Si u promovuan negociatorët që “shitën detin” te grekët

764
Negociatorët e paktit të detit, si u promovuan nga Rama
Hipokrizia/ Ndonëse marrëveshja me Greqinë u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese, njerëzit që e hartuan u ngritën në detyra nga qeveria socialiste
Pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është rikthyer sërish në qendër të debatit politik, ndërsa qeveritë në Tiranë dhe Athinë janë shprehur të bindura se mund të arrijnë në marrëveshje të re për ndarjen e kufirit ujor. Dy raunde bisedimesh tashmë janë bërë të qarta në Kretë dhe Korçë, ndërsa ministri i Jashtëm ka kërkuar një autorizim nga Presidenti i Republikës për këto negociata. Bisedimet mes palëve erdhën pas rrëzimit të paktit detar të vitit 2009, firmosur nga Basha dhe Bakojanis, që u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Socialiste. Si për ironi të fatit, ishte Saimir Tahiri personi kryesor që përfaqësonte socialistët në gjykatë, ndërsa vetë marrëveshja u rrëzua në vitin 2010 për shkak të mungesës së plotfuqisë nga Kreu i Shtetit. Por ndërsa pakti u rrëzua, njerëzit që e përgatitën atë nuk patën të njëjtin fat, ndonëse në vitin 2013 në pushtet erdhën socialistët, të cilët e dërguan paktin në gjykatë. Gjashtë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët bënin pjesë në grupit negociator të qeverisë “Berisha”, u promovuan nga qeveria “Rama”. Hetimi i prokurorisë për grupin negociator u mbyll pa rezultat, por pavarësisht kundërshtisë së socialistëve ndaj marrëveshjes, vetë zyrtarët arritën të siguronin promovime të rëndësishme në karrierë. Mes tyre spikat Ferit Hoxha, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vetëm pak ditë më parë, Hoxha u dekretua për të qenë ambasador i Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESKO). Me propozim të kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm, Bushati, diplomati i njohur u dërgua të përfaqësojë Shqipërinë në UNESKO, pavarësisht retorikës së vetë qeverisë kundër marrëveshjes së hartuar nga Hoxha dhe negociatorët e tjerë. Gjithashtu, Gazmend Turdiu, ish-drejtor Juridik në MPJ u emërua nga ministri Bushati si sekretar i Përgjithshëm i këtij dikasteri. Promovime në detyrë morën edhe të tjerë diplomatë, duke dëshmuar hipokrizinë ndaj asaj që cilësohet si ‘marrëveshja e detit’. 

