Shtyrja e negociatave, Blushi: Fajtorët janë në Shqipëri, në Tiranë, jo në Bruksel

423
Nga Selia e partisë më të re, Libra, deputeti Ben Blushi në një konferencë shtypi ka folur për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian duke theksuar se fajtorët janë në Shqipëri, në Tiranë dhe jo në Bruksel.
Sigal

“Kam dëgjuar këto ditë deklarata të padenja te të cilat do të ndalem edhe ditët e ardhshme, deri në zgjedhjet e 2017. Nëse ishte vetingu apo ndryshimet për zgjedhjet e vitit 2017, nëse ishte përhapja e kanabisit apo dekriminalizimi i politikës pengesa kryesore për mjegullën në horizontin evropian të Shqipërisë.

Natyrisht që janë të gjitha bashkë. Edhe shtyrja e procesit të vetingut, edhe kanabizimi, edhe kriminalizimi, edhe korrupsioni, edhe pasiguria për zgjedhjet e ardhshme.

Për të gjitha këtio arsye, fajtorët janë në Shqipëri dhe arsyet janë në Tiranë dhe as në Bruksel dhe as në Amerikë. Ka ardhur koha ta pranojmë se janë disa shqiptarë ata që po e vonojnë. Fajtorët janë partitë dhe viktima është populli.

Akoma më qesharake është kur dëgjohet që vetingun dikush e quan kriter dhe dikush e quan kusht, dekriminalizimin dikush e quan kriter dhe dikush e quan kusht.
Se zgjedhjet dhe mungesën e reformës zgjedhore dikush e konsideron kriter dhe dikush kusht.

Por a ka më rëndësi kjo? Këto s’janë kushte që Evropa ia ka përcaktuar Shqipërisë, këto janë kushtet që vetë shqiptarët i kanë vënë klasës së tyre politike”, tha Blushi.

Sipas tij, “Libra” mendon se klasa politike shqiptare, duhet të heqë dorë nga tradita e vjetër sipas së cilës integrimi është një medalje për zgjedhjet, dhe duhet të ulen për një pakt të madh evropian të përshpejtojë procesin e integrimit duke krijuar më shumë besim”.