Skandal me punësimet/ Drejtori i postës në Korçë firmos për dy rroga, si pensionist dhe njëherë si drejtor. Ja si zhduken librat e arkës

1505
Sigal

Drejtori i postës në Korçë, merr edhe pension edhe rrogë shteti

Nuk kanë të sosur zullumet në një pjesë të administratës shtetërore, ku njerëz të caktuar, në bazë të tarafllëqeve dhe për merita elektorale figurojnë të punësuar në shtet si drejtues dhe, nga ana tjetër, marrin edhe pensione. Ligji është dhe duhet të jetë një për të gjithë, dhe kërkon zbatim si për atë qytetarin e thjeshtë, si për fermerin, si për specialistë,t pse jo, edhe për militantët e partive kur ata punësohen konform ligjeve që normojnë rregullat e rekrutimit në administratën publike shtetërore. Por faktet dhe rastet skandaloze të punësimit të njerëzve të caktuar me mbështetje politike, madje një pjesë të tyre të marrë nga rruga dhe të emëruar në poste të rëndësishme, jashtë profesionit, pa kapacitetet profesionale, intelektuale dhe të etikës në marrëdhëniet me publikun. Fakti që shqiptarët marrin arratinë, se nuk kanë punë, ndërkohë që të tjerë punësohen në shtet dhe nga ana tjetër marrin edhe pension, apo futen në lloj-lloj bordesh, vetëm e vetëm për t’u majmur tregon se shteti nuk e ka nën kontroll administratën, dhe paratë e konsumuara prej saj shkojnë jo në destinacionin e duhur. Konkretisht, drejtori i emëruar në krye të postës së Korçës, Valter Bebri ,me profesion ushtarak, paguhet nga shteti, por nga ana tjetër merr edhe pension si ish-ushtarak në Postën e Maliqit, qendra paguese nr.397. Po pse një pensionist, nëse hap biznes privat duhet të lërë pensionin dhe drejtori i Korçës merrka edhe pension edhe rrogë?! E megjithatë kjo është vetëm njëra anë, pasi më e goditura, më e prekura dhe kërbaçin e ha qeveria dhe elektorati i saj, ndërsa i përfituar është individi, i cili është pasqyra e keqe edhe për qytetarët dhe votuesit, të cilët ndihen të fyer për këto lloj padrejtësish. Kjo përsëri është vetëm njëra anë, sepse ana tjetër ka të bëjë me më shumë skandale që kanë shpërthyer në postën e Korçës, ku për një pjesë të tyre ka filluar hetimet prokuroria. Ministri Ahmetaj duhet të kërkojë informacion dhe llogari se:

– Si qëndron çështja e hapjes me forcë të pikës së Pirgut?

-Po librin e shpërndarjes së pensioneve kush e zhduku dhe pse?

-Ku ikën milionat e pensionistëve dhe pse pas rakordimeve nuk ka ndëshkim?

-A ka raste të ndarjes së parave me pagatorët e fshatrave dhe kush është ‘Mon Kukaleshi’?

– Para pak ditësh në Postën e Korçës është zhdukur libri i arkës dhe nuk gjenden 900 mijë lekë? Kush i zhduku?

-Po fondet që jepen nga qeveria për zyrat, mirëmbajtjen dhe riparimet ku shkojnë?

-Pse rregullimet dhe lyerjet bëhen duke u mbajtur paratë punonjësve, të cilët mallkojnë qeverinë, sepse nëpunësve u thuhet është urdhër nga lart. Kush janë ata lart? Drejtori i Përgjithshëm? Ministri? Apo Kryeministri?…

Të gjitha këto do të jenë objekt i shkrimeve dhe analizave të këtyre ditëve, ndërkohë që organet që luftojnë krimin ekonomik dhe ai auditimeve të ministrisë së linjës duhet të nisin menjëherë hetimet për të mos baltosur imazhin e qeverisë në institucionet publike që kanë lidhje me qindra qytetarë, por edhe votues-ndëshkues të fushatave më të afërta.