Sistemi mazhoritar në zgjedhjet e 2017 është zgjidhja e katharsit ndaj inkriminimit të Kuvendit

614
Jo rastësisht Kryetari i Kuvendit Ilir Meta para 3 ditësh u dërgoi letër kryetarëve të grupeve parlamentare, një letër ku u kërkonte ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Kohë më parë, në prapaskenën politike u luajtën nga PD-PS skenarë të ndryshimit të Kodit Zgjedhor aktual me qëllim futjen e një PRIM. Të dy partitë e mëdha duan që të konsolidojnë pozitat e tyre dominuese në skenën politike në kurriz të partive të treta, për t’ua bërë më të vështirë atyre përfaqësimin në Parlament, në mënyrë të tillë, që njëra nga ato të ketë një bonus elektoral për mandate deputetësh, në mënyrë të tillë, që të ketë shumicën e thjeshtë të kartonëve në Parlament, edhe kur nuk ka 51 % të votave të elektoratit në zgjedhjet parlamentare. Njëfarësoj, ky skenar politik që PS-PD u munduan ta hartojnë në prapaskenë, është një vazhdimësi e lojës politike që PD-PS luajtën në 21 prill 2008, kur ndryshuan Sistemin Elektoral dhe bënë ndryshimet kushtetuese, duke shpërfillur partitë e tjera. 
Dekriminalizimi kërkon edhe zhbërjen e sistemit aktual elektoral
Analiza politike që po i bëhet fenomenit të inkriminimit të këtij Kuvendi është se sistemi aktual proporcional me listat e mbyllura të kryetarëve të partisë, është faktori kryesor përgjegjës për futjen e elementëve me rekorde kriminale që të bëhen deputetë, nëpërmjet listave të mbyllura që hartojnë kryetarët e partive. Mirëpo në propozimet që u bënë për ndryshime kushtetuese për reformën në drejtësi, PD-PS anashkaluan domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese edhe për sistemin zgjedhor, por u munduan që me hartimin e një projektligji për dekriminalizimin, të futin në Kodin Zgjedhor pengesa ligjore për të mos lejuar elementë me rekorde kriminale të kandidojnë për deputetë. Partitë parlamentare, si LSI, PR, PDIU, PBDNJ, por edhe partitë e tjera jo parlamentare kanë kërkuar me forcë që të ndryshohet sistemi elektoral proporcional, i cili nuk i jep mundësi elektoratit të përfaqësohet në parlament me votën e vet. Iniciativa e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, me letrën publike, për të kërkuar ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, do të thotë, që ky komision i posaçëm parlamentar të rishikojë sistemin elektoral aktual dhe të propozojë edhe ndryshimet e duhura kushtetuese. Me fjalë të tjera, ky komision parlamentar duhet të zhbëjë sistemin elektoral aktual dhe të propozojë një sistem elektoral, ku votuesit të zgjedhin me votë përfaqësuesin e tyre në parlament dhe jo kryetari i partisë të emërojë deputetët me listë të mbyllur. 
PD-PS pranojnë komision parlamentar për reformë zgjedhore, por…. Nuk do të pranojnë mazhoritarin
Kryeministri Edi Rama ishte iniciatori i ndryshimeve kushtetuese në 2008, ishte projektuesi i sistemin elektoral proporcional, është adhuruesi hartimit të listave të mbyllura për kandidatët për deputetë, që i jep mundësinë të ketë monopolin e kontrollit të partisë. Ndaj kohë më parë, në prapaskenë ranë dakord për një bonus PRIM në Kodin Zgjedhor, në mënyrë të tillë, që të qeverisin të lira, pa patur nevojën e aleancave me partitë e tjera të treta. Mirëpo, të ndodhura përpara përgjegjësisë për dekriminalizimin e Parlamentit, PS parimisht është dakord që të ngrihet një komision i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, por kjo nuk do të thotë që do të pranojë sistem zgjedhor mazhoritar me lista të hapura. 
Përgjigjja e Ruçit
Partia Socialiste, përmes kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruçi, dha përgjigje pozitive për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gramoz Ruçi i përgjigjet po me një letër, ku i shpreh dakordësinë e plotë për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën. Letra e Ruçit shoqërohet edhe me një projektvendim prej 12 pikash, ku PS-ja jep sugjerimet e saj për ngritjen e komisionit dhe mënyrën e funksionimit të tij. Ruçi nënvizon se PS është menjëherë e gatshme për fillimin e një procesi gjithëpërfshirës për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Madje PS-ja nënvizon së është e hapur edhe për konsultime paraprake midis partive parlamentare. PS nuk prek fare sistemin aktual zgjedhor, por kërkon që të bëhen arnime në Kodin aktual Zgjedhor. Në propozimin me 12 pika, thuhet se komisioni duhet të jetë bipartizan, pra me bashkëdrejtim të kryetarëve të PD dhe PS dhe të jetë i përbërë nga 10 anëtarë, 5 të shumicës dhe 5 të pakicës. Shumica parlamentare mirëpret propozimet e pakicës parlamentare të bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe palët angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet në asistencën dhe ekspertizën e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias”, thuhet ne propozimin e Ruçit.
Paloka: Duhet një Kod i ri Zgjedhor për qeverinë teknike
Pas letrës së kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, reagoi kryetari i grupit demokrat Edi Paloka, duke u shprehur se kjo reformë ka qenë kërkesë e vazhdueshme e opozitës, duke marrë në konsideratë edhe vërejtjet e vazhdueshme të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri. Edi Paloka tha se edhe ngritja e qeverisë teknike parashikon realizimin e kësaj reforme të rëndësishme për procesin zgjedhor.“Absolutisht ka qenë Partia Demokratike që ka kërkuar me këmbëngulje që ato vërejtje, ato këshilla që ka dhënë OSBE/ODIHR, minimalisht ato të pasqyrohen në Kodin Zgjedhor. Për kërkesën konkrete të Metës, sot (dje) e kemi marrë në dorë, do ta shqyrtojmë dhe do të japim dhe përgjigjen konkrete. Çdo qeveri që do të bëjë zgjedhjet dhe ajo teknike që ne kërkojmë sigurisht që do të ketë dhe një Kod të ri Zgjedhor. Ndryshimi i kodit zgjedhor bëhet vetëm më konsensusin e të gjitha palëve”, u shpreh Paloka.
Reagimi i partive të tjera: Duan lista të hapura
Republikanët do të paraqiten me propozime konkrete në tryezën e reformës zgjedhore. Aleati kryesor i demokratëve kërkon që të ruhet sistemi proporcional rajonal, ndërkohë sa i takon formulës së shpërndarjes së mandateve për republikanët duhet rishikuar. Republikanët do të kërkojnë lista të hapura, duke synuar zbehjen e rolit të kryetarëve të partive në përzgjedhjen e kandidatëve. Partitë politike jo parlamentare shqiptare apo partitë e vogla, në takimin e dytë mes tyre, pasi diskutuan nevojën për reformën zgjedhore ju drejtuan me një letër Kuvendit të Shqipërisë. Letra vendoset në dijeni edhe të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadores së BE-së në Shqipëri, Ambasadorit të Prezencës së OSCE-së në Shqipëri, Përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri dhe Zyrës së ODIHR në Varshavë, ku kërkohet të vlerësojnë drejt shqetësimin e këtyre subjekteve politike për faktin se, përfaqësojnë 25-35 për qind të votuesve shqiptarë dhe që për shkak të procesit zgjedhor të deformuar, janë jashtë institucioneve vendimmarrëse. 
Sigal