Sistemi i drejtësisë në kolaps, ndryshimet kushtetuese kanë rënë

545
Pas tërheqjes së Presidentit, Kuvendi merr përsipër të zgjedhë me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Lëmshi i institucioneve të reja, që po vdesin pa lindur
Sistemi i drejtësisë është futur në një ngërç të thellë, duke bllokuar edhe zgjedhjen e organeve të reja. Vonesa, ndërthurje, shtyrje dhe dështime e kanë karakterizuar prej më tepër se një viti të gjithë përpjekjen për ngritjen e strukturës së re të drejtësisë shqiptare. Një rrëmujë institucionesh, të vjetra e të reja, që nuk po arrijnë dot t’i hapin rrugë zbatimit real të reformës në drejtësi, aq shumë të diskutuar e të debatuar prej rreth 3 vitesh. Ndonëse ka kaluar 1 vit e gjysmë nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi dhe më tej miratimit të një pakete të madhe ligjesh për institucionet përkatëse, ende zbatimi nuk është vënë në rrugën e zgjidhjes dhe problemet nuk mungojnë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, dy trupat që do të administrojnë prokurorinë dhe gjykatat, ende nuk janë ngritur, ndërsa vetëm prej pak ditësh ka startuar procesi i rivlerësimit kalimtar të prokurorëve e gjyqtarëve. Një proces edhe ky i komplikuar dhe i vështirë, që rrezikon të zgjasë, por që në bazë të Kushtetutës, është çelësi për ngritjen e të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë. Ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi u miratuan në korrik 2016 dhe një muaj më pas kaloi në Kuvend një paketë e madhe ligjesh. Megjithatë për muaj me radhë u shty ngritja e organeve të vetingut, ndërsa pothuajse të gjithë institucionet dolën jashtë afateve të përcaktuara. 

Meta: Kuvendi të organizojë shortin
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka kryer procedurën e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), duke e kaluar këtë kompetencë te Kuvendi. Sipas Kreut të Shtetit, institucioni i tij nuk mund ta kryejë këtë procedurë deri më 5 dhjetor, për shkak se disa nga kandidatët për KED-në duhet të vijnë si propozime nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ). Por këto institucione nuk janë ngritur ende, ndaj Presidenti Meta, i konsultuar me misionet ndërkombëtare të asistencës, i është drejtuar Kuvendit për ta vijuar ky institucion procedurën. Për këtë arsye, kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka miratuar rregullat e përgjithshme për organizimin e procedurës së hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së. Gjithashtu, Ruçi ka vendosur që ky short do të hidhet më 7 dhjetor në orën 10:00. Pas këtij shorti, anëtarët e zgjedhur të KED-së duhet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të figurës (vetingut) dhe më tej, ata mund të nisin detyrën. Në bazë të Kushtetutës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. 

Saimir Vishaj: Sistemi i drejtësisë në kolaps total 
Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalist, Saimir Vishaj, thotë se sistemi i drejtësisë është në kolaps të plotë dhe se publiku ka mosbesim ndaj çdo veprimi të kryer deri tani. “E para dihet që sistemi i drejtësisë është futur në kolaps. Një fakt të tillë e shohim sidomos dhe ndryshimet e reja që janë futur në Kodin e Procedurës Penale. Reforma duket e dështuar që në fillimet e saj. Por jo vetëm kjo. Drejtësia ka dështuar edhe kur bëhet fjalë për zëvendësimin e kryeprokurorit. Në datë katër dhjetor thuhet se do të jetë një kryeprokuror i ri, ekstra-procedural. Por edhe pse flitet për një hap të tillë, ky prokuror është i detyruar të kalojë në strukturat e vetingut. Pra ai duhet të kontrollohet. Por kush do ta bëjë një gjë të tillë”, u shpreh Vishaj për “Telegraf”. Sipas tij, ka gjithashtu shkelje të afateve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. “E dyta, që është edhe kjo në shkelje të të gjitha afateve, ka të bëjë me ngritjen e KLP-së dhe KLGJ-së. Të dyja këto struktura duhet të ishin ngritur me kohë. Ato kishin një afat të përcaktuar, pra një muaj pas miratimit të këtyre strukturave nga Parlamenti. Por deri më sot asgjë. Këshilli i Emërimeve po kështu është i destinuar të dështojë”, thotë Vishaj. Për avokatin, ka një rrëmujë tërësore të sistemit. “Në këtë pikëpamje, kemi një amulli totale dhe sistemi i drejtësisë ka hyrë në një ngërç e në një rreth që askush nuk e di se si do të veprohet. Mendimi im ishte që para se të bëhej reforma, të ngriheshin kapacitetet. Në këtë mënyrë se si është vepruar, ne kemi mosngjallje besimi tek publiku”, shprehet Vishaj.
Sokol Hazizaj: Ndryshimet Kushtetuese kanë rënë
Avokati i njohur, Sokol Hazizaj, e ka humbur besimin e tij tek reforma në drejtësi. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, lidhur me afatet e përcaktuara për ngritjen e dy strukturave të reja të drejtësisë, KLP dhe KLGJ, të cilat janë kompetente për të bërë propozimin për emrat që do të jenë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Hazizaj e argumenton me një fjalë të vetme. Për të gjithçka ka marrë fund dhe çdo vendim i mëparshëm dhe çdo afat për zgjedhjen e organeve të reja të drejtësisë do të shtyhet. Hazizaj jep vlerësimin e tij edhe për ndryshimet kushtetuese. Ai shprehet se këto ndryshime kanë rënë tashmë, duke nënkuptuar se çdo lojë dhe deklaratë apo vendim që merret nga politika, është e pavlerë.
Sigal