Situata me zjarret në vend, Emergjencat Civile thirrje qytetarëve për ndihmë, ja vatrat

514
Vendi ditën e djeshme ka vazhduar të jetë nën pushtetin e flakëve. Janë shënuar 15 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Shkodër, Fier, Berat, Lezhë. Ndërkohë thuhet se për shuarjen e tyre janë angazhuar 24 makina zjarrfikëse, 109 forca zjarrfikëse, 20 punonjës të Gardës, 90 forca ushtarake, 11 forca pyjore dhe helikopterë. Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
Qarku Tiranë
Në Malin e Dajtit, pas ndërhyrjes së helikopterit, vatra e zjarrit në është më pak aktive. Forca të MZSH Tiranë dhe forca ushtarake po punojnë për të mbajtur zonën nën kontroll nga vatrat e fshehura të zjarrit.
Qarku Vlorë
Në fshatin Dukat, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, situata ka agravuar gjatë gjithë ditës pasi zjarri favorizohej dhe nga era e fortë. Për këtë shkak, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile (DPEC) kanë komunikuar me Qendrën e Përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në Bashkimin Evropian (ERCC) për dërgimin në vendin tonë të një avioni tip CANADAIR për të shuar vatrat e zjarrit. Vatrat e zjarrit ndodhen në krahun e majtë në aksin rrugor Orikum-Llogara-Himarë, konkretisht: 1 në fshatin Dukat, 1 në Parkun Kombëtar të Llogarasë, 1 sipër fshatit Palasë dhe pjesa tjetër e vatrave të zjarrit janë në fshatrat e Lumit të Vlorës (Tërbaç, Vranisht dhe Kallarat).
Qarku Dibër
Në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, bashkia Dibër, vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive. Për shkak të terrenit të thyer malor ka qenë e pamundur ndërhyrja nga Shërbimi vendor i MZSH Dibër. Deri tani si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Qarku Elbasan
Në fshatin Gizavesh, bashkia Librazhd, ka rënë zjarr në një banesë. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Librazhd ka arritur të shuajë zjarrin, ku si pasojë u dogj banesa dhe disa bagëti.
Në fshatin Krastë, bashkia Elbasan, është riaktivizuar sërish zjarri i rënë dy ditë më parë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Elbasan ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me të gjithë personelin për shuarjen e flakëve, por situata ka agravuar pasi zjarri është favorizuar dhe nga era e fortë. Pas një pune të gjatë të MZSH Elbasan me ndihmën e MZSH Peqin, MZSH Përmet, MZSH Librazhd, MZSH Gramsh, MZSH Lushnjë, forcave ushtarake dhe të pyjores, u arrit shuarja e zjarrit, ku si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Në fshatin Kostenjë, Njësia Administrative Lunik, bashkia Librazhd, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë, ka qenë e pamundur ndërhyrja nga Shërbimi i MZSH Librazhd. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Qarku Shkodër
Në fshatin Lohe, Njësia Administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullore dhe bimë medicinale. Shërbimi i MZSH Malësi e Madhe ka shuar zjarrin. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe rreth 3 ha me hamullore dhe bimë medicinale në pronësi të tre shtetasve.
Qarku Fier
Në fshatin Metoh, Njësia Administrative Aranitas, bashkia Mallakastër, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shuarja e tij ka qenë e pamundur pavarësisht ndërhyrjes nga Shërbimi vendor i MZSH Mallakastër. Deri tani si pasojë e flakëve u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Qarku Berat
Në fshatin Kuç të bashkisë Skrapar, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.
Qarku Lezhë
Në fshatin Simon, Njësia Administrative Kaçinar, bashkia Mirditë, është riaktivizuar zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Mirditë, nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Deri tani si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Sigal