Sigal

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë “zbuluar” kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili akuzohet se ka shpërdoruar detyrën. Një nga projektet më të debatuara në Vlorë ka qenë edhe vendosja e “Stolave Inteligjentë”, në zonën e Lungomares. Sipas auditit të KLSH, rezulton se çmimi i një stoli inteligjent, është 15 herë më i shtrenjtë sesa çmimi i tregut. Në total, vetëm për disa stola të vendosur në këtë shëtitore, KLSH thotë së dëmi që i është shkaktuar shtetit shkon në 150 milionë lekë (të vjetra). Këto para të shpërdoruara mund të ishin përdorur në investime të tjera që ndihmojnë realisht qytetarët, si rikonstruksioni i shkollave apo kopshteve. Në raport thuhet se projekti për këtë investim është hartuar nga J. P, Këshilltar i Kryetarit të Bashkisë Vlorë. Pra, në këtë projekt është i përfshirë drejtpërdrejt vetë Leli, i cili synonte ndërtimin dhe përgatitjen e infrastrukturës pasive dhe aktive të telekomunikacionit për një zgjidhje “Smart City” përgjatë shëtitores Lungomare, ndërtimin e një sistemi Ëi – Fi në pikat me dendësi të lartë përdorimi nga publiku dhe ato që frekuentohen nga turistët nëpërmjet teknologjive multifunsionale përgjatë shëtitores Lungomare. Gjithashtu, edhe vendosjen e stolave “Smart” përgjatë shëtitores Lungomare, module të karikimit të telefonave “Smart” për qytetarët dhe turistët përgjatë shëtitores Lungomare. Do të vendoseshin edhe kamera me cilësi të lartë. Pas zhvillimit së tenderit, më datë 10 korrik 2017 është lidhur kontrata me firmën fituese. Vlera e këtij tenderi ka qenë plot 634 milionë lekë dhe punimet duhet të bëheshin përgjatë 4 muajve. Në tender thuhej se përllogaritja e vlerës limit të kontratës është bërë duke marrë tre oferta nga tre subjekte duke përdorur si çmime për preventivin e fondit limit, mesataren e çmimeve të ofertuara nga këto tre oferta. KLSH thotë se gjatë përllogaritjes së vlerës së fondit limit të investimit, është përzgjedhur për të marrë ofertë nga një subjekt tregtar A. E., i cili nuk rezulton se tregton produkte të ngjashme me ato të preventivit dhe as nuk ofron asistencë teknike.

“Nga sondazhet e bëra në treg nga audituesit gjatë afatit të auditimit, rezultoi se, për të njëjtat produkte çmimet e ofertuara nga subjekte që operojnë në këtë treg janë deri në 20 herë më të ulëta nga çmimet e vendosur në preventivin e fondit limit përfshirë këtu edhe vendosjen e tyre në objekt” thuhet në këtë raport.” Më tej vijon se,” referuar kërkesave teknike lidhur me stolat inteligjentë kërkohet që materiali i përdorur për këta stola të jetë i tillë që të mos ndryshket. Në fakt nga verifikimi në terren rezultoi se stolat ishin të ndryshkur në disa raste. KLSH ka konstatuar se për rrjetin e fibrës optike 48 SM është kërkuar që kjo fibër të jetë e armuar, me fije alumini. Por, nga verifikimi në terren i punimeve rezultoi se fibra optike e vendosur nuk është me fije alumini. Vetëm këto fibra kishin një vlerë prej 172 milionë lekësh të vjetra.” “Si përfundim rezulton se, në mënyrë fiktive, janë preventivuar tepër në fond limit të paktën vlera 157 milionë lekë pa TVSH si pasojë e rritjes së çmimeve të përdorua për zërat e preventivit. Dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit dhe njësisë vendore në vlerën 15,879,800 lekë pa TVSH rezulton të jetë i ndarë në 5,959,800 lekë pa TVSH në ngarkim të anëtarëve të njësisë së prokurimit për rritje fiktive me pasojë dëm ekonomik dhe në vlerën 9,920,000 lekë pa TVSH në ngarkim të firmës sipërmarrëse të punimeve si rrjedhojë e mosrespektimit të zërave dhe specifikimeve të kërkuar nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Vlorë” –  përfundon KLSH.