Silva Caka: Qeverisë nuk i interesojnë politikat sociale, por vetëm të vendosë taksa, taksa dhe vetëm taksa

620
Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së, Silva Caka 
Sot po miratojmë një marrëveshje me shumë rëndësi për qytetarët shqiptarë, siç është ajo e mbrojtjes shoqërore me Austrinë. Të tilla marrëveshje janë të mirëpritura në çdo kohë dhe nga çdo krah politik, pasi në thelb kanë shpërblimin e punës së qytetarëve shqiptarë, kudo ku ata e japin kontributin e tyre shoqëror, intelektual dhe fizik. 
Edhe meqë kemi Austrinë në shqyrtim, është me vend të sjellim në vëmendje të të gjithëve një fakt: Banka Botërore, përpara pak kohesh, ka marrë në krahasim pikërisht me Austrinë, zhvillimet në sektorin e pagave në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. 
E ndërsa gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa përpara në këtë drejtim, duke iu afruar sa të munden nivelit të pagave të Austrisë, Shqipëria jonë, ka bërë hapa mbrapa! 
Vendet me më shumë zhvillim në këtë sektor kanë qenë Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, ndërsa Shqipëria, jo vetëm që nuk ka përmirësuar nivelin e saj të pagave, por siç e thashë ka bërë hapa pas. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Shqipërisë, kanë kaluar nivelin e pagave të Bullgarisë e ndërsa Mali i Zi, ka tejkaluar nivelin e pagave të Hungarisë. Shqipëria nuk ka kaluar as nivelin e pagave të Burundit!
E si për të bërë një ironi të zezë, e cila ne fakt nuk duhet të jetë pjesë e retorikës tonë politike, por që realisht bëhet e pashmangshme në këto kushte, vendi me pagat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, ka taksat më të larta, e çdo ditë po na shtohen taksa të reja, duke zgjeruar gamën e taksave që na rëndojnë mbi shpatulla:
1. Fillojmë me taksën e banesës: Nga 1 prilli shqiptarët duhet të fillojnë të paguajnë taksë për shtëpitë e tyre, a thua se nuk e kanë paguar një taksë në momentin që e kanë blerë atë banesë. Por qeveria mendon që pavarësisht se shqiptarët kanë pronësinë e banesave të tyre dhe se duhet t’a gëzojnë këtë pronësi pa u cënuar as nga shteti e as nga palët e treta, duhet të paguajnë edhe një qera mujore, meqë po rrinë në shtëpite e tyre. Kur detyrimet për ndërtimin në një tokë publike apo private, i ka paguar ndërtuesi dhe blerësi në çmimin e blerjes, kur taksën për shitblerjen e ka paguar shitësi apo blerësi sipas marrëveshjes, për çfarë duhet edhe një takse banese? Për të mbushur arkën e shtetit, që e kanë boshatisur duke ua dhënë lekët tona oligarkëve, miqve dhe krimit, për zhvillimin e aktiviteteve të tyre! Pse nuk e shpallin gjendjen e emergjencës civile në Shkodër? Sepse nuk kanë mundësi financiare t’a përballojnë atë, sepse e kanë boshatisur arkën e shtetit. 
Nuk e di a kanë bërë ndonjë studim kur implementuan këtë taksë, por kjo taksë rëndon mbi të gjithë shqiptarët. Kanë përjashtuar disa kategori, por nuk kanë marrë parasysh një shtresë shumë vulnerabël ndaj taksimit të pronës, që është ajo e familjeve që kanë blerë një banesë me kredi. Jo vetëm ata që vijnë nga sistemi bankar, por besoj çdo shqiptar, që qoftë një herë të vetme ka blerë një shtëpi me kredi, e di mire se pronësia mbi atë shtëpi, de facto i takon bankës dhe jo individit. Logjika të çon të mendosh që nëse familjet shqiptare e mbyllin me sukses kredinë, pronësia e banesës bëhet më në fund e tyre dhe pagesa e kësaj takse rënduese, të pakten shkon për një pronë që në fund është e tyrja. Po çfarë ndodh nëse pas disa vitesh që individet paguajnë kredinë me principale e interesa, paguajnë edhe taksën tuaj të banesës, bien në paaftësi paguese dhe banesa, nëpërmjet procedurave të përmbarimit, shitet në ankand, çfarë do të bëjë shteti? Do t’ia kthejë mbrapsht ato para të paguara nën cilësinë e pronarit?! Nuk besoj që ju të jeni aq socialë e të mëshirshëm sa të mendoni për këtë kategori; ose edhe nëse e keni menduar, nuk ju leverdis t’a parashikoni, sepse kësaj qeverie nuk i intereson as siguria juridike e qytetarëve te saj dhe as politikat sociale për kategori të veçanta. E vetmja gjë qe i intereson është të na vendosë taksa, taksa dhe vetëm taksa. 