Meta frenon Bushatin
Presidenti Ilir Meta pritet t’i kërkojë ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme plotësimin e të dhënave në kërkesën për plotfuqishmërinë në bisedimet me Greqinë. Burimet kanë bërë të ditur se, Kreu i Shtetit Shqiptar i është drejtuar me një shkresë zyrtare kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Ditmir Bushati për të vijuar me procedurat e kërkuara. Po ashtu mësohet se Kreu i Shtetit Shqiptar mund të kërkojë që në negociata të përfshihet edhe një përfaqësues i Presidentit, i Shërbimit Informativ Shtetëror si dhe i Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë burimet saktësojnë se nuk bëhet fjalë për një refuzim të kërkesës së paraqitur nga Bushati, por për plotësim të dhënash. Vendimi i Metës duket se është marrë pas konsultimeve me pesë ish-presidentët e Shqipërisë. Ndërkohë që Ministria e Jashtme greke e ka marrë autorizimin për të negociuar me palën shqiptare, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka marrë një shkresë nga Presidenti i Republikës që kërkon të mësojë emrat e negociatorëve shqiptarë. Ministri i Jashtëm shqiptar sqaroi procedurën sipas tij, por duke refuzuar të komentojë presidentin. “S’dua të komentoj presidentin. Në momentin që plotfuqishmëria do të vijë, normale që do të fillojë puna. Unë kam kërkuar mbi bazë të ligjit për marrëveshjen ndërkombëtare, autorizim, jo plotfuqishmëri, autorizim për të nisur punën. Pasi përfundon negociata duhet sërish që nga ana e presidentit të Republikës të lëshohet autorizimi për firmosjen e marrëveshjes dhe hapi i tretë kur presidenti i Republikës serish ka një rol, është momenti kur marrëveshja miratohet në Kuvend dhe presidenti i Republikës ka të drejtën e dekretimit ose jo të kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Bushati.
Negociatorët e paktit detar
1 – Ferit Hoxha, ish-sekretar i Përgjithshëm MPJ. U dekretua së fundmi si ambasador i Shqipërisë në UNESKO, me propozim të kryeministrit Rama dhe ministrit të Jashtëm, Bushati.
2 – Enkelena Mërkuri, specialist në MPJ, emërohet diplomate në Athinë.
3 – Gazmend Turdiu, ish-drejtor Juridik, emërohet sekretar i përgjithshëm i MPJ-së.
4 – Ilir Tepelena, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale, emërohet ambasador në Rumani.
5 – Suela Janina, specialiste MPJ, emërohet ambasadore në Belgjikë.
6 – Ledia Hysi, ish-drejtoreshë e Traktateve, emërohet në ambasadën tonë në Romë.
7 – Anduel Cauli, përgjegjës sektori.
8 – Kristaq Gërveni, ish-komandant i Flotës Detare.
9 – Krenar Muço, ish-drejtor i shërbimeve pranë kufirit.
10 – Ferdinand Berberi, ish-përgjegjës sektori MB.
11 – Miranda Zeka, ish-drejtoreshë gjeografisë ushtarake.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata thekson se kryetari i shtetit ka kompetencë që të ushtrojë ius repraesentationis omni modae, pra të bëjë të njohur ndërkombëtarisht vullnetin e brendshëm shtetëror dhe të përfaqësojë unitetin e shtetit në skenën ndërkombëtare. Mënyrat se si Presidenti e ushtron këtë funksion mund të jenë: Me pjesëmarrjen e vetë Presidentit në bërjen të njohur të qëndrimit politik të shtetit në marrëdhënie me jashtë, ose me anë të transferimit të autoritetit përfaqësues, nëpërmjet plotfuqisë, tek organet e tjera, kryesisht tek qeveria. Në lidhjen e marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar, si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, është e pashmangshme pjesëmarrja e Presidentit të Republikës, qoftë personalisht qoftë nëpërmjet plotfuqisë. Nga pikëpamja juridike, një përfaqësim i shtetit, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në marrëdhënie me jashtë nga ana e qeverisë, pa autorizimin paraprak të Presidentit, kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare me natyrë politike, nuk është në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës. 

Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.

Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës.

Zhvillimi i bisedimeve midis delegacioneve shtetërore me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje ka për synim hartimin e një teksti, i cili më pas kthehet në një instrument ligjor të detyrueshëm në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare, vetëm nëse palët shprehin në nivel ndërkombëtar pëlqimin e tyre për të qenë të lidhur nga kjo marrëveshje. Kjo shprehje vullneti mund të bëhet me anë të: ratifikimit, nënshkrimit (kur nuk është i nevojshëm ratifikimi) dhe aderimit. Në secilin rast, shteti shpreh formalisht vullnetin e tij për të qenë i lidhur me marrëveshjen ose traktatin ku dëshiron të aderojë . Në rastet kur legjislacioni i brendshëm e kushtëzon hyrjen në fuqi të marrëveshjes me ratifikimin nga parlamenti i secilit shtet, ky proces (ratifikimi) nuk mund të konsiderohet si akt i thjeshtë formal. Ai përbën një proces esencial të lidhur ngushtë me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së nënshkruar. Shteti palë në marrëveshje është i lirë, nëpërmjet organeve të tij legjitime, ta ratifikojë ose jo marrëveshjen.

