Sistemi i drejtësisë në kaos, pas një viti, asnjë organ i ngritur. Flet avokat Frashëri: Dështimi, që në projekt

726
Sistemi i Drejtësisë në kaos, pas një viti asnjë organ i ngritur, rrezikohet reforma
Reforma në drejtësi nuk ka për të përfunduar asnjëherë, organet e reja të drejtësisë as vitin tjetër nuk do ngrihen, efekti zinxhir i mosfunksionimit të drejtësisë do vazhdojë
Zbatimi reformës në drejtësi has në të tjera pengesa. Mosngritja në kohë e institucioneve të reja, me efekt zinxhir kanë bllokuar njëra-tjetrën. Ngërçi i radhës është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Për këtë këshill, i cili rinovohet çdo vit, jo më vonë se data 15 nëntor e çdo viti kalendarik, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë i paraqesin Presidentit të Republikës listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet. Më pas Presidenti i Republikës, në prani të Avokatit të Popullit, përzgjedh anëtarët e Këshillit me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik. Iu kërkua Kuvendit të hedhë shortin për emërimin e anëtarëve të KED. Është vendosur që shorti të hidhet nga ky institucion në datën 7 dhjetor. Megjithatë gjithçka duket e ngadaltë. Kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga koha kur u miratua ligji për organet e reja të drejtësisë. Hapat për përzgjedhjen e kandidatëve, kanë qenë të ngadalta. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i pavarur që verifikon përmbushjen e kushteve ligjore dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Mosngritja e KED-së, mban peng edhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtuese. Në ngërç ka hyrë edhe institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Pra, mosngritja e KLP dhe KLGJ kanë sjellë efektin zinxhir të problemeve. Për juristët këto organe pavarësisht të gjithave, do të vazhdojnë të mos ngrihen dhe sistemi i drejtësisë do të jetë po i njëjti. 
Frashëri: Reforma e dështuar që me projektimin e saj, sistemi do vazhdojë të vuajë
Avokati Kastriot Frashëri e konsideron të dështuar reformën në drejtësi. Ai nuk ka shpresë se organet e reja të këtij sistemi do të ngrihen. “Do të them se nga autorët ata që projektuan reformën në drejtësi ndoshta nuk është menduar e gjithë infrastruktura që do të kalonin institucionet e drejtësisë, por edhe aktorët. Unë kam qenë kritik edhe në momentet kur do të miratohej paketa e sistemit në drejtësi dhe e kam parashikuar që kjo reformë nuk mendoj se e shëron sistemin e drejtësisë . E kam quajtur të nxituar. Nuk mund të eksperimentosh me një nga sferat më të rëndësishme të jetës. Një fjalë e urtë thotë, “në vend që të vesh vetullat nxjerr dhe sytë”. Për fat të keq, kjo ka krijuar një zhgënjim te opinioni publik i cili pret nga rezultatet e kësaj reforma të trumbetuar për 1 vit e gjysmë. Ju e patë në ditën kur filloi zyrtarisht komisioni i vetingut, njerëzit u dyndën me shpresën se do të gjenin zgjidhjen. Ne e kuptojmë qëllimin dhe misionin që kanë, por gjithsesi, mënyra se si këtyre komisioneve u është zvogëluar hapësira, tregon qartë dështimin. Fakti që një qytetar duhet të shikoj ose të kap me video gjyqtarët e korruptuar, tregon se nuk është serioze. Edhe pse ka një vit që bëhet një zhurmë e madhe asgjë nuk ka ndryshuar. Ata gjyqtarë që kanë qenë, ata vijojnë të bëjnë të njëjtën gjë pa u dridhur qerpiku. Në këtë kuptim nuk është bërë asgjë. Drejtësia vazhdon të jetë ajo që ka qenë. Në këtë kontekst për sa një qytetari nuk i realizohet një drejtësi efektive, dhe ai gjyqtarë të mendohet mirë kur ta jap, atëherë ne nuk kemi bërë asgjë. Dhe fakti që organet e vetingut e kanë kufizuar të drejtën e qytetarëve për t’u ankuar ndaj një vendimi, do të thotë se nuk është asgjë.

Edhe mënyra e formatimit dhe funksionimit të tyre siç është menduar në realitet , ka qenë e nxituar dhe jo e menduar . Fakti që për një vit nuk janë ndërtuar dhe vështirë se do të ndërtohen dhe për një vit tjetër, e bënë më të pabesueshme këtë reformë. E fut në kalandrat greke, e bënë më të pakapshme. Askush nuk jep një definicion, përse nuk krijohen këto organizma. Këto nuk mund të krijohen nëse nuk bëhet një ndryshim në ligj për shkak të mënyrës së organizmit dhe ndërtimit të tyre. Skandal në lidhje me përfshirjen e shoqërisë civile. Kjo pasi kriteret kanë qenë të pamundura për t’u realizuar nga ana jonë. Ata njerëz që kanë vajtur nga shoqëria civile, nuk e përfaqësojnë këtë shoqëri, por ata nuk përfaqësojnë asgjë. Ata që e kanë bërë këtë reformë nuk i duan njerëzit e ndershëm.” 
Ngritja e SPAK dhe krimet e rënda
Gjykata e Krimeve të Rënda riemërtohet në Gjykata e Antikorrupsionit dhe e Krimit të Organizuar. Ky proces nuk ka ndodhur ende, pasi është i kushtëzuar nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këto kushte në dispozitat kalimtare, meqë hyrja në fuqi e kodit në datën e sotme nuk përkon me krijimin e strukturave antikorrupsion të SAPK dhe Gjykatës së re të Posaçme është parashikuar në dispozitat kalimtare të kodit në nenin 285 që deri në krijimin e Gjykatës së Posaçme, veprat penale në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda do vazhdojnë të gjykohen po nga kjo gjykatë. Gjithashtu edhe për Prokurorinë është parashikuar që deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme çështjen e hetimit për veprat penale sipas nenit 75/a të ndryshuar që do jetë në kompetencën e Gjykatës së Posaçme do vijojnë të hetohen nga Prokuroria për Krime të Rënda sipas përcaktimeve përpara hyrjes në fuqi të këtij kodi.
Sigal