbaroi këtu. Duke ditur që me këtë qeveri është vështirë që të fitojë çmimi më i ulët, firma ankimuese vazhdoi protestat në Komisionin e Prokurimit Publik (K.P.P). Mirëpo ç’po ndodh? Pasi mori edhe një herë arsyetimin nga profesorët e QSUT, që fituese është firma “Philips”, K.P.P duke mos pasur kurajën që të ndryshojë fituesin, ka zgjedhur një rrugë tjetër: Të mos japë përgjigje! Megjithëse ka kaluar mbi një muaj nga dita kur është paraqitur ankesa dhe në bazë të Ligjit procesi duhej të kishte mbaruar, megjithëse kanë kaluar 2 javë nga përgjigja e QSUT, K.P.P nuk kthen përgjigje! Kjo ndodh për arsye, që ata duan të kalojë koha, duke ditur që në dhomën ku duhet të instalohet pajisja e re e Rezonancës Magnetike duhen kryer punime përshtatëse, të cilat bëhen me tender rikonstruksioni. Kjo kohë që po kalon është e artë për firmat humbëse, sepse nuk ka kohë as të përshtatet dhoma dhe jo më tej të instalohet rezonanca e re, e cila kërkon minimumi 50 ditë. Drejtore e K.P.P, Zonja Evis Shurdha, e përzgjedhura e zotit Rama po tregohet shumë e aftë teknikisht në bërjen e këtij tenderi të pavlefshëm. Duke mos pasur kurajën të bëjë të bardhën të zezë, tenton ta bëjë të gjithë tenderin të parealizueshëm, duke mos dhënë asnjë përgjigje. Në këtë mënyrë, përveç të tjerave, pacientët shqiptarë në QSUT do t’i drejtohen klinikave private për të bërë rezonancën magnetike, pasi rezonanca ekzistuese është pa kontratë mirëmbajtjeje dhe defekti më i vogël bën që puna të ndërpritet. Kjo është mjekësia moderne që proklamojnë Rilindësit. Ja pse zoti Rama e donte zonjën Shurdha me çdo kusht në atë post. Kështu pra, edhe kur janë paratë e taksapaguesve shqiptarë që duhet të shkojnë në drejtimin e duhur, qeveria aktuale nuk i shfrytëzon ato në mënyrë që t’i kthejë në para për P.P.P dhe jo për zhvillimin e një mjekësie normale. Në anën tjetër vërtetohet katërcipërisht, që lotët e krokodilit që kjo qeveri po lufton korrupsionin, mbeten vetëm të tilla. Ky është një shembull real që korrupsioni në Shqipëri nuk është zhdukur, por është bërë më i sofistikuar. Shumë i thjeshtë për t’u lexuar nga ndërkombëtarët, paçka kamuflimeve që mundohen të bëjnë qeveritarët tanë. Shqipëria, deri sa ka bërë kërkesë për anëtarësim në BE dhe ka nënshkruar të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit, edhe ato në fushën tregtare, në investime etj., është e detyruar që të gjitha tenderët dhe koncesionet t’i organizojnë publike dhe të kenë të drejtën dhe mundësinë që cilido investitor dhe kompani nga vendet e BE-së të marrë pjesë në këto tenderë dhe koncesione. Mirëpo, qeveria e Kryeministrit Rama, duke qenë se tenderët dhe koncesionet shumë herë i zhvillon dhe i jep në mënyrë të paracaktuar, duke shmangur transparencën, ua bën të pamundur pjesëmarrjen investitorëve dhe kompanive evropiane. Për tenderin në fjalë, kompanitë e huaja, do t’i drejtohen dhe do të kërkojnë dëmshpërblim, ndoshta shumë herë më të madhe, sesa vlerë e tenderit.