Si u kthye hakmarrja primitive e Ramës ndaj Bushatit, në një shuplakë të hidhur për kryeministrin

1032
Sigal

Kryeministrit Rama i ndodh shpesh, që veprimet hakmarrëse, t’i kthehen mbrapsht si një bumerang, nga i cila do kohë ta marrë veten.

Pikërisht kjo gjë i ka ndodhur ditën e sotme, kur të zgjedhurit prej tij në krye të Bashkisë së Shkodrës, por edhe në drejtimin politik të këtij qarku, i ka dalë në sipërfaqje aktiviteti kriminal në Itali.

Partia Demokratike ka publikuar dokumentat, të cilat tregojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Itali. Ai e ka pranuar akuzën dhe është dëbuar nga shteti italian për shtatë vite.

Edi Rama është ndoshta politikani më i akuzuar për lidhje të drejtëpërdrejta me krimin e organizuar dhe vendosjen e personave me të shkuar kriminale në poste të rëndësishme. Edhe pse të gjithë prozhektorët ishin mbi të, për zgjedhjet moniste të 30 Qershorit, në të cilat opozita nuk merrte pjesë pikërisht me argumentin se zgjedhjet i blejne dhe vjedhin kriminelët, Edi Rama nuk zhgënjeu. Ai zgjodhi si kandidat për kryetar të Bashkisë së Shkodrës, pikërisht një person me të shkuar kriminale.

Por nuk përfundon këtu. Rreth një muaj më parë, Edi Rama, në një akt hakmarrje primitive ndaj Ditmir Bushatit, e shkarkoi atë publikisht nga drejtimi politik i qarkut Shkodër, për ta zëvendësuar me zbulimin e tij të fundit, Valdrin Pjetrin.

Ish ministrit të Jashtëm, që kishte nisur të shfaqte disa nuanca disidence në fjalimet e tij, iu “pre koka” menjëherë. Në vend të tij, Rama emëroi Pjetrin, pa asnjë profil politik dhe pa ndonjë meritë të spikatur si intelektual apo qoftë edhe si një personalitet mesatar, nga ata që gjenden me shumicë në rradhët e PS-së. Por, sipas kryeministrit, Pjetri kishte një avantazh, sepse ai gjendjej ditë natë pranë komunitetit dhe kjo ishte edhe arsyeja përse ai duhej zëvendësuar me Ditmir Bushatin. Argumenta të tilla Edi Rama i ka përdorur shpesh, sa herë duhet të justifikojë kandidimin e personave gjysmë analfabetë, ose me të shkuar kriminale, siç ishte rasti i Elvis Roshit të Kavajës, i cili kishte kryer përdhunim në grup.

Pikërisht sot, Edi Ramës i është kthyer mbrapsht një shuplakë e hidhur. Megjithatë, mes skandaleve të panumërta dhe  pushtetit absolut që ka marrë në dorë dhe me të cilin nuk di se ç’do të bëjë, halli i ri që i ka shpërthyer me  Valdrin Pjetrin, është veç një grimcë më shumë në mullarin e madh që ai ka  bërë bashkë me Rilindjen në këto gjashtë vite.

I lodhur dhe i stërmunduar nga skandalet e shumta, Edi Rama me gjasë do ta lëshojë shpejt Pjetrin.  Deklarata e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ishte mjaft e qartë. Ai tha se në PS, ka vija të kuqe për çdokënd dhe se kjo parti do të jetë gjithmonë me ligjin. Pra, po u kape me presh në duar, partia dhe kryeministri nuk të mbrojnë dot më, edhe kur ata të zgjedhin pikërisht për këto karakteristika dhe veçori që posedon.