Sindikata e Policisë së Shtetit: Policia të zbatojë vetëm ligjin dhe jo urdhrat politikë

478
Sigal

Sindikata e Policisë së Shtetit: Politika, larg duart nga policia! Të zbatohet vetëm ligji

Dje është zbardhur një urdhër i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, natyrisht i hartuar në zyrën e ministrit të Brendshëm, ku urdhëron të gjitha kompanitë e policisë private, që të mos lejojnë policët privatë që të marrin pjesë në protestë. Gjithashtu, nën zë thuhet se do bëhen identifikime, nëse pjesëtarët e familjeve të punonjësve të policisë së Shtetit marrin pjesë në protestë dhe masa e ndëshkimit do të jetë përjashtimi nga Policia i punonjësit. Sedadin Fishta, kryesindikalisti i Policisë së Shtetit në prononcimin për gazetën “Telegraf” i bën thirrje drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, që të mbajnë duart larg nga Policia e Shtetit, të mos japin urdhra politikë policisë që ta përdorin si kamxhik kundër çdo protestuesi, por të kërkojnë që policët në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë gjatë tubimit të protestës së Opozitës të zbatojë vetëm ligjin.

Fishta për “Telegraf”. Policia e Shtetit e ka detyrë ligjore që gjatë protestave, tubimeve të mbrojë rendin dhe sigurinë e qytetarëve, institucionet e rëndësisë së veçantë, por edhe të mbrojë qytetarët, protestuesit nga provokimet e njerëzve të veçantë. Policia e Shtetit duhet të garantojë rendin dhe sigurinë publike ndaj personave që shkelin ligjin dhe jo ndaj partive politike. Ne si sindikatë e Policisë u bëjmë thirrje edhe drejtuesve të ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, që të mos përdorin policinë e Shtetit si armë politike kundër qytetarëve, por të kërkojnë nga Policia të zbatohen vetëm standardet e ligjit. Policët të mos zbatojnë urdhrat politike të asnjë eprori, kur e shikojnë që ato urdhra shkelin ligjin, urdhërojnë për përdorim force ndaj qytetarëve protestues, sepse e kanë detyrë ligjore që të mbrojnë edhe sigurinë e çdo qytetari protestues nga çdo dhunues. Përgjegjësinë nëse shkelet ligji e merr policia e shtetit ndaj personave dhunues, por edhe vetë qytetarët duhet të denoncojnë këdo polic që shkel ligjin dhe dhunon protestuesit.