Shtyrja e afatit të regjistrimit për koalicionet, anëtari i KQZ: Kërkesa e PS-LSI, jo legjitime

Pas letrës së Gramoz Rucit dhe Luan Ramës në emër të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkojnë shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore, pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, anëtari i KQZ, Klement Zguri ka thënë se kërkesa nuk është legjitime, pasi kërkuesit nuk kanë autorizimin përkatës për kërkesë.

“Kërkesa për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore nuk është legjitime, pasi personat që kanë bërë kërkesën nuk kanë autorizimi për kërkesë. Përmbajtja e letrës prek zgjedhjet dhe i prish ato. Sot është data ligjore për të përfunduar regjistrimi i koalicioneve dhe nuk mund të ketë datë tjetër përveç asaj që parashikon Kodi Zgjedhor”- ka thënë Klement Zguri.

Në një letër drejtuar KQZ-së, nënshkruar nga kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së, Gramoz Ruci dhe Luan Rama, thuhet se “Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin”.