Sistemi drejtësisë në Shqipëri, nën darën e korrupsionit

424
Sigal

Ish-pronarët akuza Gjykatës së Durrësit: Vendime skandaloze për pronat tona, gjyqtarët më të pasurit nga biznesmenët

Ajo ç’ka po deklarohet nga ndërkombëtarët, “Për reforma radikale në organet e Drejtësisë Shqiptare, për të çrrënjosur njëherë e mirë korrupsionin”, duket se ka mbetur vetëm si një refren monoton. Madje, kur dëgjohet shpesh, dikush nga togat e zeza vë edhe buzën në gaz. Ndërsa prokuroria pasi i sitë mirë e mirë, disa çon në gjykatë fakirët që s’kanë as bukë të hanë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët sot, se sa lufta ndaj korrupsionit në organet që pretendojnë se “po japin drejtësi”. Mjafton të ndalesh në Gjykatën e Durrësit. Prej vitesh, mediat kanë patur në fokusin e tyre këtë institucion kaq të përfolur në qytet-portin më të madh të vendit, duke marrë shkas nga denoncimet verbale dhe zyrtare të qytetarëve, ish-pronarëve, biznesmenëve, hallexhinjve. Janë me qindra e mijëra vendime të dhëna nga Gjykata e Durrësit, nga gjyqtarë e saj, vendime sa të kundraligjshme, aq edhe të turpshëm, janë me qindra e qindra vendime gjykate për pronat, duke ja marrë një pale që disponon dokumentacionin e rregullt dhe duke ja dhënë një pale tjetër, e cila ka paranë, madje, duke zhvatur edhe një pjesë të pronave për vete. Le të dale sot një gjyqtar dhe të kundërshtojë publikisht me fakte, akuzat lidhur me apartamentet, vilat, lokalet, trojet nga Durrësi deri në Sarandë që ata disponojnë me emrat e tyre dhe emra të rremë, makinat luksi që disponojnë, (të Gjykatës së Shkallës së Parë apo dhe Apelit në Durrës) dhe të hedhë poshtë akuzat e bëra nga ish-pronarët e qytetit bregdetar, lidhur me vendimet e paligjshme që lidhen direkt me grabitjen spektakolare të trojeve dhe pronave, parave të marra ryshfet për t’i dhënë një vendim që e kanë detyrim ligjor ta bëjnë, duke dhënë drejtësi dhe vetëm drejtësi. KLD-ja aktualisht, duket se po merr masa ndaj shkeljeve të bëra nga disa prej gjyqtareve në disa qytete, por qytetari i lënduar dhe i poshtëruar nga vendimet skandaloze në Durrës, me të drejtë pyet se, kur do të ndalet KLD-ja, Presidenti Nishani edhe në Gjykatën e Durrësit? Përgjithësisht sot sistemi drejtësisë në Shqipëri ndodhet nën darën e korrupsionit. Një pjesë e mirë e gjyqtarëve janë të kapur nga ryshfeti, nga paraja, nga pronat e paligjshme që disponojnë dhe çuditërisht dhe paturpësisht, ngrenë zërin në forume dhe shoqata se: “ Po cenohet pavarësia jonë, qeveria po cenon pavarësinë e organeve të drejtësisë”. Madje këto forume, kanë nisur të kërkojnë ndihmë edhe tek ambasadat e huaja. Por gjyqtarët në Shqipëri e kanë harruar se, kolegët e tyre (po qe se quhen të tillë) në perëndim, nuk i ngjyejnë duart me para korrupsioni, nuk pasurohen me vila troje në bregdet e pallate, duke shitur e blerë ligjin, duke abuzuar me ligjin, duke nxitur vetëgjyqësinë mes ish-pronarit legjitim dhe “të fortit” dhe atij që jep milionat për ti mbushur xhepin. Asnjë gjyqtar (me përjashtime shumë të rralla) sot në Durrës dhe gjithë vendin, nuk ka mbetur pa u përfolur për lidhjet e tij me aferat korruptive, nuk ka mbetur me një shtëpi, por ka dy-tri, asnjë nuk ka mbetur me biçikletë, por ka dy-tri makina, madje dikush edhe të prodhuar në 20013, asnjë nuk ka mbetur si hallexhinjtë me 5 mijë lekë të vjetra në xhep, por ka mbi 50 mijë të tilla që i prish në ditë. Po t’i futesh një analize jo edhe aq të hollësishme, do të konstatosh se, gjyqtarët sot ndjehen dhe janë vërtetë më të pasur se ndonjë biznesmen, i cili edhe pse merr rrallë apo shpesh ndonjë tender, nuk disponon prona aq sa kanë ata, nuk prish aq para sa prishin ata, nuk vishet aq krekosur vishen ata, nuk ndjehet aq i lumtur sa ndjehen ata, dhe nuk është aq i përfolur sa janë ata. Dhe kjo ndodh sepse ata vërtetë janë të akuzuar çdo ditë për vendimet dhe pazaret e vendimeve, për shkeljet e ligjit dhe padrejtësitë që bëjnë ndaj qytetarit të thjeshtë. Po të shkosh vetëm një ditë në Gjykatën e Durrësit, do të ndeshesh me qindra hallexhinj me dosje në duar, me shkresa dhe vendime të kontestuara, duke u ankuar, duke akuzuar gjyqtarë e gjyqtare, duke sharë madje edhe avokatë të lidhur në rolin e sekserit me trupin gjykues. Vendimet e kësaj gjykate, kanë krijuar në ZRPP me qindra e qindra mbivendosje pronash, duke hedhur poshtë pretendimet e drejta të atyre që disponojnë dokumentacionin e para 100 vitesh dhe duke marrë për bazë ndonjë vërtetim të dëshmitarit të rremë, duke zgjatur dhe stërzgjatur procesin gjyqësor me vite. KLD-ja , duket të ndalet në Gjykatën e Durrësit, e cila mbetet e përfolur, duke nisur me kontrollin e dosjeve të përfolura të trojeve dhe pronave, por edhe me dosjet e tjera të gjykuara në gjithë këto vite nga gjyqtarët e Faktit dhe Apelit. Ajo duhet të ndalet edhe me pasuritë e gjyqtarëve, dhe pse jo, duke nisur nga verifikimi i çdo apartamenti, vile e lokali që ata disponojnë, e duke përfunduar në automjetet e luksit që i ndërrojnë çdo 6 muaj, e me paratë që kanë deklaruar dhe nuk kanë deklaruar në banka. Ndoshta pasi të kenë nisur ndëshkimet, forumet dhe shoqatat e tyre, duhet të kenë kurajën qytetare të kërkojnë “pavarësi të organeve të drejtësisë”, pasi sot për sot ato vetëm të tilla nuk janë.