Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, gangrena korrupsionit!

336

FORUM/ Flasin për “Telegraf” av. Spartak Ngjela, av. Idajet Beqiri dhe av. Ndue Pjetra

Gjendja e sistemit të drejtësisë në Shqipëri është shumë e keqe dhe gangrena kryesore mbetet korrupsioni. Konstatimi vjen nga Joaquin Urias, eksperti spanjoll, i cili për katër vite drejtoi misionin europian të asistencës në sistemin e Drejtësisë, Euralius 3. Në një intervistë në një nga mediat shqiptare, Urias ndër problemet e shumta që ka sistemi i Drejtësisë, rendit dhe ndërhyrjet politike apo lidhjet gjykatës-politikë. Ndër të tjera, z. Uria ngre pikëpyetje lidhur me reformën në këtë sistem, duke hedhur idenë se, ministri i Drejtësisë dhe Presidenti duhet të qëndrojnë larg Parlamentit nga KLD-ja sepse janë politikanë. Lidhur me këtë, por edhe me deklarata të tjera, flasin për “Telegraf”: av. Spartak Ngjela, av. Idajet Beqiri dhe av. Ndue Pjetra.

PYETJET

1-Z. Urias, është shprehur se, ndër problemet më të rënda që ka drejtësia shqiptare është dhe ndërhyrja e politikës në drejtësi apo lidhjet gjykatës-politikë. Si e shikoni këtë deklaratë?

2-Si mund ta shmangim diçka të tillë?

3-Sipas tij, Shqipëria po bën reforma sepse ja kërkon BE dhe jo sepse do. Politika shqiptare nuk po përpiqet të ndryshojë situatën, por po gënjejnë BE-në me “karamele”. Sa e vërtetë është kjo dhe sa mund të ndikojë kjo në vendimin e BE-së në qershor?

4-Sipas, z. Urias, KLD, si një institucion që garanton gjykatat duhet të qëndrojë larg Parlamentit. Në KLD duhet të shmangen ministri i Drejtësisë dhe Presidenti, sepse janë politikanë. A ndani të njëjtin mendim? Pse?

Spartak Ngjela

(Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi)

 Udhëhiqemi nga njerëz të paaftë për të ndërtuar shtetin shqiptar

 Përgjigja 1-Ai ka të drejtë. Çështja jonë e drejtësisë tani është një çështje e mprehtë kombëtare që ka të bëjë me të ardhmen tonë. Por, politikanë mediokër që po udhëheqin këtë shtet në këta 20 vjet, nuk e kuptojnë dot këtë, sepse janë gjendur gjithmonë nën trysninë e njeriut të rëndomte që thotë, “kam pushtet, s’di të bëj asgjë, më duhet të pasurohem”. Por kjo devizë nuk mund të ndodhte nëse do të kishte pasur gjithmonë një pushtet gjyqësor me personalitet për të dhënë drejtësi. Prandaj, pushteti gjyqësor është sot i ndërtuar në këtë hulli korruptive: merr të marrim. Politika e lartë përvetëson vlerat materiale të shqiptarëve, kurse gjyqtarët shesin drejtësinë për xhepin e tyre. Dy shitje të mëdha janë këto: njëra palë shet shtetin, kurse pala tjetër që duhet t’i ndëshkojë për këtë shitje, është e ndërtuar në atë mënyrë që edhe ajo të shesë drejtësinë.

Përgjigja 2-

Kjo shmanget vetëm me anë të një klase politike që është zgjedhur për të bërë këtë reformë drastike në drejtësi, por me këta që janë në krye të vendit, kurrë mos prisni. E para që s’e kuptojnë dot dhe e dyta sepse kurrë s’e dëshirojnë, ngaqë janë të përfshirë në marrëveshjen që shpjegova më lart.

