Silva Caka: Z. Blendi Klosi, reagoni ose përgjegjsia do të bjerë mbi ju

178

“Kemi pothuaj një vit që denoncojmë falsifikimin e diplomës së shkollës së mesme nga kreu i Këshillit të Bashkisë Skrapar, Z. Partizan Gorçe.
Denoncimet tona u faktuan edhe nga gazetarët e emisionit investigativ “Stop”, të cilët hulumtuan edhe më shumë për këtë çështje.

Z. Gorçe ndërkohë, përveç detyrës së anëtarit dhe kreut të Këshillit të Bashkisë Skrapar, prej më shumë se 18 muajsh, mban edhe detyrën e Përgjegjësit të Zonave të Mbrojtura në Skrapar, funksion i përmbajtur në organigramën e institucioneve rajonale të varësisë, të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, institucion që drejtohet nga Blendi Klosi, deputet i parë i Rilindjes në qarkun e Beratit.

Z. Klosi, si titullar, si ka mundësi që e mbani ende në detyrë edhe pas fakteve e provave, që provojnë mashtrimin e Z. Gorçe? Çfarë ju pengon që pas faktimit të këtij falsifikimi, të pezulloni Z. Gorçe dhe t’i drejtoheni Prokurorisë për të hetuar këtë rast?

Fakti që e keni patur anëtar të KZAZ-së në Skrapar, nuk e përjashton atë nga përgjegjësia penale, pasi jo vetëm ka falsifikuar diplomën e shkollës së mesme, por ka përfituar pa të drejtë dhe në mënyrë të paligjshme, pagën si Përgjegjës i Zonave të Mbrojtura për më shumë se 18 muaj.
Ju bëjmë thirrje të reagoni sa më shpejt, në të kundërt, përgjegjësia ligjore dhe politike do të jetë e Juaja!”