Skandal/ Krimi ushqimor nuk njeh ligj e patriotizëm, por vetëm klientelizëm për përfitime me pazare pirate

453
Sigal

Drejtori çam i AKU “shqyen” trarët e Kakavijës, urdhëron të futet miell i skaduar i tregtarëve grekë

 

Përparim HALILI

 

Ndërsa partia çame (PDIU) përbetohet për patriotizëm dhe deklaron, se programi i saj ka si bazë trekëndëshin “Drejtësi-Integrim-Unitet”, anëtarë dhe drejtues politikë e shtetërorë të emëruar prej shefave të kësaj partie në poste të larta shtetërore e kanë vënë në “trekëmbësh” edhe atë pak dinjitet të mbetur të PDIU. Këtë e konfirmon një skandal i rëndë ushqimor, i bërë nga Drejtori i Përgjithshëm i AKU, biznesmeni Dritan Sejko, me një rast konkret importi mielli, që është futur nga Greqia në Shqipëri, nëpërmjet PIK (kufirit) të Kakavijës. Skandali është regjistruar me zë dhe me figurë nga gazeta “Telegraf” me dëshmi të plota prej 3 orësh nga shefa dhe nëpunës të pikës kufitare të Kakavijës, të cilët denoncojnë skandalin në fjalë, që në vijim do ta zbardhim të plotë. Konkretisht, në datën 20 shtator 2016, pasi ka kaluar traun e doganës dhe të policisë greke, në Pikën Kufitare në Kakavijë është futur një maune e ngarkuar me 24 ton miell prodhim grek (sipas certifikatës së origjinës që shoqëronte miellin nga Greqia). Kjo maune me miell, nuk u lejua të futej në territorin dhe tregun shqiptar, duke u bllokuar. Shkak ishte fakti, se mielli ishte jo vetëm i skaduar dhe me rrezatim radioaktiv, por edhe treguesi i sasisë së proteinës së këtij mielli ishte vetëm 7%, shënuar në letrat shoqëruese të autoriteteve të kontrollit dhe standardeve ushqimore greke. Mielli nuk u lejua të futej në Shqipëri, mbasi në vendin tonë nuk lejohet të futet miell me sasi proteine nën nivelin 9% dhe ky vetëm për biskota. Ndërsa për prodhim buke, lejohet të futet nga importi vetëm miell me nivel proteine 12%. Përballë këtij ligji të detyrueshëm për cilësinë dhe sigurinë ushqimore të produkteve, që futen nga importi, u bllokua maunia me 24 ton miell grek, i cili ishte jashtë standardit ushqimor, ndaluar nga ligji shqiptar për ushqimin, referuar kjo edhe rekomandimeve detyruese të BE. Ky fakt u zbulua nga agjentët shtetërorë e privatë të hetimit doganor shqiptar. Bllokimi i këtij mielli jashtë standardit e me rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e konsumatorit, nuk kishte ndodhur më parë, ndaj krijoji “çudi” tek policët e kufirit, të doganës, të tatimeve dhe tek policët  e rendit, të cilët na kanë deklaruar, se në Kakavijë janë futur nga 5-6 maune të tilla me miell grek, duke u futur pa asnjë pengesë në tregun shqiptar, pajisur me letra kontrolli sigurie false. Po sipas dëshmive të tyre, thuhet se ky miell është biznes i drejtuesve të PDIU dhe njerëzve të fuqishëm të politikës, të cilët janë edhe ortakë mes tyre me tregtarë dhe politikanë grekë, që organizojnë “tregun e zi” e kriminal të ushqimeve me Shqipërinë, duke kalkuluar letrat si të sigurta nga institucionet dhe bizneset e të dy anëve të kufirit! Mielli i bllokuar në rastin konkret është vetëm një nga produktet ushqimore vrasëse e me vlera ushqimore… kashtë! Sipas dëshmive të dhëna në “Telegraf”, nga zyrtarë dhe policë tatimorë, doganorë, kufitarë e të rendit, thuhet se nga dogana e Kakavijës ka hyrë në Shqipëri mijëra ton miell i tillë, gjë që konfirmohet edhe nga burime brenda kupolës qendrore të AKU. Ky miell është futur dhe vazhdon të futet në Shqipëri, gjoja për prodhim biskotash, peta byreku e kadaif, por në fakt përdoret për bukë masive, duke u manipuluar gjatë prodhimit me përbërës kimikë, të cilët kontrollorët e AKU i dinë shumë mirë, se cilët janë, duke nisur që nga ngjyrosja e bukës… Kontrollori që e bllokoi miellin grek me rrezik që ishte certifikuar për biskota e kadaif, por që me letra zyrtare false regjistrohej e përdorej në Shqipëri për bukë masive, vendosi të njoftonte drejtuesit e tij dhe ashtu veproi. E mbajti të bllokuar maunen e ngarkuar me miell. Mirëpo, një telefonatë e bërë prej shefit çam të AKU të Shqipërisë, Dritan Sejko, urdhëronte që mielli të zhbllokohej… Çfarë ndodhi? Muania e ngarkuar me miell qëndroi e bllokuar në Kakavijë deri në datën 27 shtator 2016, për shkak se nuk u realizua skenari nga drejtori çam i AKU dhe shefat e PDIU e individë të politikës lokale e qendrore, të cilët u rropatën që mielli “krunde” i tregtarëve grekë  të futej në Shqipëri.  Mirëpo pas 7 ditë “burgosjeje”, mielli grek u zhbllokua e fut në tregun shqiptar, i lejuar dhe i pajisur “me letra të rregullta” nga një inspektor i AKU në PIK, i “deleguar dhe instruktuar” posaçërisht prej drejtorit çam të AKU!  Ditën e zhbllokimit të maunes me miell skarco, janë zhvilluar debate në Kakavijë mes kontrollorëve të policisë, të kufirit, të doganave e të tatimeve, por “bedeli” i drejtorit të AKU u deklaroi se “kishte marrë urdhër nga drejtori i tij, mbasi mielli ishte i ca figurave lart në qeveri, të cilët kanë folur me shefin e PDIU”. Gjithçka është mbyllur me lejimin e maunes të futej në territorin e tregun shqiptar, duke u shoqëruar më pas me ca “Analiza Tirane” që jepnin siguri, cilësi e standarde të këtij mielli. Tashmë, AKU nuk është më pengesë për këtë lloj mielli dhe maunet vazhdojnë të futen lirisht me “letra sigurie” të rregullta greke e shqiptare! Denoncuesit, kanë deklaruar për “Telegraf”, se kupola e re çame e AKU, lejon që në Kakavijë të futet jo vetëm miell i skaduar grek, por edhe vaj ushqimor, esencë pijesh alkoolike, ujë i ambalazhuar që 10 vite më parë, esencë freskuesesh e lëngjesh, agrume, perime, fruta, zarzavate, fileto pule, mish, lëndë e parë për sallamerinë, bulmetra, ushqime e qumësht për fëmijë, oriz plastik, lëndë e parë për qofte, akullore, ëmbëlsira, çokollata, të brendshme kafshësh e shpendësh dhe pula të skaduara e kancerogjene me tonelata dhe me jetë frigoriferike 20-30 vjeçare, të gjitha me etiketa falso! Edhe pse ka vetëm 48 ditë në këtë detyrë, kreu i AKU nuk ka nisur vendosjen e kontrollit të shthurur ushqimor, por ka vijuar këtë batërdi duke lëshuar urdhra që shqyejnë trarët e pikave kufitare e duke bërë emërime dhe komandime të besuarish në vende “ku bëhen lekë”, për të lejuar ushqime importi jashtë cilësisë dhe me rrezikshmëri për jetën, siç ishte rasti i 24 tonë fileto pule biznes i një “bosi” politike, të cilat përfunduan para disa ditësh në Sukth, lejuar e “çertifikuar” brenda orës me “analiza të rregullta” dhe u lejuan për konsum! Skandali i bllokimit dhe zhbllokimit të miellit grek lejuar prej drejtorit çam të AKU, tregon se krimi ushqimor nuk njeh ligj e patriotizëm, por vetëm klientelizëm për përfitime, në emër të cilit ky drejtor, ashtu si paraardhësi i tij, ka nisur të bëjë edhe “gjenocid” ndaj atyre vartësve që nuk janë në një linjë pazaresh me të! Gazeta “Telegraf” do të zbardhë të plotë skandalin në fjalë, madje edhe një skandal tjetër në lidhje me monopolin e ri të shtypjes së etiketave, të krijuar me presione ndaj bizneseve, prej vartësve të drejtorit çam të AKU, sipas “CV-së” tij zyrtare rezulton, se ka një biznes shtypshkronje…