Përgjigja 2- Gënjeshtra dhe një “bërje sikur”, kjo është gjendja për reformën në drejtësi. Kush mendoni ju se do ta bëjë reformën në drejtësi: Meta? Po ta dëgjojë çdo shqiptar këtë, në fillim do të qeshë dhe mandej me mërzi do të thotë: si ka mundësi që vjedhësi të bëjë drejtësinë shqiptare? E pra, e shihni sesi jemi katandisur? Njerëz të korruptuar duan të “bëjnë reformën ne drejtësi”. Kot. Është e njëjta marrëveshje. Po Kryeministri shqiptar? As ai s’e do, sepse po ta dëshironte, do të ishte mbyllur faza e parë tashmë, sigurisht që është edhe ky palë në marrëveshjen që thashë më lart. Kot lodheni edhe ju edhe BE-ja: këta janë njerëz të paaftë për të ndërtuar shtetin shqiptar, drejtësinë shqiptarë dhe prosperitetin shqiptar. E shohin këtë kur vijnë në pushtet; dhe që ditën e dytë thonë me njëri-tjetrin: “Nuk bëhet ky vend”. Domethënë merrni ç’të merrni dhe hajde të manipulojmë votat derisa të vijë urrejtja popullore që t’ia japë sërish pushtetin atyre të vjetërve që po këtë gjë kishin bërë. Kjo është gjendja. Por, mos mendoni se mund të vijojë kështu. Kriza ekonomike, dhe urrejtja që po akumulohet nga padrejtësia shoqërore, do t’i ndëshkojë shumë rëndë këta mediokër që e mendojnë modalitetin sipas xhepit të tyre.

Përgjigja 4- Nejse, kjo në fakt është reforma. Ka shumë modele. Dhe mund të zgjedhësh kë të duash. Ajo që duhet theksuar me këtë rast është ky fakt: duhet të vendosim rendin juridik që të jepet drejtësi në Shqipëri. Kjo është motoja, sepse pas kësaj motoje të pranuar, modalitetet juridike gjenden shume lehtë.

Idajet Beqiri

(Kreu i Shoqatës së Avokatëve)

 KLD është “bisht” i Kuvendit të Shqipërisë

 Përgjigja 1- Ky konstatim është tepër i vjetruar. Madje, është thënë e stërthënë aq shumë, sa tashmë nuk surprizon askënd në këtë vend. Sistemi gjyqësor në Shqipëri qysh në fillimet e tij në vitet 1992 u konceptua, u formësua dhe funksionoi vetëm si një «krahë i dhunës» në duart e  PD-së dhe ish-Presidentit Berisha, për të ndëshkuar kundërshtarët politike me burgime, nga njëra anë, si dhe për t’i “shpronësuar” ata dhe pronësuar militantët e PD-së. U bënë përpjekje serioze për ta reformuar këtë sistem në vitet 1997-2001 dhe për hir të së vërtetës pati arritje të dukshme, pasi u arrit të kishim në gjykatat e shkallëve të para, të gjykatave të apeleve dhe në Gjykatën e Lartë gjyqtarë me integritet, profesionist të aftë dhe të prirur për të dhënë drejtësi. Qeverisja 8- vjeçare e Berishës 2005-2013 prishi në mënyrë skandaloze edhe ato bërthama strukturash pozitive që ishin formësuar në gjithë sistemin gjyqësor, sepse duke filluar nga gjykatat e shkallës së parë e deri në Gjykatën Kushtetuese, përmes emërimeve politike, u bë një rikthimin skandaloz prapa.

Përgjigja 2- Sistemi gjyqësor në Shqipëri tashmë është në një katastrofë të plotë dhe të vërtetë. Duhen reforma të thella për ta sjellë në parametrat normale të një shteti serioz ligjor. Nuk është e pamundur që të bëhet një gjë e tillë, por kjo kërkon në radhë të parë vullnet politik, kërkon profesionalizëm, vendosmëri dhe ndërhyrje të forta me mëndje dhe me zemër në çdo skutë të tij. Shumica aktuale qeverisëse i ka të gjitha aftësitë dhe kapacitetet, i ka burimet njerëzore, i ka të gatshme edhe modelet dobiprurëse për vendin tonë, madje i ka edhe numrat e votave në Kuvend.

Përgjigja 3- Reformat në drejtësi i bëjnë reformatorët. Politika shqiptare bëhet prej njerëzve më të prapambetur dhe të ngarkuar me një mori vesesh. Ky është një handikap që është i vështirë të kapërcehet. Bërja e reformave të thella në sistemin gjyqësor kërkon që së paku shumica e deputetëve të jenë ligjërues, siç i do institucioni i Kuvendit, dhe jo matrapaz, të korruptuar, të papërgjegjshëm e deri antishtet e kundër interesave kombëtare, siç janë shumica e tyre. Në këtë klimë ata edhe sikur të duan të bëjnë reforma në sistemin gjyqësor, nuk dinë. Ata nuk duan t’ia dinë për asgjë, as për BE, as për popullin, as për shtetin dhe institucionin e tij. Parësor kanë të përfitojnë prej korrupsionit galopant, prej përkohshmërisë në Kuvend. Me një klasë të tillë politike që nuk përfaqëson interesat e popullit dhe ato kombëtare, nuk mund të integrohet vendi në BE. Për hirë të së vërtetës nuk e meritojmë statusin.

