Singhammer: Shqipëria faktor stabiliteti në rajon

455
Sigal

Delegatët gjermanë shprehin vlerësimet e besimin që ata kanë në arritjet e Shqipërisë duke uruar miqësi të mëtejshme

Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta vjen për një vizitë në Tiranë, delegacioni Gjerman kryesuar nga Nënkryetari i Bundestag-ut, z. Johannes Singhammer.  Ditën e djeshme në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua ceremonia festive me rastin e 30- vjetorit të vizitës së F.J.Straus në Shqipëri, ku Kryeministri i vendit Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe delegacioni gjerman mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse. Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria është një vend që ofron mundësi shumë të mira për investitorët gjermanë. “Është një moment i veçantë. Nisur nga ajo që tha ambasadori Hofmman se 30 vjet më parë s’do e imagjinonte kurrë që do ishte ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Unë besoj që nga të gjithë ne i vetmi njeri që mund ta imagjinonte te ishte këtu pas 30 vitesh është Maksi. Asnjërit nga ne të tjerët nuk i ka shkuar mendja në vitin 1984 që në 2014 mund të ishim në këtë sallë. Po të ishte paraardhësi im këtu do thoshte “This is a miracles of freedom”. Unë them që pa as më të voglin dyshim në vitin ‘84 kur Kryeministri i Bavarisë Strauss u shfaq në Shqipëri, u krijuar një legjendë e madhe urbane se ishte një nga liderët evropianë që Enver Hoxha e kishte sulmuar personalisht dhe në mënyrë të përsëritur. Vizita e parë ishte një vizitë turistike për të kaluar në Hanin e Hotit dhe për të parë Shqipërinë. E vërteta është që më pas Franz Strauss bëri përpjekje reale për të krijuar një marrëdhënie konkrete me regjimin atëhershëm por u desh rrëzimi i murit të Berlinit që të fillonte transformimi”,- u shpreh Rama. Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e ka cilësuar shtetin gjerman si një partner të rëndësishëm strategjik. “Të nderuar miq Shqipëria e vlerëson Gjermaninë si një partner të rëndësishëm strategjik për zhvillimin e vendit dhe të ardhmen evropiane. Ne çmojmë mbështetjen gjermane në përpjekjet tona për forcimin ligjit dhe bashkëpunimi do jetë mjaft i ngushtë për reformën në drejtësi. Gjermania vazhdon të jetë një model nxitje dhe frymëzimi për ne për të realizuar një Shqipëri me standarde evropiane. Tre dekada janë një stacion për të treguar çfarë duhet të bëjmë ndryshe për të nesërmen tonë. Jam i sigurt se zoti Strauss nëse do ishte këtu do ishte krenar që bënte pjesë në ato mendje të ndritura që e shihte Evropën njëlloj si Berlinin, pa mure. Do të jetë krenar për kontributin që dha si një nga arkitektët e urave të miqësisë mes vendeve të Europës”,- u shpreh Kreu i Kuvendit. Nënkryetari i Bundestag-ut, Johannes Singhammer theksoi faktin se Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon. “Vizita e Franz Strauss ka qenë një shembull për të treguar duhet të kapërcehet fakti i izolimit. Strauss ka thënë gjatë kësaj vizite se: “ndodhem prej një ore në Shqipëri, por kam besim tek shqiptarët”. Ne gjatë vizitës së sotme ndeshëm një mikpritje, e cila vërteton fjalët e Strauss. Është kënaqësi e veçantë që Shqipëria të erret statusin e vendit kandidat dhe ky është një hap historik. Një kënaqësi e veçantë është që konstatohet se Shqipëria është spirancë stabiliteti për rajonin. Më lejoni t’ju kthejë komplimentin pasi Shqipëria ka komplimentin për bashkëjetesën fetare, ndaj ky vend duhet të jetë krenar. Shanset e tanishme për integrimin e Shqipërisë në Evropë nuk kanë qenë kurrë më parë të mundura se tani, ndaj duhet të vazhdohet me punën”,-tha Singhammer. Ndërsa ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann theksoi se, “është kënaqësi e veçantë që përveç nënkryetarit të Bunderstagut, në këtë delegacion vinë dhe familjarë të Franz Strauss. Ajo çka më ka rënë në sy këtu është se vizita e Strauss është e gjallë tek njerëzit, aq më tepër e atyre që merren me politikë. Kam edhe kujtimet e mija personale në këtë periudhë. Në atë kohë po hidheshin gurët e themelit për marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani. Sot Gjermania është një donatore e rëndësishme e Shqipërisë në shumë sektor, siç është ajo e kanalizimeve dhe ujit”,-tha Hoffmann.

I pranishëm në këtë event ishte dhe i biri i Franz Strauss, së bashku me të bijën. Sipas Maks Strauss, kur babai i tij pa nga afër vuajtjet e shqiptareve vendosi të jepte kontributin e tij duke ofruar ndihmë. “Në kohën e Strauss Shqipëria ishte zona më e errët e Europës. Ne donim të shkonim në drejtim të Greqisë. Im atë në atë kohë mbante një kostum të çelët dhe jo të errët për rastin në fjalë. Dhe për momenti i tërheqjes që patëm për Shqipërinë ishte kur shkuam në Hanin e Hotit. Në atë kohë pati disa analiza sa i takon arsyes së vizitës së Strauss në Shqipëri. Ne patëm mundësinë të shihnim nga afër vuajtjet e Shqipërisë. Reagimi i menjëhershëm i babait tim ishte që duhet të ndihmonim këtë vend. Unë jam njohur dhe me Kryeministrin e vendit Edi Rama, në atë kohë ishte dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Duhet të komplimentoj zotin Rama për dizenjimin e zyrës së tij, e cila mund të konsiderohej më e veçanta për nga stili në gjithë Europën. Po e mbyll me një shprehje, të cilën do e përdorte dhe im at. “Për një miqësi më të gjatë, edhe për shumë vite”,-tha Maks Strauss, i biri i Franz Shtrausit.