Shumë zhurmë, por asnjë largim nga deputetë, ministrat dhe zyrtarët e korruptuar

436
Në Shqipëri, vonesat në arritjen e marrëveshjes për Reformën në Drejtësi kanë bërë të pamundur që paketa e ligjeve mbështetëse të kalojë para mbylljes së këtij sesioni parlamentar, seanca e fundit e të cilit është parashikuar për ditën e hënë. Janë shtatë projektligje të cilat pritet t’i nënshtrohen dhe diskutimeve me opozitën e që do t’i hapin rrugë ngritjes së strukturave të reja të parashikuara, por së pari procesit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duartrokitjet që mbushën sallën e parlamentit, pas votimit unanim, ishin kurorëzimi i një rruge të vështirë përmes së cilës kaloi Reforma në Drejtësi. Por tani nis një fazë e re po aq me peshë për suksesin e pritur të kësaj sipërmarrje. Ashtu siç vinin në dukje në përshendetjen e tyre, Përfaqësuesja e Lartë për politikën e Jashtme të BE Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn “tani është e rëndësishme që zbatimi i reformës të nisë menjëherë, me qëllimin që popullit shqiptar t’i shërbejë një sistem drejtësie që bazohet fort në standartet evropian”. 

Komisioni i Posaçëm i Reformës ka gati 7 projektligjet e para që do të mundësojnë vënien në jetë të ndryshimeve kushtetuese, por koha e gjatë që u harxhua për arritjen e një marrëveshjeje, dhe përplasjet me opozitën, përfaqësuesit e së cilës nuk morën pjesë në mbledhjet e komisionit, bënë që ato të shtyhen tanimë për në muajin shtator. Një shtyrje e cila përkthehet detyrimisht në vonesa për ngritjen e strukturave të reja të parashikuara. Procesi i parë që do të duhet të nisë menjëherë është ai i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke qenë se ai do të kalojë në filtër dhe anëtarët e institucioneve të reja. Parashikohet që në këtë proces, të përfshihen mbi 20 gjyqtarë dhe prokurorë europianë dhe amerikanë, përzgjedhja e të cilëve mësohet se ka filluar sin ë Bruksel ashtu dhe në Uashington. Faza e dytë pritet të jetë ngritja e Këshillit të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë gjyqësorë. Veçanërisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka një rëndësi specifike pasi prej tij do të përzgjidhen anëtarët e Prokurorisë speciale antikorrupsion e cila do të ketë në varësi dhe Byronë kombëtare të hetimit. Dy institucione për të cilat është parashikuar një investim amerikan, sidomos për përgatitjen profesionale të anëtarëve të tyre. Faza e zbatimit të Reformës pritet të jetë gjithashtu një sfidë më vete edhe në aspektin politik. Nëse marrëdhëniet mes shumicës dhe opozitës do të jenë ato që shoqëruan procesin e Reformës, gjithçka do të vështirësohej sërish, ndonëse miratimi i paketës ligjore mbështetëse, bëhet me tre të pestat e parlamentit, vota të cilat teorikisht e majta në pushtet i kontrollon.
Sigal