Situata në PD, Shehu e Memia: Jemi për shëndoshjen e partisë asgjë më shumë

492
Fryma e krijuar brenda Partisë Demokratike duket se nuk po përcillet nga të gjithë “kundërshtarët” njësoj. Një pjesë e tyre kërkojnë ndryshime 
Prej më se një muaji në radhët e Partisë Demokratike vazhdon të qëndrojë i ndezur debati lidhur me reformimin e saj dhe për mënyrën se si do të realizohet një gjë e tillë. Zërat janë të ndryshëm. Kemi njërën anë të pozicionuar me liderin e saj Lulzim Basha, i cili e rimori drejtimin pas zgjedhjeve të brendshme në 22 korrik dhe, nga ana tjetër kemi ata që konsiderohen kritikët e ashpër të tij. Në krye të këtyre kritikëve qëndron Astrit Patozi. Por duket se tashmë ky i fundit ka mbetur i vetëm përballë gjithë anëtarësisë së PD-së. Deri para 22 korrikut foli për largimin e Bashës, zhvilloi dëgjesa me pjesë të anëtarësisë në rrethe, u mbështet nga disa prej tyre, por pas zgjedhjeve ka ndryshuar taktikë. Pak ditë më parë publikoi platformën, përmes së cilës pretendon se do të reformojë PD. Kjo platformë, ndonëse ishte shkruar me pikat përkatëse, në fund nuk ishte firmosur prej askujt. Thuhej vetëm se është nismë e grupit të kritikëve. Në këtë moment, duket se të gjithë kritikët janë shpërndarë dhe secili prej tyre e argumenton qëndrimin në mënyrë individuale. Një prej anëtarëve të vjetër të Partisë demokratike, i cili doli hapur kundër Lulzim Bashës është edhe Sherefedin Shehu. Që pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ai deklaroi se ishte pro dorëheqjes së Bashës dhe hapjes së rrugës për votim të ndershëm dhe të drejtë brenda PD-së. Ka dhënë qëndrimet e tij pro reformimit të partisë. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, Shehu deklaroi ditën e djeshme se nuk ka asnjë opinion për të dhënë lidhur me platformën e publikuar nga Astrit Patozi në emër të kritikëve ose si thirren ndryshe, grupi anti-Basha. “Unë nuk kam asnjë plan, asnjë ambicie. Unë kam një qëndrim individual dhe nuk kam luftë brenda Partisë Demokratike. Do ndjek standardet e mia. Unë kam qenë, jam dhe do të mbetem pjesë e Partisë Demokratike. Nuk kam ndërmend të largohem prej saj. Jam një demokrat që kam qenë prej vitesh në radhët e saj”, u shpreh Sherefedin Shehu. Më tej ai shtoi se qëndrimet e tij i ka bërë të njohura edhe brenda partisë. Madje nuk ngurroi të thotë se nuk është bërë pjesë e ndonjë grupi brenda partisë tek e cila aderon prej vitesh. Qëndrimet e tij duket se mbështeten edhe nga anëtarë të vjetër të kësaj partie. Kështu Shaban Memia është një prej anëtarëve që firmosi dorëheqjen e Lulzim Bashës. Por sot mendimi i tij është më i drejtpërdrejtë. U shpreh se është me çdo veprim që ka si qëllim shëndoshjen e Partisë Demokratike. Edhe Memia deklaroi se nuk bëhet fjalë për grupe, por për mendime ndryshe brenda partisë, mendime të cilat e shëndoshin atë dhe e çojnë përpara.
Sigal