 Prodhimi i biskotave në Shqipëri “ha” 2 mijë ton miell në vit, por faktikisht me letra dogane importohen 25 mijë ton!

Skandalin e miellit që futet në Shqipëri për prodhim biskotash e provojnë “letrat” e sasisë vjetore të miellit për biskota që futet në Shqipëri nga importi dhe sasisë vjetore të këtij mielli, që përdoret faktikisht nga 4 linjat që prodhojnë biskota në vendin tonë. Në Shqipëri futen nga importi 25 mijë ton miell vetëm për prodhim biskotash, i ndaluar të përdoret për prodhime të tjera brumi. Këto 25 mijë ton miell grek, serb-rus e maqedonas, me “letra” doganore e analitike figurojnë vetëm për prodhim biskotash dhe me këtë “emërtesë e certifikim cilësor” bëhen hyrje nga prodhuesit e biskotave, sikur janë furnizuar me 25 mijë tonë miell. Sipas kapaciteteve teknologjike të linjave prodhuese të biskotave dhe sipas evidencave e bilanceve vjetore të deklarimit të prodhimit vjetor të tyre, rezulton se të 4 linjat e prodhimit të biskotave që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, “hanë” së bashku afro 2 mijë ton miell në vit! Po 23 mijë tonë miell me përmbajtje 9% proteinë i importuar me etiketë “Për biskota”, ku shkon, ku përdoret, si lejohet të përdoret, kush e lejon? Burime nga “sirtarët” sekret e konfidencialë të AKU, na konfirmuan se kjo sasi mielli që vjen për biskota, përfundon në furrat e bukës, madje edhe “me letra të rregullta” sikur është me 12% proteinë! Kush e lejon? Natyrisht, ata që kanë në dorë “llozin e portës” së kontrollit të importit dhe përdorimit të miellit, sipas destinacionit të prodhimit të produkteve për të cilët është importuar e certifikuar si standard! Ky skandal me miellin e biskotave që po përdoret për bukë, nuk mbaron me kaq…