Në prill, fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE
Shqipëria pret që në muajin prill, Komisioni Evropian të rekomandojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bazuar dhe në rekomandimin e vitit 2016. Duke folur në konferencën përmbyllëse të Akademisë së Integrimit Evropian, Bushati tha se viti 2018 është një dritare e artë për vendimmarrje. Bushati ripërsëriti pritshmërinë që qeveria shqiptare ka për hapjen brenda këtij viti të negociatave të Shqipërisë me BE-në. Në këtë proces, tha ai, qeveria e ka të domosdoshme të ndërtojë kanale të qarta komunikimi dhe konsultimi me aktorë të shoqërisë civile. “Strategjia e zgjerimit është një hap pozitiv edhe sa i përket vlerësimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë individuale. Besojmë që në prill, Komisioni Evropian do të rekomandojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë, bazuar dhe në rekomandimin e 2016”, u shpreh ministri i Jashtëm. Për kryediplomatin shqiptar “nuk ka vend për vetëkënaqësi”. “Procesi i fillimit për anëtarësim për në BE do të jetë një proces edhe më imponues, edhe më kërkues dhe natyrisht që e konsiderojmë 2018 si një dritare të artë për një vendimmarrjen për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Qeveria e ka të domosdoshme, sidomos në procesin e anëtarësimit të BE për të ndërtuar kanale të qartë komunikimi dhe konsultimi me aktorë të shoqërisë civile. Nuk është se do të negociojmë diçka me BE-në, thjesht do të duhet të negociojmë afatet brenda të cilave marrim përsipër për të zbatuar të drejta dhe detyrime të caktuara. Procesi është i njëkahshëm sa i përket detyrimeve që duhen respektuar në praktikë dhe përmbushjes së këtyre standardeve”, vijoi Bushati. Sa i takon negociatave me Greqinë, Bushati u shpreh se “është e vërtetë që qeveria është aktori kryesor që negocion, meqenëse kanë lindur spekulime ditët e fundit se kush negocion në emër të Republikës së Shqipërisë”. Si në çdo vend tjetër të botës, tha ai, mund të them se në emër të Republikës së Shqipërisë negocion qeveria.

Kosovë, përpjekje për të ratifikuar marrëveshjen me Malin e Zi
Parlamenti i Kosovës ende nuk ka vendosur një datë për mbajtjen e seancës për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, pas shtyrjes së seancës së paralajmëruar për ditën e djeshme. Shtyrja ishte pasojë e faktit që ende nuk janë siguruar votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes. Miratimi i saj, kërkon dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh. Lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar që nuk do ta votojë marrëveshjen ndërsa lista serbe ende nuk ka marrë qëndrim për një gjë të tillë. Javën e kaluar, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi Filip Vujanoviç janë pajtuar që të punojnë për të mundësuar ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit duke përfshirë edhe mundësinë e korrigjimeve të vijës kufitare të përcaktuar më marrëveshjen e nënshkruar në gusht të vitit 2015. Qeveria e Kosovës tashmë ka votuar dokumentin që do të jetë pjesë shtesë e marrëveshjes për kufirin. Kryeministri Ramush Haradinaj tha të hënën se po punohet që marrëveshja të votohet në parlament.

Kocias i dorëzon marrëveshjen për emrin homologut maqedonas
Shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocias pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shkup, njoftoi televizioni grek “Alfa”, që shtoi se java e ardhshme do të jetë vendimtare për negociatat mes dy vendeve për çështjen e emrit. Ndërkohë ministri i Jashtëm grek pritet t’i dorëzojë homologut të tij maqedonas projektmarrëveshjen e rastit, të përgatitur nga pala greke. Pritet që Kocias ta vizitojë Shkupin në ditët në vazhdim me fluturimin e parë në aeroportin që do të ketë tani emrin e ri “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”, njoftoi televizioni “Alfa”. Sipas këtij televizioni, në projektmarrëveshje, përveç emrit, do të përfshihen dhe ndryshimet në Kushtetutë, që Athina i kërkon Shkupit për “heqjen e pozitave irredentiste”.
Sigal