2. Një tjetër taksë që i rëndon kryesisht një zonë të Shqipërisë, por më së shumti atyre që zhvillojnë biznesin e tyre me Kosovën, është pikërisht pay-tall-i i Rrugës së Kombit. Për herë të parë ndodh që qytetarët të paguajnë taksë për një rrugë që u ndërtua me taksat e tyre. U tha këtu që të gjithë vendet e rajonit dhe Europës aplikojnë taksa në rruge. Sigurisht, madje do t’ju sjell një shembull: distanca mes Venecias dhe Tiranës është 1.106 km dhe për gjithë këtë distancë (e jo vetëm distancë e madhe, por edhe një rrugë me standarte tepër të larta sigurie dhe mirëmbajtjeje) një udhëtar paguan 20-22€. Për 255 km mes Tiranës dhe Prishtinës, shqiptarët, me pagat më të ulëta në rajon dhe Europë, duhet të paguajnë 10€, gjysmën e asaj që paguhet për distancën Venecia – Tiranë! Duket përsëri si humor i zi?! Epo duhet të mësohen shqiptarët! Kjo qeveri di të bëjë vetëm humor e të tallet me ta! 
3. Një tjetër taksë: bizneset e vogla futen në skemën e TVSH-së! Kjo do të jetë pa asnjë diskutim goditja më e madhe që do t’i jepet biznesit të vogël! 
Pasi më shumë se treçerekun e tyre e mbylli me aplikimin e kuponit tatimor preferencial, i ka mbetur peng të mbylli edhe atë çerekun që ia ka dale t’i mbijetojë, dhe duke e bërë pjesë të TVSH-së, nuk do të jetë e largët dita kur të mos blejmë dot më asnjë buke, as qumësht, as ujë, as vezë e asnjë kilogram perime e fruta aty afër shtëpisë. Do t’ia harrojmë emrin dyqaneve të vogla, furrave të bukës, pasticerive të lagjes, bulmetoreve e shumë e shumë bizneseve të tjera, pasi vetëm në këtë mënyrë, qeveria do të jetë në gjëndje të favorizojë qendrat e mëdha tregtare, të ndërtuara me paratë e drogës dhe të krimit, të favorizojë klientët dhe financuesit, oligarkët dhe përfituesit e PPP-ve. Ka shumë socialistë, të cilët zhgënjehen kur ata që votuan i lënë në harresë, duke e parë ndër vite si një shenjë mosmirënjohjeje. Këtu gabohen socialistët: ata janë mirënjohes, por jo ndaj jush të nderuar qytetarë! Me aq shume zullume sa kishin këta, ju me votën tuaj nuk do të kishit mundur kurrë t’a risillnit në pushtet Rilindjen! Prandaj këta nuk duan t’ia dinë për ju! Këta i sollën në pushtet kriminelët, kultivuesit e kanabisit, porositësit dhe transportuesit e kokainës, oligarkët, prandaj për këta është e rëndësishme t’iu shërbejnë atyre. 
4. Por le të rikthehemi tek TVSH-ja; shumë shpejt do rritet edhe TVSH-ja tjetër! Shumë shpejt, taksa e TVSH-së ose e RTSH-së do të rritet me 50%. Madje, të mos ju duket aspak çudi e të mos ju duket aspak e largët dita kur të filloni të paguani taksa për ERTV-në, me qëllimin hyjnor të shpërndarjes së dritës së qeverisë! 
A ka akoma taksa për të aplikuar?! Sigurisht që ka! Është vetëm fillimi, nuk kemi parë gjë akoma!
Në fund, për t’iu rikthyer rëndësisë së Ratifikimit të Marrëveshjes së Mbrojtjes Shoqërore mes Shqipërisë dhe Austrisë, do të doja të thoja se personalisht do të dëshiroja që këto tipe marrëveshjesh të mos ekzistonin fare, pasi janë tregues i largimit të shqiptarëve drejt vendeve të tjera të kontinentit e mëe larg. Do të doja që shqiptarët të punonin në Shqipëri e të gëzonin frytet sociale të punës së tyre pikërisht në Shqipëri, por kam frikë se kjo nuk do të ndodhë! Me këto nivele të frikshme të largimit të shqiptarëve drejt Europës, me këto nivele të frikshme të largimit të fëmijëve të moshës 7-17 vjeç dhe me dëshirën e 70% të fëmijëve 6-18 vjeç për të ndërtuar jetën e tyre diku tjetër, larg Shqipërisë (e faktuar nga studimi i Save the Children), kam frikë se për shumë pak vite, ndoshta 1 ose 2, të tilla marrëveshje do të duhet t’i ratifikojmë me çdo shtet tjetër, pasi shqiptarët do ikin çdo ditë e më shumë!
Sigal