Përgjigja 4- KLD është konceptuar keq. Ajo është “bisht” i Kuvendit të Shqipërisë, sepse prej legjislativit zgjidhen anëtarët e KLD-së. Kompetencat e KLD-së, përbërja e saj, mënyra e zgjedhjes të anëtarëve, kriteret për të qenë anëtarë të KLD, janë probleme që duhet t’i prek një reformë e thellë. Kjo KLD nuk e luajti dot rolin dhe misionin e saj. Madje është bërë një e keqe e madhe, ku fshihen të gjitha poshtërsitë e sistemit të kalbur gjyqësor të vendit. Mënyra se si është ndërtuar dhe se si funksionon KLD, tregon më së miri të kthyerit e saj në “arenë” përleshje se kush do e kapi atë për të mbajtur gjallë këtë nivel korrupsioni në sistemin gjyqësor. Nga njëra anë Nishani, si “President” vetëm i PD-së, nga ana tjetër Ministri i Drejtësisë, i cili përpiqet maksimalisht të pakësojë vendimmarrjet skandaloze të kësaj  KLD-je aktuale, e cila « de fakto » është kthyer në një «celul» të PD-së, domosdo do të kemi këtë situatë të pakëndshme që kemi.

Ndue Pjetra

(Kreu i Shoqatës Antikorrupsion)

Pavarësia e gjyqësorit është zgjidhja finale në reformën e drejtësisë

 Përgjigja 1-Konstatimi i z. Urias është i saktë, pasi fenomeni i ndërhyrjes së politikës në sistemin e drejtësisë është aq i hershëm sa dhe vetë demokracia shqiptare. Kjo ka ardhur si rezultat i ndryshimit të kaheve politikë dhe përpjekjeve për të influencuar dhe ushtruar presion në sistemin e drejtësisë nga partia që zotëron pushtetin, si në zgjedhjen e gjyqtarëve ashtu edhe prokurorin e përgjithshëm, kjo e fundit e ndihmuar edhe nga e drejta që i jep Kushtetuta Partisë që ka shumicën në Parlament. Një fakt tjetër në këtë drejtim janë edhe vendimet e qeverisë të nxjerra në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Përgjigja 2- Pavarësia e gjyqësorit është zgjidhja finale dhe e dëshiruar nga të gjithë qytetarët shqiptare. Një nga alternativat e mundshme të zgjidhjes është mënjanimi në mënyrë absolute i zgjedhjes së gjyqtarëve nga institucionet jo të pavarura politikisht, si dhe shkëputja e lidhjes gjykatë – politikë.

Përgjigja 3- Demokracia shqiptare është në fazën latente të zhvillimit të sistemeve të konsoliduar demokratike. Nga ana tjetër mjedisi politik është skajshmërish i dominuar nga influenca e partive në pushtet dhe mosmarrëveshjet me opozitën. Mungesa e dialogut dhe mosdëshira për të bashkëpunuar në sjelljen e reformave në te mire të vendit ka shkaktuar vonesa, të cilat japin mesazhin në publik të moskokëçarjes së klasës politike ndaj mesazheve të qarta që vijnë nga instancat më të larta të Bashkimit Evropian.

Përgjigja 4- Si Presidenti ashtu edhe ministri i Drejtësisë janë preferencë dhe zgjedhje direkte e politikës, që vështirëson punën e të qenit i pavarur dhe jo i ndikuar nga politika. Këto dy institucione nuk mund të jenë pjesë përbërëse e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Më lejoni të them se Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë është pothuajse i ngjashëm me Kodin e Procedurës Penale të vendit fqinj, Italisë, por ndërkohë sipas këtij të fundit, ministri i Drejtësisë nuk është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kjo duhet të zbatohet edhe në Shqipëri. KLD duhet të përbëhet nga gjyqtare, juristë të mirënjohur të fushës, akademike dhe avokate.